Nëse bën një kërkim në Google për t’u njohur me Edi Ramën (i pari informacion që del është se Edi Rama është i gjatë) del se ai etiketohet si artist, sportist, politikan. Por në morinë e informacionit dixhital të rezulton se etiketohet edhe si autoritar, totalitar dhe oligark.
Të përkufizosh totalitarizmin është paksa e vështirë, ndërsa oligarkia është më e thjeshtë. Por kombinimi i të dyjave, pra një oligarki që tenton të ndërtojë një pushtetmbajtjeje totalitare, është një interesante për tu analizuar në raport me kryeministrin Rama dhe qeverisjen e tij. A është Rama një oligark (duke llogaritur edhe Metën) që, me dashje ose jo, po qeveris si totalitar dhe, me dashje ose jo, po krijon një sistem modern totalitarizmi?!
Si ideologji, totalitarizmi shikohet nga akademikët nga disa qasje të ndryshme, siç është qasja social-historike, si fenomen, apo edhe duke e studiuar nga qasja psikologjike. Në një analizë esenciale me Popper apo Talmon, kanë vëzhguar atë që e quajnë “demokracia totalitare”, gjë për të cilën ata shprehen se gjendet e nënvizuar që në lashtësi nga mësimet e Platonit, duke identifikuar totalitarizmin me “shoqërinë e mbyllur”. Parë nga një qasje liberale, totalitarizmi bën një dallim mes ndjenjave të njerëzve dhe kërkesat reale të tyre me argumentin se pamundësitë e tyre i bëjnë njerëzit të paaftë për të njohur nevojat e tyre të vërteta. Duke analizuar Rusoin, del se njeriu, sipas tij, “mund të detyrohet të jetë i lirë” duke e konformuar atë me vullnetin e shumicës. Po sipas teorisë së demokracisë liberale, e vetmja guide për nevojat reale të njerëzve janë preferencat e tyre të shprehura në mënyrë të hapur dhe demokratike.
Por edhe në një sistem të quajtur demokratik (siç është edhe i yni), nëse i referohesh studimeve për elitizmin apo për “ligjin e hekurt të oligarkisë” nga Michels, në fakt pushtetmbajtësit, në mënyrë të paevitueshme do të shtyjnë para interesat e tyre private dhe kjo fare thjeshtë sepse ata i përcaktojnë ato si interesa “reale” të qytetarëve apo si interesa të shtetit, duke barazuar në mënyrë false shtetin dhe njerëzit. (Çdo axhendë për qytetarët vendoset nga vetë pushtetmbajtësit, psh aksioni për energjinë, gjobat, tani së shpejti faturat tatimore, etj. Pra, këto konsiderohen nevojat e shoqërisë, sipas qeverisë.)
“Ligji i hekurt i oligarkisë” thekson se të gjitha format e organizimit, pavarësisht se sa demokratike mund të jenë në fillim, në fund dhe në mënyrë të pashmangshme do të zhvillojnë tendenca oligarkike, duke e bërë kështu demokracinë e vërtetë praktikisht dhe teorikisht e tëpamundur, veçanërisht në grupe të mëdha dhe organizatat komplekse. Praktikisht, sociologu gjerman Michels vendos të parat partitë politike dhe sa më shumë antidemokratike të jenë në thelb ato, aq më e forte tendenca për tu kthyer në oligarke. (Duke njohur këtë përkufizim, nuk do shumë analizë realiteti pushtetmbajtës i partive sot në qeverisje).
Por për ta parë nga pikëpamja psikologjike, atëhere mund të jetë pak më e frikshme. Një studim që ka lënë shenjë është ai i Adornos që bëri në Gjermani pas luftës për tëkuptuar arsyet për pse Hitleri erdhi në pushtet. Në botimin e tij “Personaliteti autoritar”, ai flet për rrënjët e totalitarizmit (një studim i tillë për shoqërinë shqiptare do të ishte interesant për të kuptuar personalitetin e shqiptarëve. Adorno e zhvilloi studimin duke pyetur një numër të caktuar individësh nëse binin ose jo dakord me një listë të gjatë thëniesh). E nëse shkojmë pak më tej me frojdjanët si Fromi apo Reich që kërkonin të shpjegonin origjinën e fashizmit, atëhere mund të arrish në konkluzionin se sa kollaj mund të ngrihet një oligarki totalitare në shoqërinë shqiptare. (Ata mendonin se rritja e fazhimit e kishte rrënjën tek familja patriarkale duke pasur fëmijë që rriteshit më frymë aspak tolerante, seksualisht të flustruar, me vlerësim të autoritarizmit etj. Nëse analizon sadopak shoqërinë shqiptare pas 50 vjetesh diktaturë dhe 20 vite tranzicion, nuk ka shumë nevojë për interpretim ndryshe).
Pra, duke përcaktuar “nevojat reale” të shoqërisë, oligarkët zgjedhin supremacinë e shtetit për të arritur qëllimet e tyre. (Pra shteti përdoret si justifikim për çdo masë apo aksion si psh. “Do bëjmë shtet”, “Burg kush nuk paguan” “shëndetësi falas”, “Taksa e ndershme”. Pra këto, e shumë të tjera, përdoren për të arritur qëllimet private sepse në realitet oligarkët kanë synime të tjera si psh. rritja e taksave, dhënien e sektorëve publike me para publike siç janë koncensionet e fundit 10 vjeçare në shëndetësi etj. Nga pikëpamja komunikative rëndësi ka që përdoret shteti).
Në këtë kuptim, nëse tentohet ti bëhet një përkufuzim esencial totalitarizizmit, atëhere ai mund të përkufizohet si “metoda totale për të arritur qëllim total”, siç e ka përcaktuar Karl Popper.
Eventualisht, në një sistem të quajtur demokratik, por që përballet me një situatë të tillë, atëhere shoqëria duhet të përgatitet për të humbur katër vlera të mëdha të demokracisë.
1) Që e mira sociale nuk mund të përcaktohet siç duhet dhe se asnjë ideologji politike nuk do të mund të adoptohet. (p.sh, e majta sot në pushtet nuk qeveris me ideologji, dhe as që e kërkon madje)
2) Që njerëzit njohin nevojat e tyre të vërteta dhe interesat më të mira, por në fakt ato do të diktohen nga pushtetmbajtësit të cilët fare lehtë shprehen nëpërmjet një procesi demokratik. (p.sh çdo ligj që kalohet, bëhet në mënyrë procedurialisht të rregullt, ndonëse nevojat e tua si anëtar i shoqërisë janë krejt ndryshe nga ç’ta imponon ligji “demokratik” në thelb).
3) Që pushteti i shtetit nuk do të minimizohet dhe nuk do të ketë një sistem demokratik të bazuar në ligje konsensuale ndaj dhe njerëzit s’mund të bëjnë zgjedhje që maksimizojnë nevojat dhe kërkesat e tyre. (shembujt këtu janë të shumtë. Asnjë ligj me rëndësi nuk ka konsensusin formal të opozitës, pale ta shtrish më poshtë në grupe interesi specifike).
4) Që pluraliteti i nevojave, dëshirave dhe shijeve në çështje politike dhe private s’mund të jetë më nëse nuk ka një sistem të bazuar në tolerancë që lejon opozitën legjitime. (Në momentin që nuk pranon opozitën, atëhere pushteti manifestohet tek minimizimi i pluralitetit. P.sh rasti i mediave që po humbasin çdo ditë e më shumëpluralitet).
Natyrisht, ngrihet shqetësimi se çfarë duhet bërë për të mos rënë në këtë sistem totalitar modern. Sipas mjaft shkollarëve, një demokraci totalitare e tillë mund të jetojë gjatë vetëm se arrin “të mbyllë gojët” duke përdorur mjetet materiale. Por në kushte të pafavorshme dhe krizë ekonomike siç ndodhet shoqëria jonë, atëhere shpresa mbetet që tentativa për një lloj oligarkie të strukturuar deri në totalitarizëm nuk do të zgjasë. Por gjithësesi, çdo shoqëri është ndryshe ndaj dhe vigjilenca mes shqiptarëve duhet të jetë më e madhe dhe forcimi i një opozite politike si ideologji alternative mbi të gjitha, është jetësore.