William Johnson
Reuters
Këtë javë SHBA do të mbajë forumin e shtatë të përvitshëm Dialogu Ekonomik dhe Strategjik SHBA-Kinë, takimi kulmor i më shumë se 90 takimeve të nivelit të lartë mes zyrtarëve amerikanë dhe kinezë. Sekretari i Thesarit Jack Lew dhe homologu i tij kinez do të drejtojnë pjesën ekonomike, ndërsa Sekretari i Shtetit John Kerry dhe homologu i tij do të drejtojnë pjesën strategjike. Të katër do të veprojnë si përfaqësues direkt të presidentëve respektivë.
Dialogu i këtij viti ka rëndësi të veçantë sepse do të hapë rrugën për vizitën shtetërore të presidentit kinez Xi në shtator. Marrëdhëniet SHBA-Kinë kanë qenë të paqëndrueshme kohët e fundit, për shkak të tensioneve në Detin e Kinës Jugore, Ligji i ri i Kinës për kontrollin e organizatave jo qeveritare të huaja, dhe fërkimi në lidhje me anëtarësimin në Bankën Aziatike për Investime Infrastrukturore të Kinës dhe në Partnershipin Trans-Pacifik të udhëhequr nga SHBA. Përveç këtyre çështjeve, udhëheqësit kinezë dhe amerikanë do t’i kushtojnë goxha vëmendje sigurisë kibernetike dhe hakerimit kohët e fundit të database-it të Zyrës së Manaxhimit të Personelit, si dhe Marrëveshjen Bilaterale të Investimit mes SHBA-Kinë.
Komuniteti diplomatik në dialogët e mëparshëm ka pasur pritshmëri të lartë për marrëveshje themelore, por kësaj here pritshmëria është më e ulët – për shkak të vështirësive të fundit në marrëdhëniet e tyre, i dhe për shkak të dëshirës së të dyjave palëve që të bëjnë deklarime të rëndësishme pas vizitës shtetërore të presidentit Xi.
Këtu do të shpjegoj shkurtimisht rëndësinë e pesë çështjeve kryesore.
- Deti i Kinës Jugore
Çështje a Detit të Kinës Jugore ka qenë ballë e në qendër për 18 muaj, ndërsa Kina bëri përpjekje të mëdha për rifitim territori. Kurse çështja rrjedh nga mosmarrëveshjet territoriale mes Kinës dhe disa vendeve të Azisë juglindore, që nuk përfshijnë drejtpërsëdrejti SHBA, por SHBA e shikon veprimtarinë e Kinës për ishujt si një kërcënim të mundshëm për lirinë e lundrimit në një rrugë tregtie kritike. Kina, nga ana tjetër, e shikon përfshirjen e SHBA në rajon si përfshirje në mosmarrëveshje bilaterale me fqinjët e Kinës. Ajo e shikon bashkëpunimin e zgjeruar ushtarak të SHBA me Vietnamin dhe Filipinet, si dhe veprimtarinë ushtarake në rritje të Japonisë në rajon, si pjesë të strategjisë së SHBA për të kufizuar Kinën. Dialogu 2015 ofron një mundësi për të zbutur nivelin e përplasjes të kohëve të fundit, me qëllim për të shtruar rrugën për një vizitë të suksesshme të presidentit Xi.
- Ligji i ri për kontrollin e organizatave jo qeveritare të huaja
Drafti ligjor i Kinës për OJQ-të do të kufizojë thellësisht aftësinë e një radhë organizatash të punojnë në Kinë. Pika kyç në ligjin e ri është se vendos autoritetin rregullator për OJQ nën varësinë e Sigurimit të Shtetit të Kinës, dhe jo në varësi të Ministrisë për Çështjet Civile, e cila rregullon OJQ vendase. Policët do të lejohen të hyjnë dhe inspektojnë zyrat, dhe të konfiskojnë dokumente e pajisje. SHBA ka qenë kritike e vazhdueshme e Kinës për të drejtat e njeriut, dhe ky draft ligjor, i cili u botua për komente më 8 qershor, do të jetë një çështje e rëndësishme në bisedë.
Përgjigja e Kinës ndaj presionit amerikan në këtë çështje me shumë gjasa do të jetë kthimi i vëmendjes te elementët që shkaktojnë trazime në Kinë. Ky është i njëjti argument që Kina përdori të shpjegonte demontuat në Hong Kong. Duke lexuar mes rreshtave, është e qartë që në të dyja rastet, kur Kina thotë “elementë të huaj”, nënkupton SHBA dhe aleatët e saj.
- Fërkimi për anëtarësimin në Bankën Aziatike për Investime Infrastrukturore të Kinës
Marrëdhëniet ekonomike në Azinë Lindor me shumë gjasë do të kenë vëmendje në dialogun e këtij viti. Kina është në proces të hapjes së Bankës Aziatike për Investime Infrastrukturore, që synon të japë financime më shumë se Banka Botërore ose Banka Aziatike për Zhvillim. SHBA e kundërshtoi themelimin e kësaj banke – dhe loboi te aleatët e saj të mos pranojë të anëtarësohen – me argumentin se ajo ka standarde drejtimi të papërcaktuara, kontroll mjedisor të pamjaftueshëm, dhe mund mos jetë në gjendje të ruajë kreditë e saj. Por këtë javë, SHBA mori një goditje të fortë, pasi aleatët e saj, të udhëhequr nga Mbretëria e Bashkuar, u bënë anëtarë themelues të bankës, duke lënë SHBA dhe Japoninë të shikojnë gjërat nga jashtë. Drejtimi i bankës dhe mënyra e koordinimit të përpjekjeve të saj me Bankën Botërore do të jenë elementët kyç në bisedimet ekonomike.
- Siguria kibernetike
Siguria kibernetike, që ka qenë një çështje mosmarrëveshjes në çdo takim, do të jetë një çështje më e nxehtë në dritën e database-it të publikuar kohët e fundit, si dhe të dhënave që përmbajnë detaje sigurie prej thuajse çdo punonjësi të federal (të SHBA) dhe çdo ushtaraku. Duke mos akuzuar qeverinë kineze direkt, SHBA ka pretenduar që hakërimi ishte vepër e njerëzve në Kinë.
Jo çdo gjë në frontin kibernetik është e errët. SHBA dhe Kina kanë bërë goxha progres në bashkëpunimin për ndjekjen e lëvizjeve të dyshimta të fondeve të ndryshme. Kinezët do të kërkojnë me forcë ta shtyjnë SHBA të bashkëpunojë në ndërprerjen e rrjedhjes së parave të paligjshme nga Kina në SHBA, dhe në rikthimin në Kinë të parave dhe personave që i kanë vjedhur ato. Diskutimi ka gjasa të ashpërsohet në zonën e të drejtave të njeriut, siç është dëshmuar nga rasti i Yang Xiuzhu, i cili kërkohet për korrupsion dhe ka aplikuar për azil në New York, pasi u ndaluar nga Interpoli.
- Marrëveshjet për investime bilaterale
Më pak e diskutueshmja nga çështjet kryesore është Marrëveshja për Investime Bilaterale, e cila do të vendosë rregullat për investimet e huaja në secilin vend. Pasi hasi në pengesa në vitet e kaluara, të vendet kanë bërë progres konkret në përgatitje të këtij dialogu. Ato kanë shkëmbyer “lista negative” që përshkruajnë zonat e ekonomisë ku nuk do të lejohen investimet e huaja. Mos prisni sukses të menjëhershëm, por ka shumë mundësi që kjo do të jetë fusha kur dialogu do të çojë në një farë marrëveshjeje me rëndësi.
Dialogu do të përcaktojë tonin e marrëdhënieve SHBA-Kina për vitin e ardhshëm. Këto çështje do të jenë qendrore për këto marrëdhënie. Të gjitha këto meritojnë vëmendje.