Ka një prirje të përgjithshme për të fajësuar politikën si pjesën më të kalbur të shoqërisë sonë. Ka zëra madje që e ekzagjerojnë këtë duke shkuar deri atje sa, të gjitha të zezat e këtij vendi i shohin tek politika. Sigurisht, politika ka faje më shumë se kushdo, për shkak se ka më shumë përgjegjësi mbi shpinë, por kur shikon se çfarë ndodh në fusha të tjera, fillon të krijosh respekt për politikanët. Pa dyshim, gazetaria është një nga më të degraduarat.
Shohim shpesh nëpër ekrane njerëz që i thurin elozhe mediave. Sipas tyre, ato janë pjesa më e shëndoshë në Shqipëri. Ato janë pionierët e zhvillimit dhe emancipimit, të cilat kanë qenë lokomotivë e përparimit dhe daljes nga prapambetja drejt botës së zhvilluar gjatë këtyre viteve tranzicion. Mediat na kanë hapur sytë e na kanë ndimuar të kuptojmë botën. Ato janë sipas tyre gjeneratori më i madh i vlerave tona. Falë tyre, ne sot kemi arritur të kuptojmë shumë nga problemet tona dhe të përftojmë botëkuptimet e duhura për të qenë një shoqëri e zhvilluar.
Në sytë e tyre, mediat janë gjithashtu barriera më e madhe ndaj ligësive të shumta që na rrethojnë. Ato përpleshen me politikën, krimin dhe korrupsionin, duke u rropatur e përgjëruar për t’u shërbyer njerëzve lajmin, informacionin, të vërtetën. E gjithë kjo, në saj të sakrificës, profesionalizmit, përkushtimit dhe pasionit të disa njerëzve çudibërës, që lyejnë qiellin me bojë trëndafili çdo mëngjes për të na sjellë ditën dhe diellin. Për të gjitha këto, ne duhet t’u jemi atyre mirënjohës, dhe të nderojmë punën dhe përpjekjet e tyre.
Në përgjithësi, shumica e atyre që shprehen kështu, ose janë vetë pjesë e kësaj industrie, ose janë furçexhinj kalibri që shohin ndonjë leverdi përtej koniukturës, ose ose janë individë të verbuar nga klishetë banale të mitologjisë së rolit të shtypit në shoqëritë demokratike. Këta të fundit janë dhe rastet më të pashpresë dhe produkti më tipik i pushtetit të katërt: varianti ”demokratik” i njeriut të ri. Këta janë ata, të verbërit, që e kanë ç’aktivizuar procedimin reflektiv dhe sistemin imunitar, duke e pranuar koniukturën si vlerë absolute, si një aksiomë që duhet marrë pa argument. Këta janë produkti më i përhapur dhe më i preferuar i kulturës së mosmendimit, që e prodhojnë pikërisht mediat. Këta janë shumë, dhe janë po aq të nevojshëm për llojin e shoqërisë që kemi ndërtuar, sepse falë tyre, sistemi funksionon.
Pyetja shtrohet: Nëse roli i medias është kaq i madh dhe hapësira që ato i kushtojnë politikës është kaq e shtrirë, si ka mundësi që politika është kaq e keqe? Nëse shtypi do ta bënte siç duhet detyrën e vet, a do të kishte kjo ndikim tek politika?
Në fakt, vështirë se mund të funksionojnë ndarje të tilla si ajo e trekëndëshit: politikë, media dhe biznes. Pushteti ka prirjen gjithmonë të përfshijë gjithçka dhe të sillet si një i tërë. Interesat, natyrisht prevalojnë mbi parimet tek shumica e njerëzve dhe narrativa e vlerave të mediave është tashmë një përrallë e konsumuar.
Në shqipëri kjo ka degraduar shumë më barbarisht. Përveç përzjerjes së hapur të interesave me politikën, mediat, jo vetëm që janë kthyer në zgjatime të interesave të pronarëve e politikës dhe aspak të publikut, por janë shndërruar në instrumente gjobëvënieje dhe shantazhi. Publiku po përdoret brutalisht prej tyre, për të diskredituar e linçuar njerëz, iniciativa, ndërmarrje apo edhe kategori sociale. Në mënyrën më të shëmtuar, media mbulon me shpifje e keqinterpretime ngjarjet, madje duke prodhuar shpesh lajme e sensacion aty ku nuk ka, vetëm për interesa të ngushta politike e financiare, apo edhe thjesht për të bërë audiencë.
Reporterit nuk i intereson lajmi, por sensacioni dhe në mënyrë rutinore jemi mësuar tashmë të shohim shpesh që pas një titulli bombë, lexojmë një lajm pa asgjë me rëndësi. Po kështu, lajmet me rëndësi nuk janë kurrë kryetitull i gazetave apo edicioneve informative. Kryetitujt i zenë gjithmonë, ose lajmet banale që thjesht tërheqin vëmendjen e turmave, ose lajmet që përbëjnë interes për pronarët. Publiku trajtohet këtu si idiot, të cilin mund ta tërheqësh për hunde.
Moderatorëve të emisioneve nuk iu intereson debati. Atyre iu intereson, ose sherri e rrëmuja, ose ekspozimi i njerëzve dhe fakteve që lidhen me interesat e tyre. Moderatorët i shohin emisionet e tyre jo si mediume ku thuhen të vërteta apo prodhohet mendim e përçohen ide, por si arenë ku prodhohen ngjarje e lajme. Që një emision të jetë i mirë duhet të ndodhë diçka, mundësisht sa më e skandaloze: dikush të shajë e fyejë debatuesin (po ta godasë, do ishte edhe më mirë), dikush të çohet e të ikë nga debati, dikush të qajë, dikush të tallet… Të gjitha këto janë më të rëndësishme se mendimi apo e vërteta. Këto madje nuk i duhen kurrkujt.
Megjithatë, në këtë rrënim total nga vlerat, ka një organizëm që kujdeset për mbarëvajtjen e gazetarisë shqiptare. Ky është Unioni i Gazetarëve. Ai përpiqet të jetë zëri i tyre, avokati i të drejtave të tyre në emër të mbrojtjes së lirisë së fjalës dhe rolit të saj në shoqëri.
Por, duket se për Unionin e Gazetarëve punët shkojnë më së miri. Këtë mund ta themi sepse nuk shohim askund që ky organizëm të ngrejë zërin e të shqetësohet për situatën ku kanë rënë mediat. Nuk shohim ndonjë konferencë, seminar a tryezë të rrumbullakët ku të diskutohen problemet e shtypit. Nuk shohim ndonjë reagim kur shtypi abuzon deri në krime publike përballë qytetarit e nuk shohim ndonjë reagim as kur biznesi e politika ia zë frymën duke dhunuar lirinë e fjalës.
Gjatë kohëve të fundit, ky union ka qenë aktiv vetëm kur ndonjë gazetaro-analist, mbetet pa punë, për shkak se media ku ka punuar falimenton, – pasi forca politike apo klani politik prej nga pronari i saj merrte tendera, nuk është më në pushtet, – si dhe kur ndonjë gazetar në një rang më të ulët fyen një gazetar tjetër në një rang më të lartë, siç ndodhi me reagimin ndaj përplasjesë së Çim Pekës me Andrea Stefatin. Edhe tek Unioni, ashtu si kudo, rëndësia e problemit varet nga distanca e lidhjeve shoqërore me personin që problemi lidhet. Po fundja gazetarët përgjithësisht njihen me njëri-tjetrin, përse të mos funksionojë edhe unioni si shoqni apo tribu?
Së fundmi, media ka hyrë tashmë në një periudhë Merkatoje. Ndërrimi i pushtetit dhe forca që pushteti i ri po ushtron mbi to ka lodhur shumë nga operatorët në treg. Rezistenca e tyre, pa mbështetje tenderash e favoresh ka një kufi dhe kjo është periudha ku shumë prej tyre duhet të dorëzohen përfundimisht. Tashmë janë disa televizione e gazeta që janë në shitje, teksa shumë prej tyre kanë kohë që kanë shkurtuar fuqishëm shpenzimet, ndërsa të tjera media i kanë rritur ato. E gjithë kjo tregon se demokracia mesa duket funksionon dhe se as pushteti i katërt nuk njeh sundues të përjetshëm. Edhe këtu gjërat funksionojnë me rotacion. Vetëm publiku mbetet po ai gojë hapur, duke pritur të gënjehet nga pushtetarët e rradhës, që përfaqësojnë fjalën e lirë.