Jonathan Alan King
Richard Krushnic
Le Monde diplomatique
Përfytyroni një moment një absurditet origjinal: diku në SHBA, veprimtaria shumë fitimprurëse e një grupi korporatash është bazuar në mundësinë që herët a vonë lagja juaj do të shkatërrohet dhe ju e gjithë banorët e lagjes do të shfarosen. Por jo vetëm ju dhe fqinjët tuaj, por dhe të tjerë dhe fqinjët e tyre në gjithë planetin. Çfarë do të mendonim për kompani të tilla, për projekte të tilla, për fitimet e majme që ato sigurojnë?
Në fakt, kompani të tilla ekzistojnë. Ato i shërbejnë industrisë amerikane të armëve bërthamore dhe arsenalit të gjerë të Pentagonit me armë të afta për të shkatërruar botën. Me këtë shërbim ato sigurojnë fitime të masive, bëjnë jetë rehatshme në lagjet tona, dhe luajnë një rol aktiv në politikën e Uashingtonit. Shumica e amerikanëve dinë pak ose aspak për veprimtarinë e tyre dhe mediet rrallë marrin mundimin të japin lajme për to ose fitimet e tyre, edhe pse puna që ato bëjnë është në shërbim të një të ardhmeje apokaliptike gati përtej imagjinatës.
Në debatin e kohëve të fundit në lidhje me faktin nëse marrëveshja e presidentit Obama me Iranin për armët bërthamore do ta ndalojë apo jo atë vend të ndërtojë armë bërthamore, nuk u diskutua gjëkund për arsenalin bërthamor të SHBA, edhe pse Bulletin of the Atomic Scientists vlerëson që ajo ka rreth 4700 mbushje bërthamore. Kjo përfshin një seri bombash dhe raketash tokësore e detare. Nëse, për shembull, një nëndetëse bërthamore e vetme Ohio Class – dhe marina ka 14 të tilla të pajisura me raketa bërthamore – do të lëshoheshin, secila me 12 mbushje të pavarura me objektiva të ndryshme, qytetet e mëdha të çdo vendi që ato mund të godisnin do të zhdukeshin dhe do të vdisnin miliona njerëz.
Vërtet, shpërthimi dhe zjarret pasuese do të grinin aq shumë tym e thërrmija në atmosferë saqë rezultati do të ishte një dimër bërthamor, që do të çonte në uri globale dhe vdekjen e mundshme të qindra miliona njerëzve, përfshi amerikanët (s’ka rëndësi ku shpërthejnë raketat). Dhe kjo nuk është e gjitha. Për momentin, administrata e Obamës planifikon të shpenzojë deri në një trilionë dollarë gjatë 30 viteve të ardhshëm për të modernizuar dhe avancuar forcat bërthamore amerikane.
Duke pasur parasysh që arsenali i tanishëm i SHBA përfaqëson një fuqi të jashtëzakonshme vrasëse – mund të shkatërrojë disa planetë me madhësinë e Tokës – asnjë nga këto dollarë shtesë të taksapaguesve nuk do t’u garantojë amerikanëve siguri shtesë. Për sigurinë e vendit, thuajse nuk ka fare rëndësi nëse, në dekadat e ardhshme, saktësia e raketave për të goditur në objektiv, raketa që mund të shkatërrojë krejtësisht çdo krijesë të gjallë brenda një rrezeje me shumë kilometra, do të pakësohet nga 500m në 300m. Nëse një “modernizim” i tillë nuk ka rëndësi ushtarake të madhe, pse bëhen shpenzime për armët bërthamore?
Një faktor domethënës në lidhje me botën bërthamore amerikane kalon rregullisht pa u përmendur në këtë vend: korporata që përbëjnë industrinë e armëve bërthamore. Megjithatë, presioni që ato janë gjendje të ushtrojnë në mbështetje të shpenzimeve bërthamore të shumta nënvlerësohet në mënyrë radikale në atë që kalon si “debat” për çështjen.
Privatizimi i zhvillimit të armëve bërthamore
Fillojmë me këtë fakt të thjeshtë: prodhimi, mirëmbajtja dhe modernizimi i armëve bërthamore janë burim fitimesh të stërmëdha për atë që është, në thelb, një kartel. Ato, sigurisht, nuk kanë konkurrencë për kontrata nga konkurrentë të jashtëm, duke pasur parasysh që po flasim për arsenalin bërthamor amerikan, dhe kontratat që u jepen janë të izoluara nga auditimi kritik nën petkun e sigurisë kombëtare. Për më tepër, modeli i biznesit që zbatohet është “shpenzime-plus”, që do të thotë kontraktuesit marrin një fitim të garantuar mbi shpenzimet. Me fjalë të tjera, nuk ka asnjë mundësi që kontraktuesit të humbasin para në punën e tyre, s’ka rëndësi sa eficente janë ato (shumë larg nga modeli i korporatave në tregun e lirë të prodhimit).
Këto fitime të mbrojtura mirë dhe firmat që i vlerësojnë ato janë bërë faktor kyç në promovimin e zhvillimit të armëve bërthamore, duke minuar çdo lloj përpjekje për çarmatim. Pjesë të këtij procesi duhet të jenë vërtet të njohura, përderisa janë një zgjatim i një formule klasike të Pentagonit që ekonomisti industrial i Universiteit të Kolumbias e ka përshkruar si formula që fatkeqësisht prodhon çekiçë me vlerë 436 dollarë dhe bërës kafeje me vlerë 6322 dollarë.
Duke pasur parasysh procesin dhe fitimet, kontraktuesit e armëve kanë punuar që të garantojnë se publiku amerikan të ketë një vetëdije të lartë rreziku dhe pasigurie (edhe pse vetë ata janë burim kryesor i një rreziku dhe pasigurie të tillë). Kohët e fundit, Fushata Ndërkombëtare për Shkatërrimin e Armëve Bërthamore (ICAN) nxori një raport goditës që dokumentonte korporatat kontraktuese të mëdha dhe investitorët që do të merrnin super-fitimet nga modernizimi i ardhshëm i armëve bërthamore.
Duke pasur parasysh dritëhijet e sigurisë kombëtare që mbështjell programet e armëve bërthamore të vendit, kontrollet e vërteta të kontratave të këtyre kompanive nuk janë të hapura për publikun. Megjithatë, të paktën korporatat e mëdha që përfitojnë nga kontratat e armëve bërthamore mund të identifikohen tashmë. Në këtë fushë të sistemit të shpërndarjes bërthamore – bombardues, raketa dhe nëndetëse – përfshihen një radhë korporatash të njohura: Boeing, Northrop Grumman, General Dynamics, GenCorp Aerojet, Huntington Ingalls, dhe Lockheed Martin. Në fusha si projektimi dhe prodhimi bërthamor, emrat në krye të listës janë më pak të njohur: Babcock & Wilcox, Bechtel, Honeywell International, dhe URS Corporation. Në fushën e testimit dhe mirëmbajtjes së armëve bërthamore përfshihen emra si Aecom, Flour, Jacobs Engineering, and SAIC; firmat e shënjimit dhe orientimit të raketave përfshijnë Alliant Techsystems dhe Rockwell Collins.
Të japim një shembull të kontratave: në 2014, Babcock & Wilcox mori 76.8 milionë dollarë për punë në përmirësimin e nëndetëseve të Ohio Class. Në janar 2013, General Dynamics Electric Boat Division iu dha një kontratë 4.6 miliardë dollarë për të projektuar dhe zhvilluar brezin e ri nëndetëseve strategjike.
Shumë amerikanë nuk e dinë që përgjegjësinë për zhvillimin, prodhimin, dhe mirëmbajtjen e armëve bërthamore, nuk e ka Pentagoni [ministria e mbrojtjes], por Departamenti i Energjisë (DOE) [min. e energjisë], e cila shpenzon më shumë për armët bërthamore sesa në zhvillimin e burimeve të qëndrueshme të energjisë. Kyç për projektet bërthamore të DOE janë laboratorët federalë ku projektohen, ndërtohen dhe testohen, armët bërthamore. Këto përfshijnë Sandia National Laboratory në Albuquerque, Nju Meksiko, Los Alamos National Laboratory (LANL) në Los Alamos, Nju Meksiko, dhe Lawrence Livermore National Laboratories në Livermore, Kaliforni.
Veç kontraktuesve kryesorë të armëve bërthamore, ka me qindra nënkontraktues, disa prej të cilëve kanë të bazuar te këto kontrata pjesën më të madhe të punës së tyre. Secili prej tyre mund të ketë nga 100 në disa qindra punëtorë që punojnë për një pjesë të veçantë apo sistem, dhe me ndikimin në shoqëritë lokale, ata ndihmojnë në nxitjen e modernizimit të programeve bërthamore nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në kongres.
Dollarët federalë të harxhuar për mirëmbajtjen dhe zhvillimin e armëve bërthamore janë një përbërës i rëndësishëm i buxhetit federal. Megjithëse është e vështirë të përcaktohet me saktësi, shuma arrin në qindra miliarda dollarë. Më 2005, Government Accountability Office raportoi që as Pentagoni nuk kishte shifra të sakta në lidhje me shpenzimet e misionit bërthamor, dhe nuk ka një buxhet të përcaktuar për armët bërthamore që mund të vlerësohej. Duke analizuar buxhetin e Pentagonit dhe të Administratës për Siguri Kombëtare Bërthamore e Departamentit të Energjisë, si dhe informacionin e dalë nga dëshmi të dhëna në Kongres, Qendra e Studimeve të Mosprodhimit [të armëve] sugjeron që nga 2010-2012, SHBA do të harxhojë të paktën 179 miliardë dollarë për të mirëmbajtur të raketat, bombarduesit dhe nëndetëset e tanishme, së bashku me armët e tjera bërthamore, ndërkohë që do të nisë procesin e zhvillimit të armëve të brezit tjetër. Zyra e Buxhetit të Kongresit projekton një kosto të forcave bërthamore për 2015-2024 në 348 miliardë dollarë, ose 35 miliardë në vit, prej të cilave Pentagoni do të shpenzojë 227 miliardë dhe Departamenti i Energjisë 121 miliardë.
Në fakt, çmimi për mirëmbajtjen dhe zhvillimin e arsenalit bërthamor është faktikisht shumë më i madh se këto vlerësime. Këto vlerësime janë kostot e drejtpërdrejta, por aty nuk përfshihen shpenzime të tjera, si për shembull procesin e decommissioning, dhe çështjet e shkatërrimit të mbetjet nukleare dhe armët “në pension”. Aty nuk përfshihen as shpenzimet për pensionet dhe kujdesin shëndetësor që shkojnë për operatorët njerëzorë të tyre.
Në 2012, një raport i një komisioni të nivelit të lartë arriti në përfundimin që “nuk ka pasur argumente të besueshme të sjella për përdorimin e armëve bërthamore për të zgjidhur ndonjë nga problemet madhore të shekullit 21 me të cilat përballemi nga kërcënimet që paraqesin shtete armiqësore, shtete të dështuara, konflikte rajonale, terrorizmi, lufta kibernetike, krimi i organizuar, trafikimi i drogës, konflikte të nxitura nga emigracioni masiv, epidemitë ose ndryshimet klimaterike. Në fakt, armët bërthamore në përgjithësi janë më shumë pjesë e një problemi sesa të ndonjë zgjidhjeje.”
Nuk është e habitshme, për pjesën më të madhe të korporatave të përfshira në programet bërthamore të SHBA, kjo ka pak rëndësi. Ato kryejnë lobing të vazhdueshëm në mbështetje të vazhdimit të kontratave të tyre për armët bërthamore. Në 2012, sipas Qendrës për Politikë Ndërkombëtare, për zgjedhjet e atij viti, 14 kontraktuesit kryesorë dhanë rreth 3 milionë dollarë direkt për legjislatorë kongresistë. Dhe nuk është e habitshme, që gjysma e shumës shkoi për katër anëtarë të rëndësishëm të komisioneve dhe n/komisioneve që vëzhgojnë shpenzimet për armët bërthamore.
Më 2015, industria e mbrojtjes mobilizoi një ushtri të vogël prej të paktën 718 lobistësh dhe derdhën më shumë 67 milionë dollarë për t’i bërë presion kongresit për rritjen e shpenzimeve të armëve në përgjithësi. Mes kontribuuesve më të mëdhenj ishin korporatat me kontrata të rëndësishme për armët bërthamore.
Presioni i vazhdueshëm i kongresistëve republikanë për shkurtime në programe të brendshme sociale janë një mekanizëm kyç për garantimin që dollarët e taksave federale të jenë të lirë për kontratat e majme ushtarake.
Ndryshe nga gjithë lobet e korporatave, lobi i armëve bërthamore (dhe po kështu dollarët e taksave tuaja) vendosin në rrezik shfarosjeje të shpejtë jetën në Tokë, ose duke me anë të një holokausti bërthamore direkt, ose nëpërmjet m pakësimin e dritës së diellit që mbërrin në Tokë, gjë që do të ndodhë nga dimri bërthamor që duket shumë i mundshëm të ndodhë pas çdo shkëmbi bërthamor. Për momentin, kompleksi bërthamor i korporatave është fshehur në mesin tonë, buxheti dhe fondet e tij janë mbyllur për hetimin publik, projekti i tij thuajse nuk vihet re. Kjo është një formulë për shkatërrim.