Partia AK e Turqisë [Partia për Drejtësi dhe Zhvillim] përballet me vështirësi për krijimin e qeverisë, pasi ka hubmur shumicën në zgjedhjet e përgjithshme për herë të parë në 13 vjet.
Ajo mori 41 për qind, një rënie e konsiderueshme nga viti 2011, kur fitoi afërsisht gjysmën e votave.
Me sistemin e përfaqësimit proporcional të Turqisë, kjo do të thotë që AKP do të ketë nevojë të krijojë një koalicion ose rrezikon krijimin në një qeveri të minorancës.
Partia pro kurde HDP [Partia Demokratike Popullore, e majtë] kaloi pragun 10 për qind, duke siguruar mandate parlamentare për herë të parë.
Kjo u shoqërua me skena festive, pasi përkrahësit e kësaj partie vërshuan në rrugë duke thirrur “Ne jemi HDP, po shkojmë në parlament.”
“Është një natë karnavalesh,” i tha AFP-së Hysen Durmaz, 47 vjeç. “Nuk kemi më besim te AKP.”
Lideri i HDP Selahatin Demirtas e përjashtoi mundësinë e koalicionit me AKP, duke theksuar se rezultati zgjedhor u kishte dhënë fund diskutimeve për një sistem presidencial.
Rezultati është një goditje për planet e presidentit Rexhep Taip Erdogan që të shtonte pushtetin e postit të tij.
Për herë të parë ai e mori pushtetin si kryeministër më 2003 dhe kërkonte dy të tretat e shumicës për ta kthyer Turqinë në republikë presidneciale.
“Diskutimet për presidencë ekzekutive dhe diktaturë kanë marrë fund në Turqi me këto zgjedhje,” tha zoti Demirtas në një konferencë shtypi në Stamboll.
Duke folur nga ballkoni i selisë së AKP, kryeministri i AKP Ahmet Davutoglu tha: “Fituesja e zgjedhjeve është AKP, kjo s’ka dyshim.”
Por ai shtoi: “Vendimi i popullit tonë është përfundimtar. Është mbi gjithçka dhe ne do të veprojmë në përputhje me të.”