Vetëvarja e një qytetari në burgun e Rrogozhinës është një tragjedi rrënqethëse që të revolton. Ajo shfaq në mënyrën më të drejtpërdrejtë vlerën që ka jeta e qytetarit, secilit prej nesh, në një vend si ky, të sunduar nga cinizmi dhe arroganca. Epilogu i tij tragjik është dëshmia më e trishtë e faktit që ky shtet është një njerkë e keqe për qytetarët e vet, aq sa i degdis në skajet e mbijetesës, në qelitë e burgjeve, në batakun e humbjes së dinjitetit. Qamil Zela është sot viktimë e këtij përçudnimi të një shteti që, hapur e ditën për diell, ekspozon brutalitetin e vet më të shëmtuar, duke shantazhuar qytetarët e vet.
Jeta e këtij njeriu u shua në mënyrën më të trishtë, vetëm për 3500 lekë të papaguara për energjinë elektrike. Policia thotë se, përveç këtyre parave, i ndjeri vidhte energjinë, duke lidhur linjën e banesës së tij me një fast-food dhe një sallë interneti, që ai i kish hapur prej pak muajsh. Por gazeta Reporter sqaron se kjo lidhje e jashtëligjshme nuk ka pasur qëllim përfitimi kundrejt shtetit. Sipas llogarive të faturave rezulton se çmimi i paguar i energjisë ka qenë më i shtrenjtë se ai që do të paguhej, nëse i ndjeri do të kish hapur një kontratë më vete, për biznesin e sapo filluar.
Sido që të jetë, shteti është sjellë me të ashtu si me shumë të tjerë tashmë, në mënyrën më harbute. Një seri shkeljesh janë lëshuar me breshëri kundër tij. Mënyra e arrestimit, mosrespektimi i afateve, procedurave dhe vetë ligjit janë alarmuese. Arrestimi është bërë në mënyrë të pajustifikueshme. Edhe në qoftë fajtor, i pandehuri nuk ka përse të shkojë në burg pa u zhvilluar gjyqi, për sa kohë ai nuk përbën kërcënim për shoqërinë apo për provat e veprës penale të konsumuar. Nga ana tjetër, familjarët thonë se prisnin që Zela të dilnte nga burgu (ku u mbajt padrejtësisht prej dy muajsh) në datën 23 dhe se ata nuk janë vënë në dijeni të arsyes së mbajtjes së tij. Ndërkohë të gjithë e dinin se i ndjeri vuante nga një gjendje depresive për shkak të burgut dhe përsëri askush nuk mori në konsideratë këtë. Duket se hallkat e këtij zinxhiri padrejtësie kanë funksionuar në harmoni të plotë kundër tij.
E gjithë kjo të injdinjon pa masë. Ky shtet nuk heziton, në mënyrën më të papërgjegjshme, të shkelë ligjet, vetëm që të burgosi njerëz të pafajshëm, teksa mban në detyrë deputetë me precendentë penal, të akuzuar e dënuar si trafikantë. Ky shtet, që ngroh me të mirat e pushtetit kriminelët, shkarkon nga ana tjetër tërë forcën e tij kundër qytetarëve të thjeshtë e të pambrojtur, duke nëpërkëmbur edhe ligjin në emër të ligjit. Ndërkohë, ai nuk ngurron të na shesë cinizmin e vet të shëmtuar duke marrë poza puritanizmi në luftën e vet me çikërrimat, me të cilat të përvuajturit e kësaj shoqërie mbajnë frymën gjallë. Kjo është, pak të thuash, poshtërsi!