Ky vendi ynë i vogël, me fare pak banorë e rrjedhimisht me fare pak mendësi aktive, me shumë mundësi gjithnjë ka vuajtur e ka hequr pasojat e qevarrosjes. Fare pak nga krerët tanë historikë e kanë dashur vërtetë këtë popull e këtë vend, pa kurrfarë interesi. Qëndrime të tilla sot do të quheshin shumkund utopike. Por të mos harrojmë se pushteti nuk është zanat, profesion apo diçka e ngjashme që e gëzon përjetësisht. Logjika e pakoklavitur të cyt të mendosh se, pushteti administrativ është thjesht një funksion i përkohshëm, i marrë nga publiku për të përmbushur ekskluzivisht nevojat e përbashkëta publike. Por pakkush, për të mos thënë askush, nuk është pajtuar konkretisht me këtë pohim. Ndonëse parimisht dakortësia është absolute, në realitet gjejmë 2 a 3 praktika politike të cilat ne i kuptojmë së shumti në zbatueshmëri, se sa në ballafaqime tezash nga filozofia politike. Shkak i tyre bëhet deshira për të mbërritur dhe tejzgjatur pushtetin, pasoja e qartë është një qevarrosje e thellë.
Parazitët e dinastisë materialiste
Çfarë është qevarrosja?
Terminologjikisht, është më i përshtatshmi epitet që mund t`í vihet një realiteti shkallues. Kur qeveria bëhet qivuri i popullit që i ka dhënë pushtet.
Diçka e ngjashme është bërë me ne fatkeqët për pesë dekada. Tirania e diktuesit të thuajse 50 vjetëve monizëm, i ka bërë një nder të madh pasardhësve të tij neodiktatorialë të një stabilimenti burokratërisht monistë. Tirani “zhduku” Zotin me synimin e një vetvendosje në pozitën e Hyut. Asokohe masat u traumatizuan, fakt ky i dokumentuar nga dëshmitë e gjalla të përcjella nga të mbijetuarët intelektualë dhe klerikë, të cilët u dënuan vetëm sepse ishin të tillë. Por ky traumatizim nuk u shndërrua në ptotestë pasi qevarrosja nuk ishte diçka e re për popullin tonë. Ajo ka shëtitur në kohë dhe është siguruar që injoranca e masave të jetë bashkudhëtare e përjetshme e saj. Kësisoji traumatizimi u përtyp përdhunisht dhe u shndërrua në admirim e adhurim të individit të prekshëm. Që gjendet shumë më afër se gjithfarë perëndie.
Anadollakësia e të adhuruarit hyjnisht një indivit, është një testament i vërtetë e mjaft i suksesshëm i materializmit më të epërm. Ky materializëm i ngulitur barbarisht, që kur ne u shpallëm shtet ligjërisht ateist, ka sjellë një pazarëzim parazitar të gjithçkaje. Të gjitha janë në ankand e për gjithçka mund të biem në ujdi, për aq kohë sa të dyja palët përfitojnë jo pak.
Me fjalët e kronikës do të thoja; Duam favore në drejtësi? Mund t’i blejmë. Duam privilegje në shëndetësi? Mund t’i blejmë. Duam arsimimim “elitar” në gjithfarë degësh? Mund ta blejmë. Duam përjashtime nga rendi publik dhe ligji? Mund ti blejmë.
Gjithçka brenda kontureve të “Kërkesë-Ofertës” por edhe të “Ofert-Kërkesës”, që është trendi shabllonizues i globalizimit të viteve të fundit. Kur ti gjendesh i detyruar të bleshë një produkt që nuk të nevoitet vërtet, por është i mbimarketuar.
Kaosi si një trampolinë pushtetsiguruese
Edhe pse historia e ka dëshmuar e vijon ta dëshmojë se, pak nga krerët tanë historikë e kanë dashur vërtetë këtë popull e këtë vend, pa kurrfarë interesi. Gjithsesi qëndrimi i tyre karshi masave, ka qenë llastues deri në pikën e shprishjes. Kjo për interesa qartësisht objektive, ku përfshihet mes të tjerash edhe pushteti. Pastaj pikërisht për këtë shprishje, çuditërisht masat i kanë gjykuar rëndë. Pasi këto masa, në lypje të një jete më të mirë, janë lejuar të bëjë marrëzira me kapacitetet e tyre të ndërkryera. Për hir të pozitës, më guximtarëve u janë lejuar flurime pindarike, që i kapërcejnë dhjetra herë normat dhe ligjet e shtetit. Rrjedhimisht ne jetojmë në qytete të pabanueshme, verojmë në dete të ndotura e male të zgaflluara, rrisim fëmijë në zgrip të fukarallëkut dhe gëzojmë një pasaportë që do ta këmbenim edhe me atë të një vendi të humbur, mjafton që të na garantoje akses në Europë.
Publikisht janë dënuar të gjitha shkeljet e vena re. Por janë shqyrtuar nën optikën e paragjykimit të mendësisë kriminale të këtij populli. Madje aq shumë është mëshuar tek kjo e fundit, saqë ka lëshuar rrënjë thuajse kudo ideja se ky milet e ka pasur dhe e ka hak përdhunën dhe qevarrosjen që nuk përton kurrë të peshojë me pedantizmin e individëve që e mbajnë gjallë.
Makiaveli i mëson ndjekësit e tij të ngarkojnë dikë pranë vetes, që të bëjë punët e këqija. Kjo në mënyrë që këtë përson ta dënojë kollaj, për veprat e tij (të nevojshme) e vetë të dalë i papërlyer publikisht. (“Shullazët” mund të jenë të fundit e një rradhe të gjatë)
Pushtetëzimi i injorantëve
Traumat e njëpasnjëshme enveriste nuk u shndërruan në protestë pasi qevarrosja e instaluar nuk lejonte divulgimin në popull të së vërtetës. Burimet e informacionit ishin të centralizuara dhe të kontrolluara jo vetëm nga censorë, por mbi të gjitha nga një autocensurë. Kjo ka shërbyer si një kodik i pashkruar personal, për një numër marrëzisht të madh individësh. Madje edhe sot e kësaj dite gjenden individë që i gjykojnë rëndë, të parët e tyre të arratisur asokohe, për arsye se u kanë shkaktuar shumë të zeza anëtarëve të tjerë të familjës, të mbetur në Shqipëri.
Në autocensurë gjejmë përbindëshin e qevarrosjes, të bërë njësh me unin. Gjejmë debilin e kollarisur që na qëndron para pasqyrës, duke ngritur lartë herë grushtin, herë dy gishtërinjtë. Duam të jetojmë, pa e gërshetuar dinjitetin në këtë dëshirë. Sepse nga dinjiteti nuk gjenerohen para.
Nga puna voluminoze dhe e shumlavdërueshme e At Zef Pllumit, më ka mbetur vath në vesh një pyetje që ai e ngre pak a shumë në këtë formë “Çfarë do bënte gjuetari pa zagarin? A do ta gëzonte ai gjahun?”
Zagarë, manivelë të respektuar katërcipërisht gjejmë me thasë sot, kur interesi ndërton përmendoren e lavdisë së tij. Ndoshta nën shembullin e analfabetëve profesionalë të dikurshëm, që zunë pozita kardinale në sajë të zagarësisë së tyre, u është premtuar edhe këtyre të sotmëve që të lehin në unison, sepse leverdia nuk do jetë e pakët. Po ashtu edhe lavdia. Ku i dihet, emrat e tyre mund të lakohen si Kadri Hazbijtë, ose Koçi Xoxet e viteve 2000.
Për turpin e kureshtjes sime personale, sot lexova një poezi të vitit 2016, kushtuar Enverit. Në të hiperbolizohej vlera e tij duke vënë në krahasim me pushtetarët e sotëm. Në një fragment madje i bëhej një thirrje e përshpirtshme për tu çuar nga varri…
Pashë me qartësinë e kristalit se enverizmi nuk është thjesht njëfarë qëndrimi politik. Tashmë është një sektarizëm i rafinuar. I ngjashëm me berishizmin jo të vogël panshqiptar, me nanoizmin ndoshta, por edhe me ramizmin. E cilësoj të rafinuar këtë sektarizëm, pasi mileti sot janë më syçelët e ndoshta i fshehin disi kredot e tyre fanatike. Por vuajnë si të gjithë, kur shohin nga e ardhmja dhe ngushëllohen me të shkuarën. Ky është suksesi i një diktatori që u mohoi Zotin shqiptarëve, duke u proklamuar vetë zot. U vodhi identitetin, dinjitetin, u mohoi demokracinë, drejtësinë, historinë, paranë, lirinë e në fund jetën. E kufizoi kombin brenda kufijve të shtetit. Duke e jugosllavizuar pjesën e mbetur jashtë, me pahir. Bëri pazare të ndyra e shkroi dhjetra paçavure, që legjitimonin mes prallitjesh atë që ai me gojën e tij e pagëzoi diktaturë.
Ay e tha në të gjallë, atë që askush nga abuzuesit e sotëm me frak politik, nuk e artikulon dot: “Ini ju pa jam unë.” Që do të thotë se po të mos ishit ju të këtillë syleshë e çalamanë mendorë, unë dhe qevarroja që u shkaktova nuk do llogariteshin kurrë.