Michael Peck
The National Interest
Nëse lufta e ftohtë do të ishte bërë me bomba bërthamore, e dimë që SHBA dhe Bashkimi Sovjetik do të ishin shkatërruar. Por tani për herë të parë e dimë cilat qytete ruse do të ishin shkatërruar dhe pse. Qeveria amerikane ka deklasifikuar më në fund listën e objektivave të Komandës Ajrore Strategjike (SAC), e cila do t’i kishte nisur bombarduesit dhe raketat amerikane për goditje bërthamore në gjithë botën komuniste.
“SAC kishte listuar mbi 1200 qytete në bllokun sovjetik, nga Gjermania Lindore në Kinë, me prioritete të përcaktuara”, sipas Arkivës Kombëtare të Sigurisë, organizata jo qeveritare që kërkoi informacionin e deklasifikuar. “Moska dhe Leningradi ishin prioriteti e para. Moska kishte 170 Designated Ground Zeros (DGZ, Zonë e rrafshuar në themel), ndërsa Leningradi kishte 145, përfshi objektiva ‘të populluara’”.
Prioriteti i SAC ishte të shkatërronte forcën ajrore sovjetike para se bombarduesit sovjetikë mund të godisnin objektiva amerikane ose evropianoperëndimore. Rreth 1100 fusha aviacioni ishin vënë në shënjestër dhe kthyer në prioritete, me bazat e bombarduesit sovjetikë Tu-16 Badger në Bykhov dhe Orsha të Bjellorusisë në krye të listës. Pasi të shkatërrohej aftësia ajrore sovjetike, dhe nëse të dyja palët do të ishin në gjendje të vazhdonin luftën, e dyta në radhë ishte indurtia. E po kështu do ta pësonin shumë të pafajshëm. Lista e objektivave të SAC, e përgatitur më 1956 dhe publikuar më 1959 si pjesë e një studimi për planifikimin e armëve bërthamore, përfshinte qëllimisht popullsi civile.
Plani i SAC specifikonte “shkatërrimin sistematik të objektivave industriale të bllokut sovjetik që vendoste në shënjestër specifikisht dhe haptazi popullsi në të gjitha qytetet, përfshi Pekinin, Moskën, Leningradin, Berlinin Lindor dhe Varshavën”, theksuan kërkuesit e Arkivës Kombëtare për Sigurinë. “Shënjestrimi i qëllimshëm i popullsisë civile kaq drejtpërdrejtë ishte në kundërshtim me normat ndërkombëtare të kohës, të cilat ndalonin sulmin e popullsisë, siç kundërshtonin vendosjen e objekteve ushtarake afër qendrave të banuara”.
Shumica e 800 faqeve me dokumente përbëhen nga lista me objektiva dhe numrat përkatës të objektivave. Planifikuesit e SAC mendonin më 1959 se mund të godisnin me 2130 avionë bombardues B-52 dhe B-47, RB-47, të shoqëruar me avionë luftarakë F-101. Veç kësaj, do të lëshoheshin me avionë edhe 376 raketa bërthamore, si dhe raketa me rreze të mesme. Studimi i 1959 deklaronte se raketat kishin mundësi aq të vogël për të shkatërruar objektivat, saqë avionët e drejtuar me pilotë do të ishin armët kryesore.
Për shkak se SAC ishte i fiksuar në shkatërrimin e shpejtë të fuqisë ajrore sovjetike, bombat me hidorgjen do të hidheshin të shpërthenin në tokë. Megjithëse shpërthimet në ajër do të prodhonin më shumë nxehtësi dhe rrezatim, fokusi ishte në arritjen e maksimumit të shkatërrimit me shpërthim, për të shkatërruar avionët dhe bazat sovjetike, pavarësisht efekteve anësore të paqëllimshme. “Ndërsa kundërshtimet për faktin që shpërthimet në tokë dhe mundësia e rënies së rrezatimit që mund të prekin forcat miqësore dhe popullsinë janë marrë në konsideratë, kërkesa për të fituar betejën ajrore është mbi të gjithçka”, thuhet në studimin e SAC.
Pavarësisht të qenit një forcë në kohë bërthamore, strategjia e SAC i ngjan më shumë sulmit të SHBA me bombardues kundër Gjermanisë dhe Japonisë në Luftën e Dytë Botërore sesa një lufte të shekullit të XXI. Përqendrimi te forca ajrore sovjetike dhe infrastruktura e tij do të kishin qenë qëllime të njohura për komandantët e B-17 dhe B-29. Gjithashtu ajo duket një strategji lufte goxha e gjatë, sikur sovjetikët do të ishin vërtetë në gjendje të prodhonin në masë avionë dhe armë bërthamore pas shkëmbimit të parë bërthamor. Mendimi që raketat ishin shumë të pabesueshme, dhe që vetëm avionët me pilot ishin të besueshëm, tingëllon si debati i sotëm për dromët dhe avionët me pilot. A kishte kuptim strategjia e SAC? Pyetja më e mirë është, ç’rëndësi ka? Për fatin e mirë të rracës njerëzore, nuk e patëm kurrë mundësinë ta zbulonim këtë.