Justin Gest
Reuters
Asimilimi që kërkojnë politikat e integrimit në Francë bie në kundërshtim me lirinë për të cilën manifestuan në rrugët e Parisit të dielën (11 janar).
Politikat franceze – dhe elitat franceze që i mbajnë ato – besojnë gabimisht që nuk mund të ketë bashkim në larmi, s’mund të ketë liri në vëllazërinë e tyre.
Franca sot është një amalgamë njerëzish nga më shumë se 100 vende. Ata të gjithë thirrën “Je suis Charlie” – por me theks të ndryshëm. Një në pesë bebe franceze që lindin sot, sipas demografëve francezë, ka të paktën një prind të lindur jashtë Francës. Myslimanët francezë, më së shumti nga Algjeria, Maroku, Tunizia dhe Senegali, përbëjnë 5 deri 10 për qind të popullsisë – afërisht 5 milionë njerëz. Mirëpo, politikat franceze nuk e pranojnë këtë ndryshim demografik.
Për bashkuar këtë popullsi të larmishme, Franca vazhdon të kërkojë një shkallë asimilimi që kërkon hapur të shkrijë gjithë emigrantët në një përbërje “franceze”. Ky është një kuptim kyç i fraternite-së (vëllazërisë) franceze – një vëllazëri që fshin gjithë dallimet për të krijuar “popullin francez”.
Ky lloj asimilimi është shumë i ndryshëm nga ai në SHBA, për shembull. Asimilimi amerikan evoluoi përgjatë shekullit të 20-të duke pranuar, akomoduar e madje duke e nderuar vendin e origjinës së emigrantëve. Si një strehë historike për minoritetet fetare, SHBA mbron shfaqjen publike dhe private të dallimeve fetare dhe etnike, ndërsa e ndalon qeverinë të krijojë ndonjë religjion kombëtar.
Qeveria franceze, ndërkohë, i ndalon njerëzit të shfaqin besimin fetar. Veshjet simbolike fetare ose demonstrimet janë të ndaluara në vendet publike, si shkolla dhe zyrat e administratës.
Kjo është pasojë e kushtetutës franceze, e lindur nga revolucioni francez, e cila pranon individët, jo grupet. Qeveria nuk njeh religjion specifik ose identitet etnik – vetëm identitetin civil të personit.
Nëse të gjithë janë francezë njësoj, është logjika që përdoret, pse duhet që qeveria të akomodojë grupe etnike ose fetare? Ligjet franceze nuk i pranojnë veprimet afirmative dhe rregullat e gjuhës së dytë në shkolla. Ato e ndalojnë financimin shtetëror të organizatave që kanë lidhje me institucionet fetare dhe nuk pranojnë të mbledhin të dhëna për censusin në lidhje me besimin fetar të qytetarëve. Franca vetëm kohët e fundit i zgjeroi ligjet kundër diskriminimit.
Kjo ecje pas barazisë në gjithë vendin ka çuar në shtypjen agresive të larmisë. Një ligj që ndalon shaminë, në 2004, i drejtuar hapur kundër vajzave myslimane, hapi një debat të nxehtë në lidhje me vendin e fesë në jetën publike. Ky debat u nxeh më shumë, pasi në 2011 Franca miratoi një ligj që e ndalonte shaminë e fytyrës nga gjithë vendet publike.
Është e qartë që fetë e tjera nuk janë të kërcënuara në të njëjtën mënyrë. Të krishterët, për shembull, lejohen zyrtarisht të mbajnë kryqe – sepse ato mendohet që bien më pak në sy. Megjithëse çifutët e kanë zyrtarisht të ndaluar të mbajnë yarmulkes (lloj kapele), ky ligj rrallë zbatohet ose diskutohet.
Flakët janë rritur dhe për shkak të retorikës kundër myslimane të platisë Fronti Kombëtar. Niveli i lartë i diskriminimit të zakonshëm dhe niveli i ulët i gjendjes sociale nuk i lejon myslimanët francezë – 40 për qind e të cilëve jetojnë në Paris – të largohen nga getot e periferisë pas disa brezave.
Rezultati është një popullsi franceze që ndihet sikur nuk ka të njëjtat liri që kaq shumë parisianë i kanë trumbetuar dhe mbrojtur javën e kaluar. Shumë myslimanë ndihen sikur nuk janë të lirë të jenë myslimanë në shoqërinë franceze, nga frika e përjashtimit shoqëror dhe ndëshkimit ekonomik.
Kjo politikë ka qëllime fisnike. Ajo synon të garantojë që Franca të mos jetë e ndarë dhe asnjë grup të mos favorizohet. Që të gjithë të jenë të barabartë përpara ligjit. Por përqafimi i barazisë franceze i Francës nuk duhet të imponojë përjashtimin e atyre që pëlqejnë dallimin.
Nga ky këndvështrim, ngjarjet e fundit në Francë janë pjesë e një debati më të gjerë që duhet ta kenë gjithë shoqëritë e larmishme, rreth njohjes dhe akomodimit të dallimeve.
Suedia, Gjermania, Hollanda, Spanja, Zvicra, Italia, Greqia dhe Mbretëria e Bashkuar kanë dilemën e Francës. Partitë politike të së djathtës radikale dhe të qendrës po fuqizohen nga përplasja e llojeve demografike që janë të pandryshueshme.
Çështja nuk është nëse vendet të cilat kanë pranuar shifra të mëdha emigrantësh duhet t’i zhbëjnë ose jo ndryshimet që kanë ndodhur, por se si të krijojnë forma të reja vëllazërie.