Cristina Maza
World Politics Review
Njëzetepesë vjet pas rënies së komunizmit dhe gati 10 vjet pas anëtarësimit në BE, Bullgaria është zaptuar nga murtaja e korrupsionit, keqpërdorimi i fondeve publike dhe abuzimi me votën thuajse në të gjitha zgjedhjet. Shumë bullgarë thonë se demokracia e vendit është përtokë. Në vitet e fundit vendi është përfshirë nga protesta të përgjithshme dhe një krizë bankare që e detyroi ish-kryeministrin e Partisë Socialiste Plamen Oresharski të jepte dorëheqjen më 2014, pak më shumë se një vit pasi kishte marrë detyrën. Bullgaria, vendi më i varfër në BE, ka tani qeverinë e pestë që nga viti 2013. Por pavarësisht ndryshimeve në udhëheqje, votuesit vazhdojnë të tregojnë apati.
Arsyeja më e fundit për t’u shqetësuar ishte një përpjekje për të kaluar reformën në drejtësi aq të nevojshme. Në fillim të dhjetorit, ministri i drejtësisë, Hristo Ivanov, dha dorëheqjen pasi Asambleja Kombëtare, parlamenti bullgar, votoi ato që ai i quajti amendamente kushtetuese të zbutura, që fillimisht ishin projektuar për të kontrolluar gjyqësorin e korruptuar dhe për të rritur transparencën. Dështimi i Asamblesë Kombëtare për të miratuar një reformë gjyqësore të fuqishme nxiti protesta të mëtejshme dhe vështirësoi marrëdhëniet mes kryeministrit konservator Moyko Borisov dhe anëtarëve të tjerë të koalicionit qeverisës.
Megjithatë, disa reforma kaluan. Gjykata e Lartë e Bullgarisë u nda në dy entitete të veçanta, një lëvizje që sipas zyrtarëve do të rrisë pavarësinë gjyqësore dhe ulë korrupsionin. Por kritikët e saj ankohen se prokurori i përgjithshëm i vendit, Sotir Cacarov vazhdon të ketë pushtet të gjerë. Reforma gjyqësore e hedhur poshtë nga Asambleja Kombëtare do të kishte pakësuar kontrollin e prokurorit mbi gjyqësorin duke rritur ndikimin e parlamentit dhe duke i lejuar ligjbërësit të emëronin gjysmën e prokurorëve dhe gjykatësve.
Ekaterina Zaharieva, ministria e re e drejtësisë në Bullgari, u betua të vazhdonte reformën në gjyqësor pavarësisht kundërshtimit në parlament. Por, ndërsa vëzhguesit thonë që reforma është kyç për të ardhmen vendit, ata e shohin me dyshim që Zaharieva të ketë sukses aty ku dështoi Ivanovi. “Në mënyrë paradoksale, të gjitha partitë parlamentare publikisht shprehen pro reformës në drejtësi, ndërsa në praktikë ato sabotuan në mënyrë kolektive projektligjin për llogaridhënie më të madhe dhe kontroll publik të zyrës së prokurorit,” thotë Stojko Stojçev, asistent profesor i shkencave politike në Universitetin e Sofjes. “Kjo tregon interesat reale dhe varësinë e tyre.”
Beteja për gjyqësorin ishte veçanërisht e diskutueshme sepse erdhi pas zgjedhjeve lokale në fund të tetorit që i bëri shumë vëzhgues të vinin në dyshim sistemin elektoral të Bullgarisë. Megjithëse votimi nuk solli ndryshime politike me rëndësi, zgjedhjet mbaruan me kundërshtime, së bashku me një referendum të gjymtuar, akuza për mashtrim, sulme kibernetike dhe një vuajtje të madhe për vëzhguesit vullnetarë që media bullgare e quajti si “krizë pengmarrjeje”.
Për shkak të një ligji të ri elektoral të miratuar nga qeveria e mëparshme, vetëm 19 vetë u punësuan për të verifikuar të gjitha votat dhe protokollet elektorale në kryeqytet, Sofje, nga 41 që ishin në zgjedhjet e mëparshme. Por vëzhguesit e pavarur nuk u lejuan të largoheshin nga qendrat sportive ku punonin derisa të numëroheshin të gjitha votat. Pasi u mbyllën në qendrat sportive për dy ditë, duke ngrënë vetëm sanduiçë dhe kafe, 12 persona u shtruan në spital dhe 119 hapën padi kundër shtetit. Madje një grua vdiq pasi mbërriti në spital.
Zgjedhjet lokale, për herë të parë që nga rënia e komunizmit, u mbajtën së bashku me një referendum kombëtar, që u kërkonte votuesve të shpreheshin në ishin pro apo kundër sistemit të votimit online. Shumë përkrahës të votimit online mbrojnë idenë që duke iu dhënë qytetarëve mundësinë të votojnë online kjo do ta bënte më të lehtë për të votuar 2 milionë bullgarët që jetojnë jashtë shtetit, shumica e të cilëve janë të rinj dhe të shkolluar.
Në një vend me rreth 7.2 milionë banorë, 2 milionë vota do të ndryshonin peizazhin politik të vendit. Mbi gjysma e popullsisë së Bullgarisë ka hyrje në internet, dhe mbështetësit e referendumit, duke lejuar këta qytetarë të votojmë nga kompjuterat e tyre, do të zgjeronin rrugët e votimit dhe do të shmanin situata si ajo në qendrat sportive. Por kundërshtarët e votimit online kundërshtuan se do të komprometohej lehtë anonimiteti i votuesit dhe hakerat mund të ndërhynin në rezultatin e zgjedhjeve.
Fushata pro votimit online treguan vullnet politik të fortë për të informuar publikun për çështjen e referendumit. Asnjë parti politike nuk bëri fushatë aktive pro apo kundër referendumit.
Por kur u hapën kutitë e votimit më 25 tetor, rreth 2.7 milionë persona votuan për referendumin, me 72 për qind pro votimit online. Pavarësisht kësaj shumice dërrmuese, sipas ligjit elektoral, rezultati i referendumit mund të bëhet menjëherë ligj vetëm nëse pjesëmarrja në referendum është e barabartë me atë të zgjedhjeve më të fundit.
Pjesëmarrja në zgjedhjet lokale ishte 53.6 për qind, por vetëm 39.6 votuan për referendumin. Megjithatë, pjesëmarrja ishte mbi pragun 20 për qind të nevojshëm për ta dërguar çështjen në Asamblenë Kombëtare, ku deputetët pritet të votojnë në fund të këtij muaji.
Në ditët pas referendumit, mediet sociale bullgare shpërthyen në akuza për abuzim. Megjithëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve urdhëroi qendrat e votimit të shpërndanin fletëvotimi për referendumin së bashku me ato për zgjedhjet lokale, shumë votues u ankuan se nuk u kishin dhënë.
Megjithatë, pjesëmarrja e ulët nuk mund t’u atribuohet vetëm parregullsive. Referendumi nuk ia doli të fitonte përkrahjen e diasporës bullgare për të cilën ai ishte planifikuar të joshte. Vetëm 27 mijë bullgarë që jetojnë jashtë votuan në referendum, një e treta e diasporës që mori pjesë në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Për t’i bërë gjërat më keq, ditën e votimeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u sulmua nga hakerat që shumë vetë pretendojnë se u bë për të sabotuar referendumin.
Plevneliev, arkitekti i referendumit dhe mbështetës i fortë i votimit online, hodhi dyshime se kundërshtarët e referendumit kishin paguar hakera për të treguar që votimi online mund të manipulohej lehtësisht nga sulmet e hakerave.
Vetëm pak orë pas mbylljes së votimit, anëtarë të opozitës nisën pretendimet se sulmi i hakerave ishte provë që votimi online do të thoshte vështirësi në zbatimin me sukses të tij për shkak të dobësive. Ende nuk është e qartë kush të fajësohet për sulmin.
Pavarësisht kush ishte përgjegjës, analistët thonë se është e dukshme që shumica e udhëheqjes bullgare dëshiron dështimin e referendumit me qëllim që të ruajë status quo-në politike.
“Duket se ky referendum kishte armiq të fortë,” thotë Georgi Gotev, një gazetar bullgar i vendosur në Bruksel, duke i bërë iso zërave të analistëve bullgarë që sulmi i hakerave u urdhërua nga zyrtarë të nivelit të lartë për të njollosur referendumin. Mbrojtësit e votimit online thonë se ata shpresojnë që deputetët të nderojnë rezultatin e referendumit kur të vijë koha për të votuar.
Por edhe nëse sistemi i ri i votimit online miratohet, shumë bullgarë janë pesimistë për drejtimin e vendit të tyre. ata thonë se sulmi kibernetik dhe parregullsitë elektorale janë provë që udhëheqësit bullgarë nuk respektojnë më procesin elektoral.
“Mund të mos kemi pasur një demokraci apo ekonomi brilante, por në vitet e para pas komunizmit kishin një sistem elektoral të mirë,” thotë Stefan Ralçev, drejtori i programeve në Institutin për Studime Rajonale dhe Ndërkombëtare, një thinj tank në Sofje. “Tani s’mund të themi as këtë.”
Cristina Maza është një gazetare e vendosur në Uashington D.C., SHBA.