Moderniteti dhe Holokausti*
Zygmunt Bauman
Gjëja që duhet kujtuar është se për çdo horr të librit të Goldhagen-it, për çdo gjerman dhe çdo jogjerman që i vriste viktimat me kënaqësi dhe entuziazëm, kishte duzina e qindra gjermanë dhe jogjermanë që dhanë ndihmesë në vrasjen masive, jo me më pak efikasitet dhe pa ndjerë ndonjë gjë për viktimat dhe për natyrën e veprimeve të tyre. Çështja është se ndërsa ne e dimë shumë mirë që paragjykimi kërcënon njerëzimin dhe madje disi e dimë se si të luftojmë dhe të kufizojmë qëllimet e këqija të njerëzve të molepsur me paragjykime, ne nuk dimë aspak se si të largojmë kërcënimin e një vrasjeje të maskuar si funksion rutinor dhe joemocional i një shoqërie të rregullt. Në të njëjtën kohë, lloji tjetër i dijes – se si të përdorim njerëzit pa instinkte vrastare në shërbim të “vrasjeve legjitime” dhe aftësitë teknologjike të nevojshme për të zbatuar një dije si kjo në praktikë – tashmë është i konsiderueshëm dhe shtohet vazhdimisht, falë përpjekjeve të bashkuara të psikologëve, teknicienëve dhe ekspertëve të menaxhimit shkencor.
Robert Johnson-i ka kryer një studim të hollësishëm dhe skrupuloz mbi rutinën e përditshme dhe mpirëse në sektorin e ekzekutimit kapital në sistemin penal amerikan; mbi gjallërinë e pezulluar të tij dhe rutinën festive të ditëve të ekzekutimit; gjithashtu mbi mendimet dhe ndjenjat e aktorëve. Sasia e madhe e të dhënave të grumbulluara nga Johnson-i mund të shërbejë si dëshmi e pasur empirike për të kuptuar më mirë kriminologun e madh norvegjez Nils Christie në studimin rrugëçelës Industria e kontrollit të krimit [Crime Control as Industry]. Të gjitha depërtimet teorike kryesore të Christie-it gjejnë provën empirike në studimin e Johnson-it: rutinizimi i procedurës së vrasjes, ndarja burokratike e punës, neutralizimi i shqetësimeve etike dhe i skrupujve moralë, depersonalizimi i viktimave etj. “Procesi qytetërues”, siç ka sugjeruar Norbert Elias-i, na ka bërë të gjithëve (apo të paktën shumicën prej nesh) të mos e pëlqejmë dhe ta mbajmë larg dhunën. Por qytetërimi modern gjithashtu ka shpikur mjetet për ta bërë të pavlefshëm mospajtimin me dhunën kur vjen puna për t’u bërë bashkëpunëtorë në kryerjen e veprave të dhunshme – veçanërisht kur veprimet duhen bërë në emër të vlerave të qytetërimit.
“Bashkëfajësia është e dukshme sepse rojet e sektorit e ekzekutimit me vdekje i mbajnë të burgosurit për qëllimin e ekzekutimit”, shënon Johnson-i. Rojet e intervistuar nga Johnson-i janë të ndërgjegjshëm për këtë dhe nuk mund të mos ndjehen keq për këtë fakt. “Përjetimi i vizitës së fundit familjare më bëri të ndjehesha keq… ishte një situatë dëshpëruese”, pranon njëri prej tyre (vini re se rojet e sektorit të ekzekutimit më vdekje nuk kanë luksin që kishin ekzekutorët e Holokaustit – ata kanë kohë të konsiderueshme për të zhvilluar marrëdhënie vetjake me të dënuarit: ata që do të ekzekutohen kanë fytyra). Por pastaj ai shton një mendim të dytë. “Supozohet se është pjesë e punës, si të jesh doktor ose diçka tjetër. Është si të humbësh një pacient, kjo është e gjitha, por prapë nuk është e thjeshtë. Nuk mund ta harrosh këtë gjë, por mund ta lësh pas”. Dhe “pas” e lënë këtë gjë ai dhe shokët e tij, për shumicën e herës. Si e arrijnë këtë gjë?
Së pari, duke lënë mënjanë konsideratat morale, duke zëvendësuar etikën me teknikën, e cila nuk i provokon emocionet dhe nuk i shkakton shqetësime moralit të personit, duke përsëritur atë çka u thonë ata që i komandojnë dhe çdonjëri rreth tyre e përsërit: “Nuk është një punë që pëlqej ose jo. Përpiqem ta bëj si profesionist, sikurse me çdo punë tjetër. Nëse dënimet me vdekje do të ndaleshin, kjo nuk do të më shqetësonte. Po të kishim dhjetë ekzekutime nesër, as kjo nuk do të më shqetësonte”, thotë njëri nga rojet. “Kjo gjë bëhet me profesionalizëm, nuk është lojë. Gjithçka shoqërohet me dokumente, zbatohet në kohë dhe sipas procedurës”, shton një tjetër.
Së dyti, të gjithë ata marrin pjesë në kryerjen e vrasjes, mirëpo asnjeri nuk është (ose nuk ndjehet) vrasës. Në asnjë pjesë të procesit nuk ka një këmbëz që tërhiqet nga një gisht i vetëm. Siç e thotë Johnson-i, “anëtarët e skuadrave të ekzekutimit me vdekje e thërrasin veten thjesht ‘skuadra’”. Të punosh si “skuadër” është e shëndetshme; është skuadra ajo që vret, pa e bërë asnjërin nga anëtarët e saj vrasës. Johnson-i citon fjalët e njërit prej rojeve: “Ne mund ta themi me ndershmëri se nuk e kemi bërë ne”. Siç ka vërejtur Hannah Arendt-i, ërgjegjësia është qarkulluese. Një përgjegjësi qarkulluese nuk është përgjegjësi e askujt.
Së treti, asnjë nga anëtarët e skuadrës së vdekjes nuk e kryen punën e tij prej dëshirës që ka për të vrarë, apo për shkak të përkrahjes së tij për dënimin me vdekje. Motivet apo mungesa e tyre nuk kanë të bëjnë me atë që ndodh. “Vetëm pak anëtarë të skuadrës së ekzekutimit janë mbështetës të palëkundur të dënimit me vdekje”, vëren Johnson-i. Kur punësojnë kandidatët për këtë punë, drejtorët e burgjeve nuk kërkojnë sadistë, militantë e vigjilues apo të fiksuar pas “ligjit dhe rendit”. Bindjet e forta të çdo lloji mund të ndërhyjnë në funksionimin e patrazuar të procedurës burokratike. Është më e sigurt, dhe mbi të gjitha më efikase, që të lihen mënjanë emocionet, përndryshe shumëçka do të varej nga ndryshimet e çrregullta dhe të pakontrollueshme të gjendjes emocionale. Gjithçka është më efikase kur kryet “sipas procedurës”. Në organizimin burokratik të industrisë së vrasjes, sikurse në çdo organizim tjetër burokratik, simpatitë dhe antipatitë vetjake lihen në gardërobë përpara fillimit të punës.
Disa njerëz të matur në pozicione mbikëqyrëse shkojnë një hap më tutje: ata kundërshtojnë me vendosmëri punësimin e njerëzve që tregojnë prirje jo thjesht për ta kryer në mënyrë korrekte punën si të tillë, por për ta kryer në mënyrë korrekte këtë lloj të veçantë të punës, për arsye të vetë natyrës së saj. “Unë nuk dua askënd që pëlqen ta bëjë këtë… dhe nëse do të dyshoja apo mendoja se ndonjëri në skuadër realisht e pëlqen këtë që bën, do ta hiqja prej skuadrës; do të më pëlqente të mendoja se çdonjëri prej tyre […] po e bën punën sipas rregullores”. Kjo ide e këtij mbikëqyrësi është në pajtim me shpirtin modern. Kur rekrutonin ushtarët që do të shërbenin në Einsatzgruppen, skuadrat që grumbullonin dhe pushkatonin bolshevikët dhe çifutët në territorin sovjetik, merreshin masa që të përjashtoheshin nga rekrutimi kundërsemitë të tërbuar dhe njerëz sadistë. Pushteti i mjeteve dhe i metodave moderne qëndron pikërisht tek arritja e suksesit të sipërmarrjes pavarësisht nga prania apo mungesa e përkushtimit ndaj saj.
Moderniteti nuk do të kishte arritur këtu ku ka arritur nëse do të mbështetej mbi gjëra aq të çregullta, tekanjoze dhe jomoderne sa ç’janë pasionet njerëzore. Përkundrazi, ai u mbështet te ndarja e punës, shkenca, teknologjia, menaxhimi shkencor dhe pushteti për të bërë llogaritje racionale të kostos dhe efekteve – të gjitha këto gjëra joemocionale. Studimi i njohur i Stephen Trombley-it për “industrinë e ekzekutimit” është i ngjashëm me atë që Götz Aly dhe Susane Heim bënë për sipërmarrjen vrastare të nazistëve: ai tregon pa asnjë dyshim se mjedisi i cili e bën të mundur vrasjen masive në shoqërinë moderne është i padallueshëm nga ai që bën të mundur prodhimin masiv dhe racionalizimin e pandalshëm teknologjik. Aly dhe Heim-i dokumentuan rolin kyç të luajtur nga mijëra ekspertë të klasit të lartë – inxhinierë, arkitektë, ndërtues, mjekë, psikologë dhe shumë e shumë të tjerë – për të realizuar shfarosjen masive në një shkallë të paparë.
Nga historia e dokumentuar me kujdes e karriges elektrike, e shkruar nga Trombley, mësojmë se ekzekutimi i parë me rrymë elektrike (William Kemmler, më 6 gusht 1890 në burgun shtetëror Auburn të Nju Jorkut) “shkaktoi një interesim të gjerë mjekësor dhe nga njëzet e pesë dëshmitarë të ekzekutimit, katërmbëdhjetë ishin mjekë”. Gjithashtu mësojmë se shpikja e karriges elektrike u bë një rast për debat shkencor mbi avantazhet përkatëse të rrymës së vazhdueshme apo të alternuar dhe shkaktoi një debat të nxehtë publik midis njerëzve të shquar të teknologjisë moderne si Tomas Edison e George Westinghouse. Për më tepër, anëtarë të shquar të komisionit të guvernatorit Hill, që ishin të ngarkuar me gjetjen e metodave të duhura të ekzekutimit, interesoheshin për argumentet e autoriteteve të shkencës dhe përparimit: ajo që i bindi ata ishte se elektriciteti, “forma e padukshme dhe joplotësisht e kuptueshme e energjisë, ishte në thelb moderne”; ajo gjithashtu ishte e pastër dhe premtonte të ishte e lirë – dhe këto u bënë përshtypje anëtarëve të komisionit.
Studimet e Johnson-it dhe Trombley-it janë të paçmueshme; vlera e tyre qëndron tek informacioni që ofrojnë dhe ndoshta më shumë te kuptimi i sjelljes moderne njerëzore dhe i mënyrës se si funksionon shoqëria moderne. Kjo mënyrë i bën të tepërta konsideratat etike dhe impulset morale, dhe këto studime dokumentojnë e tregojnë se si arrihet kjo gjë, se si riprodhohet në rutinën e përditshme. Këto studime gjithashtu listojnë përfitimet që vijnë nga kjo tepri; përfitime në kuptimin e drejtpërdrejtë të përdorimit me fitim të burimeve, por edhe në kuptimin tjetër, i cili nuk vërehet menjëherë, i pajisjes me besueshmëri dhe realizueshmëri të përpjekjeve që do të ishin të pamendueshme po të vareshin nga motivimet dhe impulset njerëzore. Pjesëmarrësit në operacionet e vrasjes dhe turmat e shkencëtarëve e të inxhinierëve që i furnizojnë me armët e vrasjes dhe krijojnë procedurat për veprim efikas, nuk janë njerëz të këqij. Njerëzit e këqij bëjnë gjëra të këqija në çdo kohë. Por ata janë të paktë dhe “të çmendur” sipas standardeve moderne të arsyes. Ka qenë ndoshta arritja unike e qytetërimit modern ajo që i mundësonte njerëzve të zakonshëm, “punëtorëve të ndershëm”, të jepnin ndihmesë në vrasje – dhe në bërjen e vrasjes më të kuptueshme, më të pastër, më efikase dhe moralisht antiseptike dhe efikase se kurrë më parë.
*Ekstrakt i përpunuar nga libri Moderniteti dhe Holokausti i autorit Zygmunt Bauman, tashmë në treg nga shtëpia botuese ‘Pika pa Sipërfaqe’.