Zgjedhjet lokale (por dhe të përgjithshme) nuk bëhen që disa njerëz të shënojnë numra në letër e disa të tjerë t’ia shpjegojnë ato masës së gjerë të njerëzve. Stërhollimi i statistikave, përjashto seminaret e specialistëve ose kurset e matematikës, nuk bën asgjë tjetër veç e komplikon realitetin, i cili është, realisht, shumë i lehtë për t’u kuptuar. Madje është aq i thjeshtë, sa mund ta kuptojnë, pa qenë nevoja të lodhen me stërthollime, edhe staticienët.
Pak shpjegim formal: Zgjedhjet lokale janë një garë për drejtimin e bashkive. Çdo bashki ka një zyrë – më e larta e saj – që zotërohet prej njërit nga kandidatët që konkurojnë në zgjedhje. Pas rezultatit, analiza fillon me kandidatët. Çdo parti numëron kandidatët e saj fitues, numëron kandidatët jo fitues, bën krahasimin dhe e kupton nëse ka fituar apo jo. Të bësh këtë mjafton të jesh mbi 18 vjeç dhe të dish pak artimetikë të thjeshtë.
Në zgjedhjet e fundit elektorale kishte dy koalicione në garë për 61 bashki (kandiatët e pavarur ishin një numër i papërfillshëm). Që të ishte fitues një koalicion duhet të merrte minimalisht 31 bashki. Koalicioni që nuk e kapur këtë shifër i ka humbur zgjedhjet. Kjo s’ka nevojë për statiticienë, mjafton të numërosh tre herë gishtat e dorës e pastaj deri ku mund të arrish.
Veç kryetarëve të bashkive, nga zgjedhjet lokale dolën dhe këshillat bashkiakë. Edhe këtu, që të mësojnë se kanë fituar apo jo, koalicionet apo partitë mjafton të numërojnë këshilltarët që kanë fituar, në rang bashkie apo kombëtar. Pasi bëhet krahasimi me numrin total të këshilltarëve të mundshëm, ose me numrin e këshilltarëve fitues të kolaicioneve apo partive të tjera, përfundimi është veprim i thjeshtë aritmetik.
Një koalicion ose parti që nuk ka fituar numrin më të madh të kryetarëve të bashkive dhe numrin më të madh të këshilltarëve është koalicion ose parti humbëse, nëse objektivi në nisje ka qenë fitorja e shumicës së tyre. Nëse ka pasur qëllim vetëm përmirësimin e rezultatit të vet nga zgjedhjet e mëparshme, kthimi në çështje kryesore pas zgjedhore i krahasimit me të shkuarën merr kuptim.
Por, kur futesh në garë për fitore, dhe pas daljes së rezultateve kërkon optimizëm te shifrat krahasuar me shifrat e zgjedhjeve të kaluara, atëherë je duke bërë diçka krejt tjetër nga ajo që duhet të bëje. Ky mund të quhet devijim ose perversitet, varet sa ngarkesë emocionale dëshiron t’i japësh ligjërimit.
Por, duhet patur parasysh, numrat jo vetëm që nuk thonë gjithçka, por ata fshehin shumë.
Në zgjedhjet për kryetarë bashkie fituesi merr gjithçka. Nëse gara do të ishte proporcionale, si në rastin e këshilltarëve, sasia e votave mund të kishte rëndësi sepse ndarja e vendeve bëhet në mënyrë proporcionale. Mirëpo, kur fituesi merr gjithçka, nëse nuk ke fituar, je humbës, s’ka rëndësi sa vota ke marrë, një apo një milion. Ngushëllohu sa të duash me shifrat, në bashkitë që i kishe dhe nuk i ke më do të fillojë spatrimi (ky është realiteti shqiptar) i njerëzve nga puna dhe ata që do ta pësojnë janë njerëzit e tu. Në të gjitha bashkitë që ka fituar kundërshtari yt, sidomos pa formatimit të ri të bashkive, do të krijohen vende pune të reja, ose do të jenë ato të komunave që i ke pasur ti, dhe të gjitha do t’i nështrohen selektimit, në dëm të njerëzve të tu që mund të jenë në punë. Këtë statistikat e kutive të votimit nuk e pasqyrojnë.
Por, çështja më e rëndësishme në fitoren ose humbjen e një bashkie është mundësia për të zbatuar (ose jo) politikat e partisë tënde, që, në të ardhmen, përkthehet në influencë politike në atë bashki. Dihet që bashkitë kanë administratë, mjete dhe fonde; të gjitha këto, në bashkitë që nuk i ke fituar, do të shfrytëzohen në atë mënyrë që të çojnë influencë politike në mullirin e kundërshtarit në zgjedhjet e ardhshme. Më shkoqur: në zgjedhjet e ardhshme kundërshtari do të ketë më shumë mjete, fonde dhe burime njerëzore për t’i përdorur në fushatë, pa i kushtuar xhepit të tij asnjë kacidhe. Edhe këtë, statistikat e kutive nuk e paqsyrojnë dot.
Optimizmi që kërkohet të nxirret nga stërhollimi i statistikave nuk është i shëndetshëm, sepse shifrat nuk i përfshijnë elementët që nuk maten me njësi, siç është influenca politike e shtuar e kundërshtarit, vuajtja e përkrahësve të t’u, apo perspektiva e errët e tyre për të siguruar një rezultat më të mirë në zgjedhjet e ardhshme.
Sigurisht, që ka dhe më keq. Ka politikanë që e konsiderojnë zonën e tyre fituese (pavarësisht se kanë marrë më pak vota se kundërshtari), për shkak se – duke përdorur imazhin mashtrues të statistikave – rezulton që kundrështari ka marrë më pak vota se votat e tij në zgjedhjet e kaluara. Këta njerëz kanë probleme optike, shikojnë qimen në syrin e tjetrit, por jo trarin në syrin e tyre. Sjellja e tyre s’ka nevojë për analizë, është e gatshme dhe e lashtë maksima që u duhet rikujtuar: “Mos qani hallin e kalorësit që i varen këmbët. Shikoni punën tuaj.”