Siç ndodh rëndom në politikën shqiptare, e ngarkuar me provincializëm e antagonizëm vulgar, ardhja e një personaliteti me rëndësi në arenën ndërkombëtare, do të shihet si në favor të njërës palë kundër tjetrës. Nuk mund të shpëtonte nga kjo as vizita e kancelares gjermane Angela Merkel, e cila shihet nga shumë zëra si mbështetje ndaj qeverisë, ndërsa nga të tjerë si një angazhim për t’i tërhequr veshin asaj. Në fakt, më shumë sesa të zbulojnë qëllimet reale të vizitës, këta zëra kërkojnë të oportunizojnë praninë e një njeriu me rëndësi si Merkel në Tiranë, në favor të krediteve të momentit për qeverisjen.
Në të vërtetë, kemi të bëjmë me një tur të kancelares gjermane në të gjithë rajonin, i cili nuk vendoset rastësisht, siç vendosim për të bërë pushimet e verës, por që vjen në mbështetje të një strategjie dhe programi që Gjermania dhe më gjerë BE-ja ka për rajonin tonë. Ky proces ka nisur me konferencën e Berlinit të mbajtur më 28 gusht 2014, ku Gjermania u shfaq e gatshme të angazhohet për një seri zhvillimesh në këtë rajon.
Siç del edhe nga punimet e Konferencës, ky angazhim vjen pikërisht për shkak të krizave të shumta dhe të shumëllojshme ndërkombëtare si: Zhvillimet në Ukrainë dhe rivaliteti i Rusisë për të afruar shumë nga vendet partnere të BE-së; Kërcënimet nga kriminaliteti, të cilat dëmtojnë zhvillimin ekonomik të rajonit, përfshirë këtu edhe interest e BE-së; Përhapja e terrorizmit dhe kërcënimi që ai sjell mbi sigurinë; Numri i lartë i azilkërkuesve nga rajoni (gjatë këtij viti Serbia, Shqipëria, BiH, Maqedonia dhe Kosova janë origjina e 26{27a26d44c9c795719c11a40db985c5750e2ed32f08477077955f29848ab5c8fa} të numrit total të azilkërkuesve në Gjermani); Si dhe, pa dyshim, një sërë projektesh ekonomike që kanë të bëjnë me investimet europiane, kryesisht ato gjermane, dhe eksportet e tyre në Ballkan.
Rajoni paraqet mundësi shumë të mira për investime dhe zgjerim të tregut europian, sidomos në lidhje me energjinë dhe infrastrukturën e transportit. Duke e parë si një treg me interes ekonomik, por edhe me rëndësi strategjike nga ana politike, gjermanët mendojnë se ka rëndësi që ky rajon të ketë stabilitet ndërmjet shteteve, stabilitet të brendshëm politik, si dhe një ekonomi në rritje. Kjo do të bëjë të mundur edhe rritjen e interesit të tregut europian për eksporte, jo vetëm mallrash, por edhe makinerish e pajisjesh. Pra zhvillimi ekonomik i rajonit përkthehet edhe në më shumë shanse për BE.
Kjo do të thotë se një rajon me marrëdhënie të brishta dhe të ngarkuara me komplekse dhe mllefe të së kaluarës, por edhe një rajon të sunduar nga korrupsioni e krimi i organizuar, bëhet më shumë barrë sesa burim shancesh për BE-në. Pikërisht, vizita e znj. Merkel, ka në fokus këtë perspektivë, për t’i hapur rrugë një bashkëpunimi, në funksion të konsolidimit të partneritetit që mundëson këtë projekt.
Ministri Federal Gabriel ka përcaktuar tre fusha strategjike veprimi për Ballkanin Perëndimor: Rritja e investimeve; Forcimi i eksporteve; Përmirësimi i arsimit profesional. Këto kërkojnë projekte dhe angazhim, por kërkojnë edhe një klimë të favorshme për biznesin e cila mund të garantohet vetëm nga forcimi i institucioneve dhe lufta ndaj korrpsionit, si dhe një situatë ekonomike e stabilizuar. Deri tani, ajo çfarë ka shfaqur kjo qeverisje (korrupsioni i shfrenuar, monopolet dhe përfshirja e krimit në politikë) nuk premton shumë për një angazhim më të zgjeruar të Gjermanisë në Shqipëri. Natyrisht që këto do të jenë objekt i bisedimeve të kancelares dhe do të shihet më tej nëse do të arrijë ta bëjë qeverinë të reflektojë.