Andis Muka
Për gjysmë shekulli Enver Hoxha personifikoi arketipin e heroit, duke u masivizuar, ndër të tjera, nëpërmjet edukimit arsimor, aty ku çdo lëndë, sipas direktivave publike të diktatorit, u modelua në funksion të nevojave ideologjike. Historia mori përsipër detyrën e saj dhe prodhoi memorien e historianët që kemi sot, të njëjtët që nga katedra të fosilizuara, me titujt e shpalosur si dekorata lufte, japin ndihmësen e tyre në riciklimin e enverizmit ose të paktën të disa figurave kyçe të tij, si Enver Hoxha, Mehmet Shehu etj, aq më tepër kur flirti me atë epokë – të afërt e njëkohësisht të largët për shkak të mos-studimit – shfaqet haptazi si program i shumicës aktuale në pushtet. Në këtë klimë, nuk është për t’u çuditur përse historiani Pëllumb Xhufi – e padyshim gazeta Dita, e cila ia boton e riboton tezën brenda dy vitesh, ashtu si garnitura të tjera të tezës – përpiqet ta prezantojë Enver Hoxhën edhe si nacionalist.
Kalimi i menjëhershëm nga adhurimi në demonizim e izoloi personazhin Hoxha në sferën e emocioneve, duke i hapur rrugën spekulimeve. Kjo mundësoi mbushjen e hendekut mes dy ekstremeve me lloj-lloj identifikimesh të diktatorit – të amplifikuara nga jehona mediatike falë dekoratave akademike dhe famës së autorëve – që shkojnë nga islamizimi, i përçuar (pa asnjë studim konkret) nga Aurel Plasari (mes të tjerësh), deri te nacionalizimi, i cili është edhe më i debatuari, sepse mundohet të respektojë një perspektivë disi analitike. Pikërisht fasadën nacionaliste të Hoxhës ri-propozoi Xhufi në artikullin e botuar nga Dita (më saktë, e ri-propozoi Dita, duke dëshmuar se riciklimi moral i diktatorit është agjendë).
Teza e ngrihet mbi dy supozime: (a) mbështetja e brendshme, e nivelit akademiko-kulturor, dhënë Kosovës nga regjimi enverist dhe (b) mbështetja ndërkombëtare. Por argumentimi më i shtjelluar nga Xhufi bazohet te mohimi i pranisë së idealeve kombëtare tek të ashtuquajturat ‘forca nacionaliste’ të Luftës së Dytë Botërore, ngaqë ata bashkëpunuan me nazi-fashizmin, dhe te projektimi i tyre te forcat që nazi-fashizmin e luftuan, pra te komunistët dhe lideri i tyre. Praktikisht, sipas Xhufit, meqenëse Hoxha u rreshtua kundër kolaboracionizmit, automatikisht ishte nacionalist (meqenëse nuk janë Ata, jemi Ne). Po a mund të konsiderohet nacionalist edhe Josif Broz Tito ngaqë luftoi nazi-fashizmin dhe kolaboracionistët?
Nëse vërtetë Xhufi kërkon nacionalizimin e personazhit Hoxha, atëherë bëhet i detyrueshëm konstatimi tek enverizmi i paradigmës kryesore të nacionalizmit, që është misioni, konkretisht bashkimi politik i kombit. Statuti i PPSH-së (1948) theksonte se «qëllimi i fundit i Partisë së Punës të Shqipërisë është krijimi i shoqërie komuniste» dhe 8 vite më vonë përcaktohej «Shqipëria» si vendi i ndërtimit të kësaj shoqërie (H.Feraj:204). Hoxha e refuzoi kërkesën e Komitetit Krahinor të PKJ-së të Kosovës për bashkimin me Partinë Komuniste të Shqipërisë (Po aty: 205). «Njohja e autonomisë së Kosovës dhe sanksionimi i saj me Kushtetutën e vitit 1974», renditur nga Xhufi si ilustrim, është publikisht edhe më e zbehtë se mbështetja e OÇP-së Jaser Arafatit (për t’u saktësuar: kjo autonomi nuk ishte njohje e Kosovës në rangun juridik të republikave të tjera të Jugosllavisë). Përkundrazi, nuk ka asnjë qëndrim politik në arenën ndërkombëtare në favor të Kosovës, deri në 1990, megjithëse Shqipëria ka pasur zë në OKB, çka zhvlerëson supozimet e Xhufit sipas së cilave Hoxha paska «refuzuar të nënshkruante edhe Aktin Final të Helsinkit, që sanksiononte pandryshmërinë e kufijve në Evropë» për të mbështetur Kosovën. Sidoqoftë, mjafton të evidentohet se në Shqipëri nuk kanë munguar deri edhe manifestimet në përkrahje të grave të Vietnamit, ndërsa kanë munguar ato në përkrahje të Kosovës.
Nofkat ‘shovinistë’, ‘tradhtarë’, ‘reaksionarë’ etj, regjimi ua veshi të gjitha lëvizjeve e penave që kishin pretenduar një Shqipëri etnike. Lahuta e Malcis, p.sh, është konsideruar nga Hoxha (1947) si «apologji e shovinizmit më të tërbuar shqiptar»: në 1979 shkruhej se «nxiste urrejtjen mes popujve fqinjë» apo, në 1983, se «propagandonte antisllavizmin». Në 1969 propaganda shtetërore deklaronte se në rastin e një sulmi sovjetik të Jugosllavisë populli shqiptar «do të përkrahë pa asnjë drojtje rezistencën e popujve të Jugosllavisë» (Zëri i Popullit, Po aty:208), e po kështu akoma në 1976, «pse historia ka treguar se ata janë popuj trima» (Po aty). Gjatë regjimit u mësuam me ndarjen “vëllezërit kinezë” dhe “miqtë nga Kosova”, me atdheun 28,000 km2, me përçmimin e shqiptarëve të Kosovës dhe pothuajse me zhdukjen nga qarkullimi të termit ‘komb’. Në vend të termit ‘komb’ përdoreshin termat ‘kombësi’, ‘popull’ ose ‘masë’. E tërë periudha e Mesjetës në librin Historia e Shqipërisë (1967), aty ku me ngulm e strategji vendosen bazat e etnogjenezës shqiptare, përmend vetëm një herë fjalën kombësi.
Edhe pse u verifikua «shkëmbimi i pedagogëve, studiuesve, artistëve, sportistëve midis Tiranës e Prishtinës, organizimi i veprimtarive shkencore me tonalitet të lartë kombëtar, siç qenë ato për 500-vjetorin e Skënderbeut (1968), Konsulta e Prishtinës për unifikimin e gjuhës (1968), Konferenca për 100 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit (1978)», siç thekson Xhufi, historia me të cilën u mësuan shqiptarët ishte ajo ‘e Shqipërisë’ dhe jo ‘e shqiptarëve’, prandaj kosovarët mbetën ‘miq’ sporadikë. As në vitin 1981, kur Hoxha pranoi verbalisht ekzistencën e kombit shqiptar 6 milionësh (që sipas tij do ta mbronte Shqipërinë, në rast kërcënimi, dhe jo e kundërta, Shqipëria enveriste të mbronte kombin e nëpërkëmbur), regjimi nuk luajti nga pozicioni i tij politik përballë kufijve të Jugosllavisë dhe rrjedhimisht bashkimit kombëtar, me nënvizimin se «Shqipëria socialiste nuk ka paraqitur asnjëherë pretendime territoriale kundrejt Jugosllavisë» dhe, sikur të mos mjaftonte, sipas diktatorit ishte shtypi serb që bënte «diversion» dhe përpiqej «t’i atribuojë shtetit tonë qëllime që nuk i ka pasur asnjëherë» (Zëri i Popullit, Po aty:325). Nacionalizmi është mjeti më qesharak për të legjitimuar veten përmes riciklimit të paraardhësve jo-komodë të pushtetit aktual, politik, kulturor e intelektual.