“Të thirrur nga prijësit e tyre erdhën një mijë e pesëqind burra të fortë, përfaqësues të zgjedhur nga të gjitha fiset e mëdha, secili fis me në krye bajraktarin e vet […]. Prifti i Reçit u ngjit në tribunë dhe, me një zë buçues që kumbonte qartë ngado, mbajti një fjalim të çastit, dhe më pas thirri ‘Rroftë kushtetuta! Rroftë padishahu! Rroftë shqiptaria!’”. Kjo atmosferë e Shkodrës së vitit 1908, me rastin e rivendosjes së Kushtetutës (së 1876) nën presionin e rebelimit xhonturk, që do të dekorohej shumë shpejt me Prenk Bibë Dodën e veshur si ushtarak osman, më erdhi në mendje nga leximi i panegjirikut të radhës të gazetës Panorama, kushtuar familjes Gjonmarkaj.
Për ngritjen e mitit të kësaj familjeje janë investuar energji jo të papërfillshme prej më se një shekulli, e mbase Kanuni i Lekë Dukagjinit është përpjekja më e sofistikuar e fisnikërimit. E meriton derisa respektohet konteksti hapësinor e socio-kulturor ku pati veprimtarinë saj, derisa nuk shndërrohet në ideal të universit shqiptar. Pikërisht dekontekstualizimi është metoda e vetme e shndërrimit të kësaj familjeje në ideal të qëndresës anti-osmane, të shqiptarizmit, e për rrjedhojë të shqiptarëve, por njëkohësisht është edhe burimi i atyre paradokseve që i zhvlerësojnë këto pretendime.
“Bán bâb se t’ngjas”, thotë një urtësi, dhe ka pak dallime mes familjes Gjonmarkaj dhe origjinave të projektuara nga konstruktorët. Ato fiksohen sa te Dukagjinët, sa te Progoni, themeluesi i Principatës së Arbrit. Si produkt i kallëpit bizantin, Progoni mësoi ta aplikonte bizantinizmin politik sapo iu dha mundësia, duke u afruar me sundimtarët malazezë të asokohe, për t’u shkëputur nga Bizanti, kurse i biri, Dhimitri, provoi të kalonte nga kishat e Lindjes te Kisha e Romës për 18 muaj, derisa e shmangu rrezikun venedikas. Dukagjinët, pasardhësit e tyre – dhe janë të tillë vetëm se dikush ka menduar t’i shartojë si paraardhës në pemën e Gjonmarkajve – e perfeksionuan bizantinizmin politik, duke luftuar me vendosmëri kundër Skënderbeut, duke u zhvilluar brenda kastës administrative osmane si Dukagjinzade (për të arritur në postin sadriazemit) dhe, sikur të mos mjaftonte, duke u përpjekur të zëvendësonin autoritetin e Skënderbeut, një herë që ky kishte vdekur, si udhëheqës antiosman.
Këtë trashëgimi duhet të kenë marrë Gjonmarkajt, autoritetin e të cilëve e mundësoi Porta e Lartë, që në këmbim nuk priste asgjë më tepër përveç nënshtrimit të zonës së Mirditës, dhe ia arriti pikërisht falë bashkëpunimit me familjen në fjalë. Deri aty shkoi aliazhi me pushtetin osman sa Prenka, i biri i Bibë Dodës, kishte titullin Pasha, si për ironi të atyre që firmosin peticione duke deklaruar se “pashallarët nuk janë pjesë e historisë sonë kombëtare”. Dhe titulli Pasha nuk jepej ashtu kot.
Nga shërbimet e Bibë Dodës ndaj Portës veçohen shtypja e një kryengritjeje në Toskëri, e disa të tjerave në Mal të Zi, e deri te pjesëmarrja e kontingjentëve mirditorë në Luftën e Krimësë. Prishja e Bibë Dodës me Portën erdhi kur ai nuk iu bind urdhrit osman për të shtypur një kryengritje në Mal të Zi (1862). Kohë më përpara, abati Gaspër Krasniqi, i afërt sigurisht me Bibë Dodën, kishte filluar përpjekjet për kontakte me Beogradin, paralelisht me Cetinën. Sidoqoftë, Porta mori masa të rrepta ndëshkimore, që sot interpretohen si barbarizma kundër shqiptarizmit.
Sesa ishte shqiptarizëm mund të lexohet në veprimet e Prenkës, i cili fillimisht (1876) dërgoi abatin Prenk Doçi për bisedime në Cetinë, rreth koordinimit të një kryengritjeje të përbashkët, dhe dy vite më vonë i dërgoi Fuqive të Mëdha një memorandum ku shprehej dëshira e krijimit të shtetit të Mirditës, natyrisht mbi kritere fetare, sipas modelit “fqinj” të Malit të Zi. Përpjekje që u realizua në vitin 1921, me formimin e Republikës së Mirditës – të sponsorizuar nga Beogradi – më gjithë kritikat e hierarkisë së klerit katolik në Shkodër. Akuzat që i drejton themeluesi i kësaj Republike Ahmet Zogut janë slogane të karakterit fetar.
Në vija të trasha historia pasuese është e njohur. Familja e kapedanëve në disa raste e mbështeti Zogun, në disa të tjera hyri në armiqësi, paralelisht me mospërputhjen e politikave të mbretit me interesat italiane. Derisa u hodhën në investimin e gabuar kolaboracionist, që u kushtoi kalvarin e persekutimeve mizore enveriste, i cili përdoret sot si kartëvizitë krahinore dhe si detyrim përuljeje i shqiptarëve ndaj këtij panteoni idealesh. Gjithmonë nëse dikush zbulon se cilat ishin, ku dhe kur u realizuan këto ideale.
Nga origjina e pretenduar mesjetare e deri sot, ngjarjet e familjes kanë ndjekur interesin për pushtet dhe sundim, përndryshe nuk shpjegohen zig-zaget. Mbase ngaqë njeriu është i prirur të mbijetojë dhe si i tillë zgjedh rrugën dhe mjetet e duhura: nga ky këndvështrim mund të kuptohen votat e krahinës së “familjes legjendare” në zgjedhjet e 2013 në favor të rezervuarit të atyre forcave politike të cilat përkujtojnë ngjarje publike me portretin e Enver Hoxhës në sfond dhe origjinë, të atij që persekutoi 147 vetë nga familja Gjonmarkaj. Është historia që përsëritet.