E vogël, e varfër dhe tashmë goxha shpërthyese. Për më shumë se një javë, dhjetëra mijëra protestues kanë dalë në rrugët e Maqedonisë, të irrituar nga pezullimi që i bëri presidenti një hetimi penal që kishte në shënjestër politikanët e lartë të vendit. Mbështetësit e VMRO, partia që ka pasur qeverinë që nga 2006, besojnë se opozita po përdor atë që ata e quajnë skenar “ukrainas” për të marrë pushtetin me forcë. Opozita, e dominuar nga partia socialdemokrate, akuzon VMRO për autoritarizëm. Ndërkohë, emigrantët e bllokuar në Greqi për shkak të mbylljes së kufirit maqedonas në mars janë munduar të kalojnë gardhin, por janë kthyer pas nga retë e gazit lotsjellës.
Maqedonia ka gëzuar një profil të lartë ndërkombëtar që nga viti i kaluar, kur qindra mijëra emigrantë nisën të kalojnë përmes Ballkanit perëndimor për të mbërritur në Gjermani dhe Suedi. Bashkimi Europian e shikon atë si partnere të rëndësishme në frenimin e valës së emigrantëve. Por në të njëjtën kohë, Maqedonia ka kaluar nga kriza në krizë. Kjo e tanishmja është më e madhja e të gjithave.
Shqetësimet nisën në shkurt 2015, kur socialdemokratët nisën të publikojnë kaseta me përgjime të grumbulluara nga shërbimi sekret i vendit (asokohe i drejtuar nga kushëriri i Nikolla Gruevskit, kryeministri). Shërbimet sekrete u mësua që kishin përgjuar rreth 20 000 persona, dhe kasetat sugjeronin që zoti Gruevski dhe bashkëpunëtorët e tij ishin përfshirë në një mashtrim elektoral, korrupsion dhe fshehjen e detajeve për dy vrasje të diskutuara. Nisi një valë protestash. Në maj shërbimet sekrete u përfshinë në një përleshje me armë misterioze me guerilë shqiptarë. Kur u shfaq kriza e emigrantëve, BE ishte e bindur që Maqedonia ishte buzë kaosit, dhe dërgoi një grup diplomatësh për ndërhyrje.
Ekipi i BE ndihmoi për të negociuar një marrëveshje mes qeverisë dhe opozitës për të emëruar një prokuror special për të hetuar krimet e mundshme të zbuluar nga përgjimet. U shpallën zgjedhjet e parakohshme dhe zoti Gruevski dha dorëheqjen. (Zgjedhjet që atëherë janë shtyrë; tani janë vendosur për 5 qershor.) Por më 12 prill, presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, urdhëroi ndërprerjen e hetimeve të prokurorit special, i cili deri atëherë kishte vënë në shënjestër 56 politikanë. Shumica e tyre, përfshi zotin Gruevski, ishin të lidhur me VMRO. Menjëherë, protestuesit dolën në rrugë.
Johannes Hahn, komisionari i BE për zgjerimin, i ftoi liderët e Maqedonisë në një takim urgjent në Vjenë më 22 prill për të gjetur një zgjidhje. Por takimi u anulua, pasi socialdemokratët nuk pranuan të merrnin pjesë. Problemi i BE, thotë Nenad Markovikj, analist në Universitetin e Shkupit, është se nuk ka asgjë për të ofruar. Aplikimi i Maqedonisë për anëtarësim në BE është bllokuar për dy dekada nga Greqia në lidhje me emrin e saj, dhe votuesit maqedonas janë të prekur. “Karrota s’ekziston,” thotë zoti Markovikj, “dhe shkopi [zyrtarët e BE] është shumë, shumë i vogël.”
Deri tani protestat kanë qenë kryesisht paqësore. Mbështetësit e VMRO mbrojnë idenë që ata kanë realizuar rritje ekonomike të qëndrueshme, dhe opozita dëshiron revolucion sepse e dinë që s’mund të fitojnë zgjedhjet. Socialdemokratët thonë që zgjedhjet e kaluara janë vjedhur dhe mediet kryesore janë kthyer në zëdhënëse të VMRO. Ata janë tërhequr nga zgjedhjet.
Partitë që përfqasëojnë shqiptarët e Maqedonisë kanë qëndruar jashtë konfliktit deri tani, por kjo mund të ndryshojë. SHBA dhe një radhë vendesh evropiane i kanë kërkuar presidenti ta anulojë dekretin e tij. Rusia akuzon opozitën, siç pritej, për grusht shteti me mbështetje të huaj.
Maqedonia është një vend i vogël me dy milionë banorë, por ajo që ndodh aty ka rëndësi për rajonin. Ndikimi rus dhe turk po rritet. Mundësia e anëtarësimit në BE po shuhet. Për pasojë, thekson një burim i BE, politikanët e Maqedonisë “duken të vendosur të dëmtojnë vendin e tyre.”