Moderniteti dhe Holokausti*
Zygmunt Bauman
Dr. Servatius-i, avokati i Eichmann-it në gjyqin e Jeruzalemit, ndoqi këtë linjë mbrojtjeje: Eichmann-i kreu veprime për të cilat do të dekorohej po të fitohej lufta dhe do të dënohej me jetë po të humbej lufta. Mesazhi i afërmendtë i këtij pohimi – sigurisht njëri nga më therësit e një shekulli që nuk i kanë munguar idetë mbresëlënëse – është krejt banal: fuqia e bën të drejtën. Megjithatë ka edhe një kumt tjetër, jo kaq të dukshëm e jo më pak cinik, që është edhe më alarmues: Eichmann-i nuk bëri asgjë që në thelb të ishte e ndryshme nga ato që bënë ata që fituan luftën. Veprimet në vetvete nuk kanë ndonjë vlerë morale dhe nuk janë as imorale nga aspekti imanent. Vlerësimi moral është i jashtëm ndaj veprimit, i vendosur nga kritere të tjera prej atyre që e orientojnë dhe i japin trajtën veprimit.
Po ta zhveshim kumtin e dr. Servatius-it prej rrethanave ku u shqiptua, po ta çpersonalizojmë e po ta shohim nga aspekti universal, ajo që të alarmon në kumtin e tij është se ai nuk dallon në mënyrë domethënëse nga ajo që sociologjia na thotë gjithnjë, ose nga opinioni i përgjithshëm i shoqërisë sonë moderne dhe racionale, i cili vihet rrallë në dyshim dhe akoma më rrallë kritikohet. Pohimi i dr. Servatius-it është shokues pikërisht për këtë arsye. Ai na thotë një të vërtetë të cilën në përgjithësi do të parapëlqenim të mos thuhej: për sa kohë që e vërteta e opinionit të përgjithshëm pranohet si diçka e dukshme që nuk kërkon prova, atëherë nuk ka asnjë mënyrë legjitime sociologjike për ta përjashtuar rastin e Eichmann-it nga zbatimi i saj i përgjithshëm.
Është tashmë e ditur se përpjekjet e para për ta interpretuar Holokaustin si një mizori e kryer nga kriminelë sadistë, nga njerëz të çmendur e të zvetënuar nga shoqëria, apo të tjerë individë me të meta morale, dështuan në gjetjen e provave vërtetuese. Refuzimi i tyre nga kërkimi historik është tashmë i plotë. Tendenca aktuale e mendimit historik është sintetizuar nga si më poshtë nga Kren dhe Rappoport:
Në bazë të kritereve konvencionale klinike jo më shumë 10{27a26d44c9c795719c11a40db985c5750e2ed32f08477077955f29848ab5c8fa} e SS-ve mund të quhen “anormalë”. Ky vëzhgim përputhet me tendencën e përgjithshme të dëshmive nga të mbijetuarit, që na tregon se në shumicën e kampeve zakonisht kishte një ose më së shumti disa SS të njohur për shpërthime të mizorisë sadiste. Të tjerët nuk ishin gjithmonë persona të mirë, por sjellja e tyre të paktën konsiderohej si e kuptueshme nga ana e të burgosurve […]. Gjykimi ynë është se shumica dërrmuese e SS-ve, drejtues dhe vartës, do t’i kishin kaluar me lehtësi të gjitha testimet psikiatrike që u bëhen rekrutëve të ushtrisë amerikane apo policëve të Kansas City.
Fakti që shumica e atyre që kryen gjenocidin ishin njerëz normalë, që do të kalonin normalisht çdo provim të disponueshëm psikiatrik, është moralisht shqetësuese. Por ai rezulton stimulues për nga aspekti teorik, veçanërisht kur shihet së bashku me “normalitetin” e atyre strukturave organizative që bashkërendonin veprimet e këtyre individëve normalë në një sipërmarrje gjenocidale. Ne tani e dimë se institucionet përgjegjëse për Holokaustin, edhe pse ishin kriminale, nuk mund të ishin patologjike apo jonormale sipas kuptimit sociologjik. Tani po mësojmë se as ata njerëz, veprimet e të cilëve ishin të bashkërenduara, nuk devijonin nga standardet e përgjithshme të normalitetit. Prandaj, nuk kemi zgjedhje tjetër veçse të shikojmë përsëri, me shikimin e mprehur nga dija jonë e Holokaustit, modelet normale të veprimit racional modern, që ne i marrim si plotësisht të kuptueshme. Në këto modele mund të shpresojmë të zbulojmë mundësitë dramatike që u shfaqën në çastin e Holokaustit.
Sipas thënies së famshme të Hannah Arendt-it, problemi më i vështirë me të cilin u përballën ekzekutuesit e Endlösung-ut (dhe që mund të themi se u zgjidh me sukses të pabesueshëm), ishte “si të kapërcehej […] mëshira instinktive që prek të gjithë njerëzit normalë kur shohin vuajtjen fizike të tjetrit”. Ne dimë se njerëzit e rekrutuar në organizatat që ishin drejtpërdrejtë të përfshira në sipërmarrjen e vrasjes masive nuk ishin as sadistë dhe as fanatikë. Mund të supozohet se ata e ndjenin neverinë, pothuaj instinktive, të njeriut ndaj ushtrimit të dhunës fizike, madje se e ndjenin edhe më shumë frenimin universal për të vrarë. E dimë se gjatë rekrutimit të anëtarëve të Einsatzgruppen (emërtimi i skuadrave naziste që kryenin vrasjet masive) dhe të njësive të tjera që merrnin pjesë në vrasjet masive, tregohej kujdes për të skualifikuar të gjithë ata që ishin shumë entuziastë, të paqëndrueshëm emocionalisht apo shumë të zellshëm ideologjikisht. Dimë se nismat individuale shkurajoheshin dhe bëheshin shumë përpjekje për ta mbajtur të gjithë procesin brenda kuadrit profesional dhe jopersonal. Përfitimet dhe motivet me karakter vetjak në përgjithësi censuroheshin dhe ndëshkoheshin. Vrasjet e kryera nga dëshira apo kënaqësia, ndryshe nga ato të urdhëruara dhe të organizuara, mund të çonin (të paktën në parim) në gjyq dhe burgim, njëlloj si veprohej me vrasjen e zakonshme. Në më shumë se një rast Himleri shprehu shqetësim të thellë dhe me gjasë të sinqertë për ruajtjen e baraspeshës mendore dhe të standardeve morale të vartësve të tij që përditë angazhoheshin në veprimtari çnjerëzore; ai gjithashtu shprehu krenari që, sipas bindjes së tij, baraspesha mendore dhe morali i njerëzve të tij dolën të papërlyera nga kjo provë. Duke cituar sërish Arendt-in, “me anë të ‘objektivitetit’ (Sachlichkeit), eksponenti i SS-ve largonte veten prej tipave ‘emocionalë’ si puna e Streicher-it, atij ‘idioti që kishte humbur lidhjen me realitetin’, dhe po ashtu prej disa ‘shefave partiakë teutoniko-gjermanikë që silleshin sikur mbanin veshur lëkurë dhe brirë’”. Udhëheqësit SS i besonin (me të drejtë, me sa duket) rutinës organizative dhe jo zellit individual; disiplinës dhe jo përkushtimit ideologjik. Besnikëria ndaj kësaj detyre të përgjakshme duhej të ishte – dhe vërtet ishte – rrjedhojë e besnikërisë ndaj organizatës.
“Kapërcimi i mëshirës instinktive” nuk mund të synohej dhe arrihej me anë të shfrenimit të instinkteve të tjera bazike: këto të fundit sipas të gjitha gjasave do të ishin disfunksionale për kapacitetin organizues të veprimit, sepse një grumbull individësh vrasës dhe hakmarrës nuk mund ta konkurronin efikasitetin e një burokracie të vogël, të disiplinuar dhe të bashkërenduar. Për më tepër, nuk mund të mbështetej kryerja e kësaj detyre te zgjimi i instinkteve vrasëse te mijëra zyrtarë dhe profesionistë, të cilët, për nga vetë shkalla e madhe e sipërmarrjes, duheshin përfshirë në etapa të ndryshme të operacionit. Me fjalët e Hilberg-ut:
Zbatuesi gjerman nuk ishte një lloj i veçantë i gjermanit […]. Dihet se vetë natyra e planifikimit administrativ, e strukturës juridike dhe e sistemit të kontabilitetit, e përjashtonte përzgjedhjen dhe përgatitjen speciale të personelit. Cilido anëtar i policisë mund të ishte roje në një geto ose tren. Cilido jurist në Shtabin e Sigurisë së Rajhut supozohej se ishte i përshtatshëm për të udhëhequr një njësi lëvizëse vrasëse; cilido specialist financiar në Zyrën e Ekonomisë dhe Administratës konsiderohej i përshtatshëm për të shërbyer në një kamp vdekjeje. Me fjalë të tjera, të gjitha operacionet e nevojshme i besoheshin personelit që ishte i disponueshëm në atë çast.
Pra, si u shndërruan këta gjermanë të zakonshëm në ekzekutorë të vrasjeve masive? Sipas Herbert C. Kelman-it frenimet morale ndaj veprimeve të dhunshme kanë tendencën që të zhduken kur plotësohen tre kushte, veç e veç a së bashku: kur dhuna është e autorizuar (nga urdhra zyrtare të lëshuara nga në mënyrë të ligjshme), kur veprimet bëhen rutinë (falë praktikave të rregulluara dhe përcaktimit të saktë të roleve) dhe kur viktimat e dhunës janë të çnjerëzuara (falë indoktrinimit ideologjik). Me kushtin e tretë do të merremi veçmas, kurse dy të parët na tingëllojnë të njohur. Ata janë shprehur në mënyrë të përsëritur përmes parimeve të veprimeve racionale, të cilat kanë gjetur zbatim universal tek institucionet më përfaqësuese të shoqërisë moderne.
Parimi i parë, mjaft domethënës për temën tonë, është ai i disiplinës organizative; më saktësisht kërkesa për t’iu bindur urdhrave të eprorëve duke përjashtuar stimujt të tjerë prej veprimit dhe për ta vendosur të mirën e organizatës – kjo e fundit e përcaktuar prej eprorëve – mbi çdo përkushtim dhe besnikëri tjetër. Midis këtyre ndikimeve të tjera e “të jashtme” që përzihen me shpirtin e përkushtimit dhe që, si rrjedhojë, duhen shtypur dhe shuar, vendin e parë e zënë pikëpamjet dhe parapëlqimet vetjake. Ideali i disiplinës ka të bëjë me identifikimin tërësor me organizatën – gjë që nga ana e saj do të thotë gatishmëri për të shuar identitetin tënd dhe për të flijuar interesat e tua (që nga vetë përkufizimi nuk përkojnë me detyrat e organizatës). Në ideologjinë organizative, gatishmëria për një lloj të tillë të skajshëm të vetë-flijimit artikulohet si një virtyt moral; madje si virtyti moral i destinuar për të fshirë të gjitha lidhjet e tjera morale. Bindja vetëmohuese e këtij virtyti moral paraqitet, sipas thënies së famshme të Weber-it, si nderi i punonjësit civil: “Nderi i punonjësit civil qëndron tek aftësia e tij për të kryer me vetëdije urdhrin e autoriteteve eprore, saktësisht sikur urdhri të ishte në pajtim me bindjet vetjake. Kjo gjë është e vërtetë edhe nëse urdhri atij i duket i gabuar edhe nëse, pavarësisht nga bjerrja e ndërgjegjes e punonjësit civil, autoriteti këmbëngul në urdhrin e dhënë”. Ky lloj i sjelljes për një punonjës civil do të thotë “disiplinë morale dhe vetëmohim në kuptimin më të lartë”. Disiplina e zëvendëson përgjegjësinë morale me nderin. Çlegjitimimi i të gjitha rregullave të tjera të sjelljes së duhur, veç atyre që burojnë nga brenda organizatës, dhe rrjedhimisht mohimi i autoritetit të ndërgjegjes vetjake kthehet në virtytin më të lartë moral. Shqetësimi që mund të shkaktojë praktikimi i këtij virtyti drejtpeshohet nga këmbëngulja e eprorit se ai dhe vetëm ai mban përgjegjësi për veprimet e vartësve të tij (sigurisht për aq kohë sa veprimet e tyre janë në pajtim me urdhrin e tij). Weber-i e plotësoi përshkrimin e nderit të punonjësit civil duke theksuar “përgjegjësinë ekskluzive vetjake” të udhëheqësit, “një përgjegjësi që nuk mund ta mohojë apo ta përcjellë diku tjetër”. Në Gjyqin e Nurembergut, kur iu kërkua që të shpjegonte se përse nuk kishte dhënë dorëheqjen nga komanda e Einsatzgruppe-it, veprimet e të cilit ai si person nuk i miratonte, Ohlendorf-i iu referua pikërisht kësaj ndjenje të përgjegjësisë: po t’i kishte dënuar veprat e njësisë së tij që të shkarkohej prej detyrave të cilat nuk i pëlqente, ai do të bënte që njerëzit e tij të “akuzoheshin padrejtësisht”. Sigurisht, Ohlendorf-i priste që e njëjta përgjegjësi paternaliste që ai zbatonte ndaj “njerëzve të tij” të praktikohej edhe nga eprorët ndaj atij vetë; kjo pritshmëri e çlironte prej shqetësimit moral për veprimet e veta – një shqetësim që ai mund t’ia linte pa u merakosur atyre që e urdhëronin. “Nuk mendoj se jam në një pozitë për të gjykuar nëse masat e marra […] ishin morale apo imorale […] ndërgjegjen time morale e dorëzoj para faktit se isha një ushtar dhe prandaj isha një ingranazh relativisht me pak peshë brenda një makinerie të madhe”.
Nëse prekja e Midas e shndërronte gjithçka në ar, administrata SS shndërronte gjithçka që ndodhej brenda orbitës së saj – përfshirë edhe viktimat – në një pjesë integrale të zinxhirit komandues, në një fushë të nënshtruar ndaj rregullave të rrepta disiplinuese dhe të çliruara prej gjykimit moral. Gjenocidi ishte një proces i përbërë: siç vërejti Hilberg-u, ai përfshinte veprime të kryera nga gjermanët dhe veprime – të urdhëruara nga gjermanët, por shpesh edhe të kryera me një përkushtim që puqej me dorëzimin e vetes – të kryera nga vetë viktimat çifute. Këtu qëndron epërsia teknike e vrasjes masive të hartuar qëllimisht dhe të organizuar në mënyrë racionale, mbi vrasjet masive nga ana e turmave të shfrenuara. Në rastin e një pogromi është i papërfytyrueshëm bashkëpunimi i viktimave me kriminelët. Bashkëpunimi i viktimave me burokratët SS ishte pjesë e projektit të Holokaustit dhe faktikisht një kusht i rëndësishëm i suksesit të tij. “Një përbërës kryesor i tërë procesit varej nga pjesëmarrja çifute – nga aktet e thjeshta të individëve deri te veprimtaria e organizuar në këshillat çifute […]. Mbikëqyrësit gjermanë u drejtoheshin këshillave çifute për informacion, para, krahë pune apo policim dhe këshillat ua ofronin këto gjëra për çdo ditë të javës”.
Ky efekt i habitshëm i shtrirjes së suksesshme të rregullave të sjelljes burokratike – i plotësuar nga delegjitimimi i besnikërive alternative dhe në përgjithësi i motiveve morale – që përfshiu edhe viktimat e burokracisë, duke shfrytëzuar në këtë mënyrë mjeshtëritë dhe punën e viktimave për zbatimin e detyrës së shkatërrimit të tyre u arrit me një rrugë të dyfishtë (sikurse ndodh në veprimtarinë rutinë të çfarëdolloj burokracie, me qëllime të mira apo të këqija qoftë). Së pari, mjedisi i jashtëm i jetës në geto u projektua në atë mënyrë që të gjitha veprimet e udhëheqësve dhe banorëve të saj të ishin objektivisht “funksionale” për synimet gjermane. “Gjithçka që ishte projektuar për të ruajtur në këmbë geton, gjithashtu përkrahte një qëllim gjerman… rendimenti i çifutëve në caktimin e hapësirës apo në shpërndarjen e racioneve ushqimore, ishte një zgjatim i rendimentit gjerman. Rigoroziteti çifut në taksime apo në shfrytëzimin e punës ishte në përfitim të ekonomisë gjermane, madje edhe pakorruptueshmëria çifute mund të shërbente si një mjet i administratës gjermane”. Së dyti, u kushtua një kujdes i veçantë që në çdo etapë të rrugës së përshkuar nga viktimat të krijohej një rrethanë zgjedhjeje, tek e cila të zbatoheshin kritere racionale të veprimit dhe tek e cila vendimi racional pajtohej me “projektin menaxherial”. “Gjermanët ia dolën me sukses shpërnguljes së çifutëve me disa etapa, sepse ata që mbeteshin mbrapa arsyetonin se ishte e nevojshme që të flijohej pakica për të shpëtuar shumicën”.
Në fakt, edhe ata që shpërnguleshin viheshin para mundësisë për të përdorur arsyen deri në fundin e tyre. Dhomat e gazit, që në mënyrë joshëse quheshin “dushe”, dukeshin si shenjë mirëseardhjeje pas kaq ditëve të kaluara në vagonë bagëtish, të mbipopulluar dhe të pisët. Ata që tashmë e dinin të vërtetën dhe nuk kishin më iluzione, gjithsesi kishin para vetes zgjedhjen midis një vdekjeje “të shpejtë dhe pa dhimbje” dhe midis vdekjes së paraprirë nga vuajtje që i rezervohej të pabindurve. Prandaj, jo vetëm organizimi i jashtëm i mjedisit të getos, mbi të cilat ata nuk kishin kontroll, ishte manipuluar për ta shndërruar geton në zgjatim të makinerisë vrastare, por gjithashtu edhe aftësitë arsyetuese të “funksionarëve” të burokracisë së saj u shfrytëzuan që ata të silleshin me besnikëri dhe të bashkëpunonin për arritjen e qëllimeve të burokracisë gjermane.
* Ekstrakt i përpunuar nga libri Moderniteti dhe Holokausti i autorit Zygmunt Bauman. Së shpejti në treg nga shtëpia botuese ‘Pika pa Sipërfaqe’.