Ilirjan Blloshmi
Sapo asistuam në shfaqen e shëmtuar ku ca bij të komunizmit, kapteri (Bujar Nishani) dhe biri i vrasësve të poetëve (Edi Rama), së bashku me shpurën e tyre, dekoruan ca bij të tjerë në këtë birkurvizmin shqiptar të quajtur tranzicion, i cili më shumë se trancizion duket një urëkalim i përndjekësve drejt rikthimit në pushtet. Sapo u legjitimuan 914.000 vitet e burg, 256.146 vitet e internimit, 6.027 të pushkatuar dhe 34.135 të dënuar politikë. Për sa i përket krimit shtetëror komunist, Shqipëria mund t’i heqë kapelën vetëm Kamboxhias së Pol Potit apo Koresë së Veriut të Kim-ëve. Ajo mban primatin e zi të vendit të vetëm ateist në botë, të të vetmit popull të cilit i ishte ndaluar me ligj të luste Perëndinë. Por edhe në të ashtuquajtur demokraci ish të përndjekurit janë përsëri disidentë.
Ju o monstra më kujtoni shprehjen shekspiriane: “Jeta është një përrallë e rrëfyer nga një idiot, e mbushur me zhurmë e stuhi e që nuk ka asnjë kuptim”. Politika në këtë kontekst, përbën një rast krejt sui generis. Është vetë politika që më këtë rast mohon vetveten, kur mohon pendesën në rastin e kryerjes së krimeve. Një situatë e tillë e çon jo vetëm njeriun, por dhe politikën, drejt një çmendurie halucinacionesh, siç ndodh me Makbethin e Shekspirit.
Pas dekorimit të ish sigurimsave, u përpoqa të sillja ndërmend ndonjë personazh kriminal, qoftë nga historia, qoftë nga literatura artistike, për ta krahasuar me “të ashtuquajturit politikanë”. Mirëpo, vërtet ndodhesha në vështirësi, pasi të gjitha personazhet kriminale që më vinin në mendje, pendoheshin. Mendoja Vëllezërit Karamazov të Dostojevskit apo Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar të Garcia Markezit, por personazhet që kishin kryer krime pendoheshin. Isha në kërkim të një personazhi që nuk pendohej dhe megjithëse me disa ndryshime, mendja më shkoi te Makbethi i Shekspirit, megjithëse ky i fundit në fillim të aventurës së krimeve të tij kishte tendenca pendese. Ndërkohë që “pendesa” është kusht bazik dhe i pazëvendësueshëm për pranimin e krimit dhe marrjen e përgjegjësisë për të, është një ndjenjë e fortë dhimbjeje për atë që ka ndodhur e që lidhet me përgjegjësinë direkte të personit që provon pendesën.
Janë të ndryshme kategoritë e vuajtjeve të shqiptarëve në kalvarin komunist. Një pjesë u zhduk e u shfaros, u burgos e u përndoq, një pjesë tjetër rrojti një jetë me profil të ulët e pa rënë në sy. Të tjerë të lidhur me fitimtarët në pushtet, jetuan jetën e asaj kohe, me të mirat e të ligat, sipas periudhave ku e hidhte adrenalina e kryesatrapit komunist. Të tjerë akoma, u ngjitën shkallëve të diktaturës, duke u përpjekur të ngjiteshin sa më lart në të. Të ishe disident atë kohë, do të thotë të ishe i vdekur ose në burg. Zhgënjimi nga “epoka e re” makbethiane mori përmasa vërtetë shqetësuese.
Përballë këtij vizioni, që mjerisht gjen hapësirë në disa gazeta, duhet të përballim atë të respektimit me çdo kusht të jetës së çdo njeriu, pasi rruga jonë drejt Evropës është çështje thellësisht vlerash, çështje shpirtërore dhe jo gjeografike. Dhe përballë këtij vizioni cinik të politikës makbethiane, duhet të kujtojmë shpirtrat e mijëra viktimave të pafajshme që thërrasin drejtësi dhe që më së miri e përfaqësojnë këto fjalë të Ledi Makdafit para se të vritej nga ushtarët e Makbethit: “Unë jam në këtë botë të poshtër e të ulët, ku e keqja lavdërohet dhe e mira shpesh konsiderohet si marrëzi e rrezikshme”.