Në fillimi ishte Qemali, djaloshi i idealeve komuniste, i cili u vra gjatë luftës nga plumbat e fashistëve italianë. Busti i tij ishte vendosur në kënd të lulishtes pranë Akademisë së Shkencave, aty ku sot ndodhet gjurma e pedonales së qytetit. Pasi u zhduk për disa kohë, aq sa u harrua se kish qenë ndonjëherë, busti i tij u rivendos në një lulishte pranë Presidencës. Nuk mund të ndodhte ndryshe me bustin e një personazhi të tillë, emri i të cilit në Tiranë shënon një stadium, një rrugë si dhe një shkollë. Ripozicionimi hapsinor i imazhit të tij të ngurtë, edhe pse disi i vonuar, përforcon bindjen se figura e kuruar e “heroit”, ashtu si busti, është ngulitur përfundimisht në kujtesën historike të qytetit.
Pasi kish fjetur për më shumë se një dekadë në ndonjë magazinë komunale, busti i Jeronim De Radës zuri më në fund vend diku. Ashtu i zhveshur, piedestali pritës ngjallte kureshtje pranë hyrjes së rrugës që të çon në Kuvend. Tek kalonim përballë tij mund të ngacmonim fantazinë për të hamendësuar se kush do të ishte personazhi që do të vihej aty pas gjithë atij dekorimi me bronx që u konkretizua gjatë jubileut të shtetformimit. Por më në fund dikush u kujtua që të fshinte pluhurin që e kish mbuluar, mbase ngaqë vitin që shkoi u promovua edhe një çmim letrar në kujtim të 200 vjetorit të tij të lindjes. Një falenderim i veçantë duhet bërë për atë biznesmen ndërtues, i cili në atë hapësirë mes pallatesh, atje tek Tirana e Re, ku ndodhej më parë rilindasi, tek derdhte beton, mbetjet e gërmimeve dhe të sipërfaqjes nuk i hallakati nëpër fusha, siç bënë ndërtues të tjerë që u takoi të keqadministronin deri dhe zona arkeologjike.
Tashmë ata u bëne tre, tamam numri i vllëzërve Frashërllinj që popullojnë një lulishte tjetër në qytet, të vendosur në një gjysmërreth, sipas planimetrisë së segmentit të pedonales që harkon Kuvendin dhe Akademinë e Shkencave. Para De Radës u vendos busti i një shkimtari dhe politikani të vonë, të ndjerit Sabri Godo, kryetarit të parë të Partisë Republikane. Kësaj rradhe busti i tij nuk është i bronxtë, por një material tjetër që publikut të gjerë mund t’i rikujtojë të kudondodhurat buste standarte prej allçie të ish udhëheqësit komunist. Mbase kjo është një zgjidhje e përkohshme, konkretizuar në rrethana të befta, në pritje të derdhjes në metal të imazht të tij. Inagurimi i bustit, më tepër se një homazh për veprimtarinë e diskutueshme të kryerepublikanit, vë në diskutim vendimarrjen e autoriteteve si një lloj detyrimi për të drejtpeshuar raportet e aleancave politike.
Tjetri është sigurisht busti i Fan Nolit, në formatin e një vepre eksperimentale të lënë përgjysmë, ngjizje që evokon momentin e dehjes postkomuniste me lirinë të artistëve të shkollës së realizmit socialist. Imazhi i tij i shëmbëllen atij të një patriarku me përmasa hiperbolike dhe me forma të padefinuara, gati një figurë mitike, i cili ashtu kallup i palatuar, tenton t’i përcjellë publikut mesazhe të drejtpërdrejta, por të papërcaktuara. Nën të njëjtin frymzim përshkallëzues, që dëshmon gjurmën artistike të këtij zhanri të viteve 90, u konkretizua edhe përmendorja e përçudnuar e “dhimbjes” pranë zyrave të shoqatës së të përndjekurve politikë, e ekspozuar pak më andej, një karikaturë konceptuale e derivuar vjedhtaz nga e famshmja “Guarnika”.
Në fillim busti i Fan Nolit ishte përballë hyrjes së Akademisë së Shkencave, dikur ish Pallati Mbretëror, por u detyrua të bëj rrokadë me torrën e kalasë së qytetit, zbuluar së fundmi, për të zënë vend pas kësaj disa metra më tutje. Përurimi i bustit të tij u bë me bujë të madhe në 70 vjetorin e të ashtuquajutrit “Revolucion Demokratik i Qershorit”, pikërisht në vendin kuptimplotë ku më pas kishte qeverisur rivali i tij, thërrmuesi i ëndrrës së tij politike. Ngjarja nënvizonte një moment kur regjimi demokratik postkomunist kishte gjithnjë e më shumë probleme me ish viktimat e drejtëpërdrejta të diktaturës, si dhe pas incidentit të autoriteteve me pretendentin e fronit mbretëror. Republikanizmi dhe sidomos përcaktori “demokratik” i ngjarjeve të viteve 20 u përzgjodhën nga autoritetet e reja si terma kyç që dëshmonin vazhdimësinë ideore të karakterit të shtetit, një mbulesë e përkohshme kjo ndaj antikomunizmit energjik që për momentin fiku motorin e zhurmshëm propagandistik.
Me këtë zhvendosje të Nolit, u hap rruga që pranë ish pallatit mbretëror, i pari në rradhë tashmë të vendosej një republikan tjetër, kësaj rradhe bash kreu i partisë me të njëjtën emër. Zoti Godo do të kujtohet për një tip politikani që, në vitet e vrullshme 90, diti të ishte përherë në prehrin e pushtetit, derisa pasardhësi i tij arriti ta ankorojë përfundimisht pranë të djathtës. Në rrafshin kulturor Godo do të njihet gjerësisht si autori i dy romaneve me karakter biografikë për figurat kryesore të historisë së vendit. Filli i dukshëm që përbashkon Godon me dy personalitetet përbri tij është investimi intelektual në figurën e Skënderbeut apo epokës që ai jetoi.
De Rada, i mirënjohuri autor i Milosaos, e shkroi poemën romantike në rininë e tij. Duke lënë mënjanë subjektin, dhe përtej lirizmit romantik të epokës kur u shkrua, poema si sfond ka atmosferën e ngjarjeve dramatike të luftës me turqit e shekullit XV, eko e mjedisit folklorik të shtresëzur tek italo-shqiptarët. Në një mënyrë, De Rada me Milosaon e tij është traseja prej nga u frymëzuan shumë nga rilindasit që më pas i kushtuan vepra të tëra Skënderbeut tashmë të shndërruar në mit. Atmosfera e një atdheu idilik që shoqëron veprën kryesore të De Radës, do të shtrihet në kohë, në gjurmë të tjera stilistikore nga Naimi deri tek Kuteli.
Ai që e solli figurën e Skënderbeun në një përmasë shkencore, duke ndarë sa mundej legjendat nga faktet, ishte padyshim Fan Noli. I botuar në Amerikë ne gjuhën angleze, Skënderbeu i Fan Nolit është një kontribut interesant, duke pasur parasysh se në cilat ujra notonte miti i Skënderbeut ndër shqipëtarë. Kjo vepër e tij, e ndikuar nga teoritë marksiste mbi historinë, padyshim shërbeu si një model për punimet mëvonshme të autorëve shqiptarë, edhe sepse Fan Noli si personalitet, rrjedhimisht dhe vepra e tij në tërësi, shihej me sy të mirë nga regjimi komunist.
Ndërkaq Sabri Godo do të mbetet skalitësi i Skënderbeut si një personazh letrar i cili rimodelohej nga autori sa herë ndryshon regjimi apo edhe kur teori interpretative alternative dalin në publik. Skënderbeu i Godos, në aspektin sasior, mbase ia kalon edhe atij të Barletit për nga popullariteti ndër lexuesit shqiptarë, roman i cili u shkrua gjatë jubileut propagandistik të kompozuar nga regjimi komunist. Sëmundja për të retushuar veprat e tyre, e cila zuri një pjesë të konsiderushme të autorëve të realizmit socialist, i mundësoi dhe shkrimtarit politikan Godo të ndërmerrte një nismë të tillë. Sa tek Skënderbeu e sa tek Ali Pasha, pena e tij nuk u lodh aspak derisa, pas shumë ribotimesh respektivë, personazhet në fjalë mbetën përfundimisht ato që shënohen në stampimin e fundmë.
Në pedonale, përmes busteve dhe monumenteve, simbolikisht dëshmohet dhe trajektorja e ideologjisë nacionaliste shqiptare. E lindur nga pena e rilindasve në një moment kritik për fatet e shqipëtarëve në perëndimin politik të Perandorisë Osmane, figura e Skënderbeut apo dhe atdheu ideal i cili mishërohej në epokën e tij, u rimor kryesisht nga folklori shqiptarëve në Itali. Krijimet popullore të arbëreshëve kishin ruajtur të
konservuar epikën e një epoke e cila, në vendin e tyre të origjinës, i ishte nënshtruar një dinamike tjetër, larg asaj të sivëllezërve te tyre matanë detit. De Rada mbetet shembulli i cili solli një botë tjetër shqiptare në letrat shqipe, një botë e cila do të përbyste atë ekzistuesen, që idealen e shihte përmes spiritualitetit, dhe do të shërbente si model për autorët e rinj nacionalistë.
Noli përmes erudicionit të tij të admirueshëm, solli një model të ri se si do të kuadratohej heroi kombëtar i shqiptarëve. Noli me Skënderbeun e tij është ana tjeter e medaljes, e një Skënderbeu mitik të fundshekullit të XIX, i cili njofton se koha e mitit ka përfunduar dhe se ai i duhet nënshtruar përpjekjeve dhe sfidave shkencore. Megjithate, jashtë kësaj qasjeje, e cila vinte nga kontinenti i largët, mitit i Skënderbeut, nga ai romantik mori një dinamikë totalitare mbi të cilin u mbivendos regjimi stalinist në Shqipëri. Skënderbeu i Sabri Godo është distilimi i kësaj përmase të re të mitit nacionalist. Si një personazh që del në krah vegjëlisë, por edhe nga pak papatit, por edhe si një sakrifikues për Europën, Skënderbeu i Godos, për kohën kur u ngjiz, i shërbeu më së miri regjimit komunist. Izolimi i vendit dhe bunkerizimi i tij tek metafora e kështjellës së rethuar nga armiqtë nuk gjeti veçse mbështetjen më të sigurtë ideologjike.
PS
Ndërsa shkruhej ky shkrim, si për të prishur rendin e llogjik të tij, në pedonale, pranë bustit të Sabri Godos, u vendos busti i Aleks Budës, kryetarit të parë të Akademisë së Shkencave. Megjithatë, ky zhvillim kulturor për qytetin e pasuron më tej paradigmën e shkrimit mbi personalitetet e ngurtësuara në pedonale. Aleks Buda është pjesë integrale e dinamikave nacional-komuniste të cilat investuan akademizmin e tyre dhe jo vetem në këtë kauz të shenjtë. Me këtë ritëm të vendosjes së busteve në pedonale shumë shpejt do të shohim edhe të tjerë, por thyerje do të ishte nëse personazhet e përzgjedhur për tëardhmen t’i qëndronin larg kontributit të tyre në të njërën nga fazat ideologjike të nacionalizmit.