Tim Stanley
Një nga policët e vrarë në Paris, Ahmed Merabet, mendohet të ketë qenë mysliman [tashmë është e konfirmuar] Kjo është e rëndësishme. Megjithëse Europa ka problem me terrorizmin, ajo nuk ka asnjë problem me myslimanët. Kjo është e dukshme në faktin që terrorizmi është një gjë e frikshme dhe e çuditshme për pjesën më madhe, tejet e madhe, të myslimanëve – dhe nuk duhet t’i gëlltisim pretendimet e terroristëve që gjoja ata përfaqësojnë diçka më shumë se vetja e tyre. IRA nuk foli kurrë në emër të katolikëve në tërësi.
Por ekzistenca e IRA-s vuri në dukje tensione të caktuara ekonomike dhe sociale brenda shoqërisë britanike që formuan këndvështrimin e saj për botën. Dhe ndërsa Franca nuk ka problem me islamin në kuptimin që do t’u pëlqente islamikëve ta kishte – bota islame nuk është në vigjilje të rrëzimit të rendit të saj shekullar dhe të krijojë një kalifat – Franca ka një problem me popullsinë myslimane që ushqen lëvizjen fundamentaliste. Sulmi mbi revistën satirike Charlie Hebdo është thjesht kapitulli më i fundit i një historie të gjatë dhune mes revolucionarëve myslimanë dhe shtetit francez.
Aftësia e një shoqërie për të harruar të shkuarën e saj të afërt është si amnezia që pason një aksident – mënyra e trupit për të mbrojtur veten nga trauma. Në vitet 1950 dhe 1960, ndërsa Franca përpiqej të mbronte zotërimet e saj koloniale afrikane, dhuna politike ishte shumë e shpeshtë se sot. Nacionalistët myslimanë algjerianë (feja dhe raca konsiderohen si të ndashme nga francezët) vunë bomba në Francë, u bënin atentate zyrtarëve dhe vrisnin kolonialistë në mënyrë masive. Reagimi i shtetit ishte tronditës. Më 1961, në Paris u arrestuan 12000 mijë emigrantë algjerianë dhe u mbajtën në një stadium futbolli. Shumë prej tyre u torturuan; më shumë se 100 u zhdukën. Ditë me radhë, gjendeshin duke pluskuar në Senë.
Pasi francezët u larguan nga Algjeria më 1962, pati një periudhë paqeje relative. Por Parisi shpërtheu përsëri në fillim të viteve 1980, kur kolonitë franceze në Lindjen e Mesme bënë beteja të përgjakshme në rrugët e kryeqytetit. Vetëm prej marsit deri në shtator 1982, u vranë 17 persona dhe plagosën rreth 160 në rreth 20 sulme. Ndërsa Gjermania dhe Italia i harxhuan vitet e tyre pas lufte duke u përballur me terrorin marksist, dhe Britania u përpoq të paqëtonte nacionalizmin, armiqtë e Francën ishin shpesh fantazma islamike nga e shkuara e saj koloniale.
Përshkrimi i kushteve bashkëkohore të marrëdhënieve fetare në Francë është më i ndërlikuar dhe më i hapur ndaj gjetjes së justifikimeve (pas sulmit ndaj revistës Charlie Hebdo, nuk po flasim më në mënyrë abstrakte). Lista e problemeve përfshin racizmin, varfërinë, radikalizmin, veprimet ushtarake në Mali, ndalimin e perçes. Asnjë nga këto arsye nuk justifikon rritjen e terrorizmit apo që mund ta shpjegojë atë – si mund ta shpjegojë njeriu një veprim psikopatik që vepron përtej kufijve të arsyes? Por është e pashmangshme që aspekte të kulturës franceze ta gjejnë veten konflikt të përhershëm me aspekte të kulturës islame, që krijon një tension i cili me raste shfrytëzohet nga fanatikët.
Qëndrimi i revistës Charlie Hebdo ndaj besimeve fetare na thotë diçka rreth këtyre tensioneve. Revista vjen nga një traditë e majtë, republikane, antifetare, që i shikon të gjitha besimet si të lindura nga i njëjti mosbesim për lirinë njerëzore. Prandaj, karikaturat e saj nuk ishin vetëm anti-islamike, por dhe anti-katolike, anti-çifute (është akuzuar për antisemitizëm). Sipas mendjes së Charlie Hebdo, duhet të rikthehet në shishe. Qëllimi i karikaturave të profetit Muhamed ishte që të tallej me Islamin deri sa ai të bëhej po aq “banal sa katolicizmi” – diçka që nuk ka mbrojtje të veçantë nga korrektesa politike dhe diçka që satira e ka zvogëluar aq shumë sa nuk frymëzon më ekstremizëm. Kush do ta merrte seriozisht një ideologji e zhbërë nga rrëshqitja mbi lëkurën e një bananeje?
Por sublimja nuk është kurrë argëtuese për ata që adhurojnë. Njerëz që banojnë në dy realitete të ndryshme nuk e shikojnë në të njëjtën mënyrë të njëjtin imazh. Njëri shikon një shaka, tjetri një blasfemi. Ndërsa shekullarët perëndimorë e konsiderojnë dikë që beson në diçka si një lolo, islamikët e konsiderojnë dyshimin si provokim për dhunë. Në një farë mënyre, rënia e besimit në shoqërinë evropiane dhe shekullarizimi i shpejtë i kulturës së saj e rrit – nuk e ul – mundësinë e shpërthimit të konfliktit.
Perëndimi e përballon gjakderdhjen me një paqartësi prekëse, e cila është e kuptueshme dhe historikisht e vazhdueshme. Franca ngeci në Algjeri për një kohë të gjatë sepse a) nuk mund ta kuptonte të ardhmen e saj pa një pjesë të Afrikës Veriore si pjesë të territorit të saj dhe b) nuk i besohej që [algjerianët] nuk e donin. Ajo nuk e kuptonte, kur oferta e saj për përmirësim u hodh poshtë nga njerëz që e përkufizonin lumturinë ose lirinë në mënyra të ndryshme. Asokohe francezët reaguan duke përdorur tortura barbare – të ndryshme nga ato që përdori CIA ndaj të burgosurve të kohëve të fundit. Nga frika, Franca u bë pikërisht si objekti kundër të cilit mendonte se luftonte. Humbi ndjenjën e qytetarisë. Harroi çfarë përfaqësonte.
Kjo nuk duhet të ndodhë përsëri. Do të ketë nga ata që këmbëngulin se Europa tani duhet të zgjedhë mes modernitetit dhe fesë. Zgjedhja është fals. Është e mundshme të puqen të dyja botët njëherësh edhe nëse janë në kundërshtim të fortë. Të shtysh dikë të zgjedhë mes të dyjave është sjellje diktatoriale. Dhe, nëse detyrohen të mbajnë qëndrim, në anën e sublimes do të rreshtoheshin më shumë njerëz, sesa në rast se nuk do të ngacmoheshin. Tek e fundit, si do të prezantohej apo do të zbatohej zgjedhja? Demonstratat anti-islamike në Gjermani tregojnë se aty ka një bazë elektorale që thotë se “duhet bërë diçka” në lidhje me Islamin në Europë. Mirëpo, përgjigja është, “çfarë?”. Francezët mbushën rrugët për të deklaruar mbështetjen e tyre për lirinë e fjalës: në rregull. Forcat e sigurisë pa dyshim do të shtojnë punën e tyre: në rregull. Por kalimi dramatik në autoritarizëm do të ishte përgjigje kontradiktore ndaj dhunimit të lirisë – si dhe një kontradiktë e vlerave perëndimore që, si lufta në Algjeri, vetëm sa do ta përshkallëzonte betejën. Le të vazhdojmë me dialog mes komuniteteve. Bota kurrë nuk ka pasur nevojë për më shumë konflikt.
Më shumë qytetari është pikërisht një gjë perëndimore për t’u synuar. Ne nuk flasim shpesh për bashkëjetesën e dy botëve që e bën Perëndimin vendin më të mirë në botë për të jetuar. I pari është parimi iluminist i hetimit racional dhe mendimit kundër. I dyti është parimi i krishterë i kthimit të faqes tjetër. Të dyja traditat plotësojnë njëra-tjetrën, të dyja kanë krijuar kulturën që ngre individin.
Në një farë mënyre, ne kemi fituar luftën e ideve vetëm sepse jemi të lumtur që e kemi atë pa nevojën të përdorim plumba dhe diskriminim. Epërsia e moralit të lartë nuk duhet humbur.