Tronditjet tragjike që ka marrë Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, duke humbur brenda një periudhe dy mujore 3 akademikë, një valë dorëheqjesh kanë vërshuar Akademinë.
Reporteri ynë 30 vjeçar, akademik Engjëll Morti ka thënë se së paku 7 akademikë kanë dorëzuar titullin e tyre prej akademiku tek Zyra për Dorëheqje në ASHAK.
“Të 7 këta akademik kanë deklaruar se titullin akademik e kanë marrë duke bërë plagjiaturë dhe tek tash i kanë rënë pishman për këtë krim akademik”, raporton akademiku i Kukunews, i cili edhe pse 30 vjeç është në një gjendje paniku nga ndonjë mundësi që të gjej fundin tragjik.
Sipas një raporti të siguruar nga Kukunews, të 7 akademikët janë gati të kërkojnë falje publike për punimet shkencore dhe akademike që i kanë bërë me plagjiaturë.
“Nuk jemi akademik. Nuk e meritojmë këtë titull. Jemi thjeshtë profesorë”, ka shkruar në letrën e tij mëshiruese një nga akademikët që ka dhënë dorëheqje nga titulli i tij.
Krejt kjo mësohet se ka ndodhur pas përhapjes së një thashetheme dhe konspiracioni në ambientet e Akademisë, që një mort i rëndë është përhapur tek anëtarët e këtij institucioni.
“Ka shumë versione të këtij konspiracioni por më i besueshmi është ai që bëhet fjalë për një spastrim të figurave me titull prej akademiku dhe të them të drejtën edhe unë jam pak i frikësuar”, raporton, reporteri ynë akademik.
Bashkë me letrat e dorëzimit të titullit, të 7 akademikët kanë lënë edhe testamentin e fundit.