Sebnem Arsunov
Në vizitën e tij si papë në një vend me shumicë myslimane, Papa Françesku tha në Turqi të premten se dialogu mes besimeve fetare, më shumë se aksionet ushtarake, ishte më i nevojshëm për të luftuar “fanatizmin dhe fundamentalizmin” që kërcënon të krishterët dhe pakicat e tjera fetare përtej kufirit jugor të Turqisë.
“Fanatizmi dhe fundamentalizmi, ashtu si frikërat e tjera irracionale, që forcojnë keqkuptimet dhe diskriminimin, duhet të kundërshtohen me anë të solidaritetit mes gjithë besimtarëve”, tha papa në një deklaratë televizive dhënë në rezidencën zyrtare të presidentit Rexhep Erdogan, në Ankara.
Françesku u bëri thirrje qeverive dhe popujve të Lindjes së Mesme të “ndryshonin traditën” e konflikteve të dhunshme, dhe tha gjithashtu se veprimet ushtarake nuk ishin të mjaftueshme për të luftuar ekstremizmin.
“Veçanërisht në Siri dhe Irak, dhuna terroriste nuk tregon shenja zbutjeje,” tha papa, duke shtuar: “Megjithëse është e ligjshme, duke respektuar gjithmonë ligjet ndërkombëtare, për të frenuar një pushtues të padrejtë, unë dua të përsëris që problemi nuk mund të zgjidhet vetëm me veprime ushtarake.”
Një koalicion i udhëhequr nga Amerika kryen sulme kundër militantëve të Shtetit Islamik, në jug të Turqisë, në kufi me Irakun dhe Sirinë. Turqia ka rënë dakord t’i bashkohet koalicionit por nuk ka pranuar bashkëpunim të plotë, derisa të krijohen zona të sigurta dhe zona të ndaluara fluturimi përgjatë kufijve të saj, për të grumbulluar fluksin e refugjatëve. Deri tani ka Turqia ka pritur të paktën 1.6 milionë refugjatë.
Papa vlerësoi zemërgjerësinë e Truqisë për strehimin e refugjatëve, përfshi të krishterë dhe jezidë, dhe tha se ishte detyrim moral i komunitetit ndërkombëtar të përkrahte qeverinë e Turqisë në ndihmën që u ka ofruar atyre. Në takimin me Mehmet Gormezin, klerikun më të lartë të Turqisë, në drejtorinë qeveritare për çështjet fetare, papa u bëri thirrje besimtarëve të të gjitha feve që të mbrojnë të drejtat njerëzore të të tjerëve.
“Dua të shpreh vlerësimin tim për gjithçka që populli turk, myslimanë dhe të krishterë, bën për të ndihmuar qindra mijëra njerëz të cilët janë larguar nga vendet e tyre për shkak të konflikteve,” tha pope. “Ky është një shembull i qartë se si mund të punojmë bashkë për t’iu shërbyer të tjerëve”, shtoi ai.
Gjatë gjithë ditës, papa e vuri theksin te nevoja për t’u fokusuar te elementët e përbashkët të besimeve dhe vlera e të mësuarit nga dallimet fetare për të riparuar marrëdhëniet mes myslimanëve dhe të krishterëve.
Papati ka pasur një imazh të dëmtuar mes myslimanëve në Turqi qysh prej 2006, kur paraardhësi i Fraçeskut, Benedikti XVI, citoi një perandor bizantin, i cili e quajti islamin “djallëzor dhe antinjerëzor”.
Erdogani vlerësoi papën dhe tha se vizita e tij ishte një mundësi për të krishterët dhe myslimanët të bashkojnë fuqitë kundër racizmit dhe islamofobisë.