Në traditën tonë jo fort të mirë ne i kapërcejmë me hapa harbutë përgjegjësitë ndaj shoqërisë. Po ashtu është në natyrën e secilit nga tre milion e kusur banorë që mban ky vend, të kapardisemi e të duam të dukemi më shumë seç jemi, duke mos e njohur ndërkohë veten për hipokritë. Kam dëgjuar të thuhet se kjo lloj shfaqjeje është tipike ballkanase. Këtë nuk e di. Më duhet të kujtoj diçka nga Rusoi dhe “Detyrimi i njerëzve për të qenë të lirë”… Njeriu ka lindur i lirë, por kudo është i lidhur me pranga… Ku presupozohet se qëndrojnë këto pranga?Që në vendosjen e marrëveshjes ose marrëdhënies ose rregullatorit ligjor. Që në momentin e parë kur u mendua të vihet drejtësi e kjo drejtësi të zbatohet e të ujdiset në bazë të rregullave.
Në këtë pikë pra njeriut iu vunë prangat. Brenda këtyre prangave tashmë atij i duhet të luajë një rol të vështirë siç është ai i popullit, “Sovranit”. Burimet në dispozicion të zbatueshmërisë me rigorozitet të drejtësisë ashtu siç është shkruar janë të pakta. Vullneti për t’iu përmbajtur kësaj drejtësie, këtij rregulli, është shumë i kufizuar. Konceptualisht jemi të barabartë me ç’do popull tjetër në botën e lirë dhe po me të njëjtën liri mund të zgjedhim fatin tonë. Të ndërtojmë jetën subjektivisht dhe objektivisht, siç e duam vetë. Por “Rregulli” është forca që ne nuk kemi, nuk e kemi dhe pikë. Për më tepër nuk e konceptojmë të nevojshëm.
Dëgjoj lartë e poshtë se në Shqipëri jetohet, bëhet pallë. Në botë, njerëzia punojnë nga dymbëdhjetë orë e nga gjashtëmbëdhjetë orë në ditë, nuk kanë pra kohë për veten. Kurse këtu është ndryshe, këtu edhe punën e bën, me intermexo kafenesh edhe qejfin nuk e bënë qeder. Por pse kështu? Kaq vaj i paskemi punët ne? Asgjë nuk është vaj, nuk ka qenë ndonjëherë, vetëm shpresojmë se një ditë mund të jetë. Të vendosur mes pozitës politike dhe asaj sociale, mes detyrës dhe interesit, këta miqtë tanë me një karrige të vogël, e kanë anuar detyrën, për ta palosur në shërbim të interesit.
Unë shoh sot më shumë njerëz të kollarisur se më parë. Imazhi i cilësisë, është klas. Por mendoj se cilësia e brendshme është një detyrë objektive. Normalisht, detyrë më e ngutshme se imazhi i cilësisë. Por ndërkohë ç’bëhet me Sovranin? Ai shikon gjithë këto kravata vërdallë, gjithë këto gojë pa frerë, gjithë ato duar të zgjatura mençurisht drejt një të mire të pambrojtur, pronës publike. Që nuk i takon atij që e administron, pra ai që e administron është thjesht përgjegjës, për atë ç’ka bëhet me këtë të mirë të përbashkët. Nuk është pronari i saj. Por në sytë e popullit, ai i tillë po shndërrohet. Dhe populli, siç thuhet rëndomë, popull mbetet. Del me disa sloganë të mençura si për shembull “Lekët e shtetit si ujët e detit”.
Nëse realiteti është disi i veçantë, frymëzon mendje, që të pjellin sa më shumë store, për të mos plasur nga marazi i pamundësisë për të ndryshuar me të vërtetë diçka. Në SHBA, klasa punëtore ka një slogan mjeshtëror: “Best man for the job”. Ku gjendet e gjithë kjo drejtësi poetike amerikane, në vendin tonë? Është e paleverdishme, e padëshirueshme dhe deri diku utopike dhe e rrezikshme. Ç’do bëhej me bijtë e bijat e etërve, me gratë e burrave, me nipërit e mbesat e gjyshërve, me motrat e vëllezërve e plot të tjerë. Ç’do të bëhej më birin tim hipotetik, nëse unë nuk do t’i siguroja një punë, atëherë kur mundesha. Në realitetin e sotëm që të jep shumë pasoja qoftë edhe për një shkak të vetëm, im bir do të kërkonte punë, jashtë zanatit të vet, jashtë suazës së ndikimit tim. Dinastia do të thyej.
Unë e ndjej masivisht këtë pengesë në aktualizimin progresiv te individit. E shoh, e vuaj. Nuk është kapitalizmi i egër, është disponueshmëria origjinale, për të qenë individi i egër, i paepur, i paskrupullt, shfrytëzues. Si shtyhen njerëzia të jenë të tillë? Duke i mbishkolluar fiktivisht e jo vetëm. Duke i kualifikuar përtej ç’do norme dhe niveli kulturor të pranueshëm. Duke i dhënë shembuj abuzimi, hajdutërie, prostituimi shumëplanësh. Pse? Për arsyen e vetme sepse dikush vendosi të ngrejë një universitet privat, edhe dikush tjetër po ashtu, edhe një tjetër më vonë e kështu me radhë. Por jo në shërbim ekskluziv të dijes. Dhe universitetet private kryesisht, janë bërë mënyra më naive dhe halabake, për të hedhur poshtë shkencën, e për të brohoritur origjinën e të gjitha detyrave të kursit dhe provimeve voluminoze. Internetin. Inteligjencën artificiale. Që nuk është ndërtuar për njeriun, por për makinerinë.
Askush nuk dëshiron të punojë marangoz, edhe pse aty mund të përfundojë. Askush nuk pretendon të bëhet bojaxhi, hidraulik, kasap, tregtar, minator, kamerier, elektricist, roje, polic, zjarrfikës etj. Por aty do të duhet të përfundojnë, sepse Shqipëria nuk ka vende pune vetëm për doktorë, avokatë, ekonomistë, inxhinierë, arkitektë, gazetarë, aktorë, këngëtarë, muzikantë e të tjerë. Duhet kualifikim i veçantë edhe për këto punët e “rëndomta”, por mungon. Dhe ne marshojmë për në Europë, të shkolluar keq, e ndaj nuk e dimë nëse do mbërrijmë ndonjëherë. Për brezat e së ardhmes, po shembet keq racionaliteti. Dikush ka më shumë dikush më pak, dikush aspak, por të gjithë të kapardisur njësoj. A është kjo Europa, apo utopia e idesë dhe e madhështisë së emrit. Na duhet kjo? Në këtë formë jo.
Si rregull i pranuar në heshtje, punohet për të jetuar, e jo e kundërta, është e vërtetë. Por punohet edhe për një tjetër cilësi që duhet mësuar që e kemi gjenetikisht të trashëguar. Duhet punuar për të realizuar veten. Unë brohoras me zemër e ndihem i nderuar për ata që i kanë dhënë nder këtij vendi. I kanë dhënë zë që të dëgjojë bota mbarë. Por janë aq pak. Ndaj emri i Shqipërisë është ende i njollosur, e diku ndoshta i ndotur.
Ne punojmë për vendin tonë, për kombin tonë për më saktë. Për të gjitha masat shqipfolëse e shqiplexuese. Duke filluar nga një emigrant që lufton veten, për të mos e lënë atë të varfër, që niset kuturu për në Angli ndoshta apo gjetkë, dhe brenda një gjenerate lulëzon, prosperon, funksionon, i lë bijtë të shkolluar e të edukuar, pa e harruar fjalën shqip… E deri tek ai studenti që shkëlqen në perëndim dhe na nderon të gjithë, sepse i tregon shokëve e miqve të vetë europian se ka edhe kështu.
Jo vetëm këta, por të gjithë ata që nuk dorëzohen, për veten e tyre në radhë të parë, durojnë dhe kalisin ndershmërinë. Sakrifikojnë për një ideal të pamenduar e të pathënë, por të brumosur për së mbari, janë pasqyra e lëndës së vendit tonë, shembulli ynë për t’u ndjekur. Nuk janë shembull ata që zhvatin shkrepat e rivierës tonë për të ndërtuar lokale e hotele. Nuk janë shembull ata që vënë gardhe e mure të larta. Ata që zaptojnë rrugë e trotuare. Ata që rrijnë kot dhe i japin frymë gojëve që llomotisin deri në vetmërzitje. Nuk janë shembull ata që kënaqen me një “bereqaves”. Edhe ata që të vënë prangat e rregullit të Rusoit nuk janë shembull. Shembull janë ata njerëz, që jetojnë më së miri, me kapacitet të plotë mendor dhe shpirtëror, me ndershmëri e humanizëm të palëkundur. Vetëm këtyre u humbasin prangat nga sytë, e nuk i ndjejnë më si pranga, por si privilegje që një Europë e tërë jep që secili nga ne të dalë jo vetëm nga kufijtë imediatë, por nga kufijtë abstraktë që ngushtojnë vetëdijen dhe përgjegjshmërinë tonë. Të jetuarit si europianë na bën të tillë, asgjë më shumë.
Arsyeja s’duhet të bjerë kurrë, ndaj dhe ekziston Bashkimi Europian. Për të pasur një pikë referimi, që e ardhmja të jetë konkrete jo slogan. Duket sikur erdha symbyllazi deri ne këtë pikë të shkrimit, por ndërgjeshmërisht përmenda pa i ndarë në pika të veçanta, fjalët Rregull, Imazh cilësor tek cilësia e vërtetë, Shembull funksional, Pika referimi, Jo më dinasti, Shkollim. Edukim i jetës, i syve, duarve, gojëve. Edukim i vetëdijes shpirtërore.