Moderniteti dhe Holokausti*
Zygmunt Bauman
Disa vite më parë, John Lachs-i veçoi ndërmjetësimin e veprimit (dukuria sipas së cilës veprimi i dikujt kryhet nga një tjetër në vendin e tij, nga një person i ndërmjetëm pra, i cili “qëndron midis meje dhe veprimit tim, duke e bërë të pamundur që unë ta përjetoj atë drejtpërdrejt”) si një nga dukuritë më të spikatura dhe më të rëndësishme të shoqërisë moderne. Ekziston një largësi e madhe midis qëllimeve dhe kryerjes praktike, e cila mbushet me një shumësi veprimesh të imëta dhe me aktorë të parëndësishëm. “Ndërmjetësi” i fsheh rrjedhojat e veprimit nga shikimi i aktorit.
Rezultati është se ka shumë veprime për të cilat asnjë nuk ndjehetërgjegjës. Për personin në emër të cilit kryhen veprimet, ato ekzistojnë vetëm në trajtë verbale apo në imagjinatën e tij; ai nuk do t’i njohë të vetët për sa kohë që nuk i ka përjetuar. Në krahun tjetër, njeriu që i ka kryer i shikon si veprime të tjetërkujt dhe veten e tij si instrument të pafajshëm të një vullneti të huaj […].
Pa pasur një raport të drejtpërdrejtë me veprimet e tij, edhe njeriu më i mirë lëviz në një zbrazëti morale: njohja abstrakte e së keqes nuk është as një udhërrëfyes i besueshëm edhe as një motiv i përshtatshëm… Nuk duhet të befasohemi nga mizoria e madhe dhe në shumicën e rasteve e paqëllimtë e njerëzve vullnetmirë […].
Ajo që ia vlen të shënohet është se ne nuk jemi të paaftë të njohim veprimet e këqija apo padrejtësitë e vrazhda kur i shohim ato. Ajo që na çudit është se si mund të kenë ndodhur në kohën kur secili nga ne nuk ka bërë asgjë të dëmshme… Është e vështirë të pranosh faktin se shpesh nuk ka asnjë person apo grup personash që e kanë planifikuar apo shkaktuar atë nga fillimi e deri në fund. Është akoma më e vështirë të shohësh se si veprimet tona, me anë të efekteve të tyre të largëta, kanë ndikuar në krijimin e mjerimit.
Rritja e largësisë fizike dhe/ose psikike midis veprimit dhe pasojave të tij prodhon diçka më shumë se sa pezullimin e frenimit moral: ajo anulon domethënien morale të veprimit dhe me anë të këtij parandalon çdo lloj konflikti midis standardit personal të moralitdhe imoralitetit të pasojave shoqërore të veprimit. Kur shumica e veprimeve sociologjikisht domethënëse ndërmjetësohen nga një zinxhir i gjatë i varësive shkakësore dhe funksionale, dilemat morale zhduken nga pamja dhe rastet për të shqyrtuar me vetëdije zgjedhjen morale bëhen gjithnjë e më të rralla.
Një efekt i ngjashëm (por në një shkallë më të madhe) arrihet duke i bërë viktimat psikologjikisht të padukshme. Padyshim që ky ka qenë një ndër më vendimtarët e faktorëve përgjegjës për rritjen e humbjeve njerëzore në luftërat moderne. Siç ka vëzhguar Philip Caputo, etosi i luftës “duket se është një çështje e largësisë dhe e teknologjisë. Nuk mund ta kesh gabim kur i vret njerëzit nga një largësi e madhe dhe me armëve të sofistikuara”. Në vrasjen në distancë, lidhja midis një kërdie dhe veprimeve tërësisht të pafajshme – si tërheqja e këmbëzës, shtypja e butonit të rrymës elektrike apo shtypja e tastierës së kompjuterit – ka gjasa të mbetet një nocion i pastër teorik (kjo tendencë ndihmohet jashtëzakonisht shumë nga shkëputja midis shkallës së lartë të dëmit dhe shkakut të tij imediat – një pamatësi që lehtësisht e pengon kuptimin e bazuar në përvojën e opinionit të përgjithshëm). Kështu mund të jesh piloti që hedh bombën në Hiroshima ose Dresden, mund të shkëlqesh në detyrat që të janë ngarkuar në një bazë ushtarake të raketave të telekomanduara, mund të projektosh tipa edhe më vrastarë të mbushjeve bërthamore – dhe e gjitha kjo pa humbur asgjë nga integriteti yt moral dhe pa shkaktuar fare krizë morale (u provua se padukshmëria e viktimave ishte një faktor me rëndësi edhe në eksperimentet e trishta të Milgramit).
Duke pasur në mendje këtë efekt të padukshmërisë së viktimave, ndoshta është më e lehtë për të kuptuar përmirësimet e njëpasnjëshme të teknologjisë së Holokaustit. Në fazën e Einsatzgruppen-ve, viktimat vendoseshin para mitralozave dhe vriteshin menjëherë. Edhe pse bëheshin përpjekje për t’i mbajtur armët në largësinë maksimale nga hendeqet ku do të binin të vrarët, përsëri ishte tej mase e vështirë për qitësit që ta anashkalonin lidhjen midis të shtënave dhe vrasjeve. Kjo është arsyeja pse administruesit e gjenocidit e quanin këtë metodë primitive, joefikase dhe të rrezikshme për moralin e ekzekutuesve. Prandaj kërkoheshin teknika të tjera të vrasjes, të cilat do t’i ndanin vizualisht vrasësit nga viktimat e tyre. Kërkimi pati sukses dhe përfundoi me shpikjen e dhomave të gazit, fillimisht të lëvizshme e më pas të stacionuara; këto të fundit – më të përkryerat që nazistët mund të ndërtonin brenda një kohe të kufizuar – e ulën rolin e vrasësit në atë të “zyrtarit sanitar” që zbrazte një sasi “kimikatesh dezinfektuese” te një vrimë e hapur në çatinë e një ndërtese, pa qenë nevoja të shihte se ç’bëhej brenda.
Suksesi tekniko-administrativ i Holokaustit u arrit pjesërisht falë përdorimit me mjeshtëri të “qetësuesve morale” të vëna në dispozicion të tij nga burokracia dhe teknologjia moderne. Midis tyre, vende qendrore zënë dy syresh: padukshmëria e lidhjes shkakësore në një sistem të ndërlikuar të ndërveprimit dhe “distancimi” i rezultateve të pakëndshme apo moralisht të neveritshme të veprimit deri në pikën ku bëhen të padukshme për aktorin. Megjithatë, nazistët shkëlqyen veçanërisht në përdorimin e një metode të tretë, të cilën nuk e kishin shpikur ata, por që e përsosën në një shkallë të paparë. Kjo ishte metoda për ta bërë të padukshëm natyrën njerëzore të viktimave. Koncepti që Helen Fein e quan universi i detyrimit (“rrethi i njerëzve me detyrime të ndërsjella për të mbrojtur njëri-tjetrin, për shkak se lidhja mes tyre krijohet nga marrëdhënia e përbashkët me një hyjni apo me një burim të shenjtë të autoritetit”) ndriçon një pjesë të mirë të faktorëve socio-psikologjikë që ndodhen pas efikasitetit të mahnitshëm të kësaj metode. “Universi i detyrimit” shënjon cakun e jashtëm të territorit shoqëror brenda të cilit mund të ngrihen pyetje kuptimplota mbi moralin. Në anën tjetër të cakut normat morale nuk janë detyruese dhe vlerësimet morale janë të pakuptimta. Për ta bërë të padukshëm natyrën njerëzore të viktimave mjaftonte që ata të përjashtoheshin nga universi i detyrimit.
Brenda vizionit nazist për botën – i artikuluar rreth vlerave eprore dhe të pakundërshtueshme të gjermanitetit – për përjashtimin e çifutëve nga universi i detyrimit ishte e nevojshme zhveshja e tyre nga anëtarësia në kombin dhe nënshtetësinë gjermane. Sipas një fraze tjetër me vend të Hilberg-ut, “fati i çifutëve të Evropës u vulos në fillim të vitit 1933, në çastin kur nëpunësi i parë përdori për herë të parë termin ‘joarian’ në një urdhëresë të shërbimit civil”. Për të fituar shumë bashkëpunimin (ose qoftë edhe pasivitetin apo indiferencën) e evropianëve jogjermanë ishte e nevojshme të bëhej më shumë. Zhveshja e çifutëve nga gjermaniteti, ndërsa ishte e mjaftueshme për SS-ët gjermanë, nuk ishte e mjaftueshme për ata kombe që, edhe pse i pëlqenin idetë e nxitura nga sundimtari i ri Evropës, kishin arsye për t’iu frikësuar dhe për ta refuzuar pretendimin e tij ndaj monopolit të virtytit njerëzor. Pasi qëllimi për një Gjermani judenfrei u shndërrua në atë për një Evropë judenfrei, edhe përzënia e çifutëve prej kombit gjerman duhej të zëvendësohej me zhveshjen e tyre të plotë prej natyrës njerëzore. Në këtë mënyrë gjetja e shprehjes “çifutë dhe morra” nga ana e Frank-ut, apo ndryshimi i regjistrit retorik i shprehur nga zhvendosja e “çështjes çifute” prej kontekstit të mbrojtjes racore në universin gjuhësor të “higjienës vetjake” e “higjienës politike”, apo shpalljet paralajmëruese kundër tifos, të ngjitura në muret e getove, dhe së fundi autorizimi për kimikatet e nevojshme për aktin përfundimtar, i lëshuar nga Deutsche Gesellschaft für Schädlingsbekämpfung – Shoqata Gjermane për Luftën kundër Parazitëve.
* Ekstrakt i përpunuar nga libri Moderniteti dhe Holokausti i autorit Zygmunt Bauman. Së shpejti në treg nga shtëpia botuese ‘Pika pa Sipërfaqe’.