Nëse axhenda e ISIS-it duket një marrëzi e paimagjinueshme për çdo mendje normale, në planin mediatik kjo organizatë tregohet një profesioniste e vërtetë. Ekzekutimet televizive me prerje kokash në shkretëtirë, arrijnë ta përcjellin në mënyrë hollivudiane qëllimin e kërkuar: terrorin. Peizazhi uniform i një terreni shkretinor përflakur nga drita e florinjtë e një perëndimdielli, me një sfond fonetik të një ere që fërshëllen mbi mikrofona, uniformat shik të xhelatit dhe viktimës, fjalimet e artikuluara dhe interpretuara me mjeshtëri, planet e imazheve të inkuadruara nga kamera me profesionalizëm, dhe i gjithë procesioni ceremonial, tregojnë për aftësi mahnitëse në fushën e komunikimit dhe medias.
Nuk është hera e parë që shohim të shfaqet paradoksi i atashimit të aftësisë teknologjike dhe njohjes së mirë të arritjeve moderne me një ideologji që duket kaq barbare. Alkaeda ishte shembulli tipik i kësaj shartese, teksa në 11 shtator 2011 demonstroi aftësinë e saj, jo vetëm për të thyer barrierat e sigurisë në aeroporte, por edhe për të pilotuar në mënyrë mjeshtërore avionë pasagjerësh. Jo vetëm kaq, por edhe përcaktimi i objektit të planifikuar për t’u goditur tregon se organizatorët e kanë njohur mirë jetën perëndimore, duke shenjestruar saktësisht ato objekte, të cilët bartin edhe simbolikën e duhur për t’i dhënë sulmit efektin mediatik të kërkuar. Ajo arriti të habisë opinionin duke treguar sesa pranë dhe larg modernitetit mund të jenë grupe të tillë që predikojnë përmbysjen e mbarë botës.
ISIS e ka çuar edhe më larg çudinë. Ai po përpiqet të ofrojë një pamje të re të profilit të luftëtarit antiperëndimor, duke promovuar profilin e xhihadit të bardhë, që buron nga vetë perëndimi kundër perëndimit. Ai ekspozon xhelatë europianë, ish-repistë të penduar, njerëz që kanë ditur të jenë dikur të integruar në zemrën e kulturës së konsumit, duke ekzekutuar gazetarë e pengje të racës dhe kulturës së tyre. Në mënyrë paradoksale, grupi më i mediatizuar i luftëtarëve të kësaj kauze quhet The Beatles, ndërsa pjestarët e tij vetëquhen me emrat e yjeve që revolucionarizuan muzikën moderne në Europë: John, Paul, George dhe Ringo. Kjo është shfaqja më domethënëse e këtij dimensioni inovativ të terrorizmit botëror, të përfaqësuar nga ISIS, i cili në fakt përbën një teatër absurd dhe po aq edhe makabër.
Një star i terrorit
Çdokush prej nesh i ka të freskëta pamjet fotografike të ekzekutimit me prerje koke, të ofruara prej një djali nga Kosova, të quajtur Lavdrim Muhaxheri, i shndërruar shumë shpejt në një personazh magnetizues për mediat shqiptare. Nëpërmjet mjeteve të tilla, ai ka arritur të tërheqë vëmendjen duke u shndërruar shumë shpejt në një nga njerëzit më të përfolur në shtyp, blogje e rrjete sociale. Ndonëse famëkeq, duket se ai ia ka dalë mbanë asaj që kërkon: ta bëjë opinionin të flasë për të. Ka një sërë mediash, sidomos në Kosovë, të cilat paraqesin në hapësirën e tyre çdo status të hedhur në facebook nga cilido profil që mban emrin e tij, qoftë ky edhe profil i rremë. Çdo fjalë dhe çdo veprim i tij, është tashmë lajm. Nga ky aspekt, mediat i kanë ofruar atij infrastrukturën e nevojshme për të komunikuar me targetin shoqëror që ai synon.
Në shoqëritë e sotme ku çdo produkt, qoftë edhe ideologjik, duhet marketizuar, Muhaxheri bëhet paradoksalisht i suksesshëm. Ai ka arritur të bëhet pak a shumë një Bin Laden i botës shqiptare duke oportunizuar më së miri dhunën dhe radikalizmin, në funksion të asaj çfarë organizata dhe kauza ku ai bën pjesë, kërkon të krijojë. Kujtojmë që lideri i Al Kaedas, qendroi për shumë kohë në krye të listës së njerëzve më të famshëm të globit, fill pas 11 shtatorit. Muhaxheri ka arritur të jetë për shumë kohë në top-listën e personazheve më të përfolur në vend.
Akoma më paradoksale është se, ndonëse çdokush mund të thotë se fama e tij është negative, në fakt, jemi ne që, duke shkatërruar çdo sistem vlerash, kemi zhvlerësuar mundësinë e ndëshkimit moral për raste si këta. Në shoqëritë e sotme, shoqëritë e spektaklit, vlerat kanë humbur peshën dhe vëmendja mediatike shndërrohet në një vlerë në vetvete, përtej të mirës dhe të keqes. Me të njëjtën logjikë funksionojnë edhe yjet hollivudianë, të cilët shpikin lloj-lloj trillesh, veshjesh, sjelljesh, manierash, vetëm e vetëm që të bien në sy, në pavarësi nga vlera e asaj që bëjnë. Në logjikën e tyre, nuk ka rëndësi sa idiote dhe pa kuptim është ajo që bëjnë, rëndësi ka që mediat të flasin për ta. Po kështu, kemi shumë emisione televizive që justifikohen me audiencën për banalitetet që i ofrojnë publikut.
Në të njëjtën mënyrë, Muhaxheri përfiton prej mediave vëmendjen, teksa sistemin e vlerave e ka autoreferencial. Ai e ka marketizuar më së miri dhunën njësoj si, bie fjala, Tuna “zogun” e saj mediatik, më të famshëm se vetë këngëtarja. Gjithçka që autori kërkon, është që efekti i dhunës së tij të shpërndahet në sa më shumë sy e veshë, duke tronditur sa më shumë njerëz. Nëse ajo nuk filmohet e nuk shpërndahet, ajo nuk ka asnjë vlerë për ta. Ajo nuk ka fuqinë t’i faktorizojë këta grupe jashtë mediave. Përtej urrejtjes së përftuar tek audienca e gjerë, ata ia dalin mbanë në këtë mënyrë të përçojnë mesazhet e tyre tek publiku i synuar, duke arritur të shkojnë tek kategoria e njerëzve të mundshëm për t’u rekrutuar prej tyre.
Shfaqja e fundit e tij, me kokën e një njeriu në duar, ishte akti më makabër i një spektakli monstruoz që ushqeu për ditë me rradhë sadomazokizmin e publikut. Çmenduria e tij këtë rradhë i kaloi të gjitha limitet, jo thjesht me monstruozitetin aktit të prerjes së një koke njerëzore, por më shumë me epshin e eskpozimit përpara fotokameras dhe publikimit në sytë e gjithë botës. Ideja për të pozuar me gjak e koka njerëzish, për ti shpërndarë imazhe të tilla nëpër rrjetet sociale, është një perversion që tejkalon edhe aktin e ekzekutimit.
Por problemi nuk mbaron këtu. Tangoja luhet dyshe dhe kërkon përballë një publik po kaq të rrëmbyer nga epshi i soditjes së gjakut, që i përgjigjet më së miri perversionit duke e shumëfishuar spektaklin e horrorit në qindra mijëra kopje nëpërmjet mediave, forumeve, rrjeteve sociale. Gjuha e reagimit duket sikur ushqehet nga soditja: një sy që nuk ngopet së shikuari duke shumëfishuar indinjatën me një zemër që natyrshëm nuk ngopet së urryeri. Një subjekt i përkryer për të ilustruar filmat e Oliver Stone, bie fjala, një “Natural born killers” ku dhuna i përgjigjet thanatosit duke u shndërruar në mjet komunikimi midis publikut dhe protagonistit.
Filmi paraqet më së miri nevojën që publiku, shoqëria e robëruar nga media dhe vaniteti i jetës moderne, ushqen për këtë lloj shfaqjeje. Brutaliteti i protagonistëve në spektaklin e dhunës që ofrojnë, i bën ata të adhuruar, i shndërron në modele. Çmenduria shkon deri aty sa turma adoleshentësh mblidhen në sheshe e brohorasin: Më vrit Miki! Filmi kërkon të evidentojë brishtësinë e shoqërisë sonë përballë dhunës, dhe prirjen e saj për t’u sugjestionuar nga makabriteti. Pak ngacmim i jashtëm provokon shpërthimin e valvolave të të pandërgjegjshmes shoqërore, në një histeri masive.
Në fakt, autorë të shumtë, përfshi këtu Oliver Roy apo Tim Winter e të tjerë, evidentojnë se terrorizmi është një dukuri moderne, e panjohur në traditë. Roy e shikon këtë tek gjuha dhe shqetësimet e globalizuara të organizatave terroriste siç është edhe Al Kaeda, të cilat, ndonëse jetojnë në qoshe të humbura të botës, flasin, ëndërrojnë dhe luftojnë për një shtet global të modeluar sipas ideologjisë së tyre. Winter e shikon terrorizmin si diçka që lidhet me mënyrën sesi jeta moderne fabrikon mendjen dhe qasjen tonë mbi botën, e cila shpie drejt totalitarizmit, të shfaqur në formën e vet më brutale gjatë Luftës së Dytë Botërore, jo vetëm në kampin nazist, por edhe tek aleatët. Mc-Xhihad, e quan Winter, këtë fenomen, të cilin e shesh si shfaqje të globalizimit të ideologjisë islamiste, të kultivuar në dukje si antagonizëm ndaj perëndimit, por që në të vërtetë, nuk është gjë tjetër, vetëm se antagonizëm i globalizuar kundër globalizmit.
Në fakt, shoqëritë moderne janë në vetvete të dhunshme dhe agresive. Ato prodhojnë polarizim të shoqërive duke krijuar një klimë konfliktuale permanente, e cila, kërkon angazhim të aktorëve socialë për të mos e lënë të ekstremizohet.
Raporti i shoqërive moderne me dhunën është gati-gati primordial. Autorë të shumtë kanë folur për kriminalitetin si efekt i prodhuar nga teknologjizimi dhe burokratizimi i vrasjes. Distanca që ekziston sot midis vrasësit dhe viktimës, e mundësuar nga teknologjia, prodhon vrasës me ndërgjegje të qetë, të cilët nuk e përjetojnë dramën e viktimës. Eric Fromm e ka përshkruar në mënyrë të saktë distancën midis punëtorit dhe inxhinierit në makinerinë e vrasjes nga produkti, të cilin ata thuajse nuk e shohin, ose edhe nëse e shohin, nuk ndjehen përgjegjës për të.
Kamyja shkon edhe më tej, duke e parë lidhjen midis krimit dhe botës modrne si diçka të qenësishme. Ai e quan epokën e sotme “epokë e krimit të përsosur”. Ai ndan dy lloj krimesh: krime nga pasioni dhe krime nga arsyeja. Ajo që bën epoka moderne, sipas tij, është përhapja e krimit që vjen nga arsyeja. Kjo mund të thuhet se përbën edhe veçantinë e epokës moderne, e cila ka bërë të mundur racionalizimin e dhunës. Mund të themi se krimet që vijnë për shkaqe ideologjike arrijnë të prodhojnë vrasës të devotshëm, të cilët mund ta legjitimojnë më së miri aktin e tyre, duke ruajtur njëkohësisht ndërgjegjen. Kjo mund të ndodhë vetëm në një epokë ku, siç shprehet Kamyja,“arsyeja ka përparësi, mbi skrupujt”. Sipas tij vetë absurdi çon tek vrasja, pasi absurdi sjell nihilizmin, zhveshjen prej vleres, ku e mira dhe e keqja humbasin drejtpeshimin. Atëherë gjithçka është më e lehtë për krimin.
Urrejtja e ëmbël
Natyrisht, akte të tilla si ai i vrasjeve në Paris, apo ato të ekzekutimeve të ISIS-it janë të neveritshëm dhe indinjues, por në thelb kjo indinjatë nuk rëndon aspak mbi autorët. Arroganca e vrasësit, në këtë rast e kërkon me ngulm urrejtjen e spektatorit. Ai tallet me urrejtjen e tyre dhe dehet nga intensifikimi i saj. Ai arrin të kalërojë urrejtjen për t’u ndarë me një kërcim galopant nga hiçi i botës së tij e për t’u hedhur në zemër të vëmendjes së publikut, aty ku ai mund të ndjehet i rëndësishëm qoftë edhe duke u urryer. Njësoj si Merso tek “I huaji”, i cili, i dënuar me vdekje, shpresonte që ditën e ekzekutimit të kishte sa më shumë njerëz për ta pritur me britma urrejtjeje, terroristi ushtron arrogancën e vet si një revoltë ndaj një bote, me të cilën e lidh urrejtja. Publiku, nga ana e tij, i dashuruar me urrejtjen, ia ofron plot bujë këtë kënaqësi.
Vetë kauza e tyre e kërkon dhunën si të vetmin mjet për ta bërë zërin e tyre të dëgjohet. Përftimi i urrejtjes tek njerëzit është, jo vetëm kostoja e të qenit në vëmendje, por edhe hakmarrja e tyre për botën që nuk i ka përfillur kurrë. Vetë komizmi tragjik i asaj estrade të krijuar në Siri dhe Irak, që ata e quajnë shtet, e madje edhe kalifat, është shpërfaqje e këtij dëshpërimi psiko-social, e kësaj çoroditjeje mentale të të jetuarit mes hiçit lokal dhe ëndërrave globale.
Në fakt, terroristët nuk janë specie që vijnë nga planete të tjerë. Ata janë produkt i një mjedisi të kontaminuar nga paradokse të jashtëzakonshme ku ne jetojmë çdo ditë. Ata janë produkt i shoqërisë së çekuilibruar që ne kemi prodhuar dhe pasioni me të cilin mediatizojmë psikopatinë e tij, flet gjithashtu për një çoroditje tonën. Duke parë gjuhën me të cilën përcillen këto ngjarje, prirjen e shumë komentuesve në blogje e facebook, e për më tepër, edhe të shumë opinionistëve në gazeta, të cilët mundohen ta zgjerojnë gamën e “hakmarrjes” tek njerëzit rreth e rrotull, mund të themi se shumë prej nesh, pak gjë i ndan me ta.
Nga e gjithë kjo histori kuptojmë se në fakt jemi ne që, gjithashtu kemi nevojë për ta si një objekt ku të shkarkojmë nevojën tonë për të urryer. Epshi i dhunës brenda nesh ngre krye herë pas here, përtej koracës së nënvetëdijes sonë shoqërore, duke shpërthyer në valvola të tilla si këto që na ofrohen falë ISIS-it. Por sidoqoftë, këto janë shenja për të kuptuar se shëndeti ynë psiko-social është i ekspozuar ndaj çrregullimeve të cilat, nëse nuk bëhen objekt reflektimi e kurimi, mund të sjellin dëme të pariparueshme.