Deputetja e Partisë Socialiste Olta Xhaçka shkel rregullat e qarkullimit rrugor teksa ndodhet në sallën e Kuvendit Popullor. Nga fotoja në krah duket makina e deputetes e parkuar në një vend krejtësisht të ndaluar, i cili jo vetëm është në kundërvajtje ligjore, por edhe bllokon makina të tjera, që janë të detyruara të kalojnë në këtë pjesë rruge, ndonëse e caktuar për këmbësorë. Makina mbyll rrugën që del nga dy institucione në godinën aty pranë, Institutin e të Përndjekurve Politikë dhe Institutin për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, në të vetmen pikë hyrje-daljeje për ta.
Praktikisht, në momentin kur është marrë fotoja, një makinë ka qenë duke tentuar të dalë nga godina e Isntitutit të të Përndjekurve, e cila u detyrua të qendrojë aty derisa deputetja të mbaronte seancën. Drejtuesi i mjetit ka këmbëngulur të merren masa tek polici rrugor, por kjo ka qenë një përpjekje e kotë, siç mund të jetë fare e kuptueshme në këtë vend. Polici, megjithatë, është shprehur se i ka vënë gjobë deputetes për këtë parkim, por asnjë fletë-gjobë të tillë nuk kishte në xhama, ndërkohë që punonjësit e institutit shprehen se ky është një problem i përhershëm gjatë seancave parlamentare. Në fakt, e gjithë rruga përballë parlamentit është e mbushur me makinat e deputetëve gjatë seancave parlamentare, të cilët parkojnë ku t’u vijë për mbarë, megjithëse është një zonë ku ndalohet parkimi. Rasti i deputetes Xhaçka ishte më flagrant, për shkak se ajo pengon të tjerët në mënyrë të papërgjegjshme.
Ndërsa brenda sallës së Parlamentit, me apo pa SMS-të orientuese të liderëve, deputetët miratojnë ligje, makinat e tyre qendrojnë jashtë duke i shkelur ato. Natyrisht shkeljet e tyre janë shumë herë më të rënda dhe këto as që ia vlen t’i vesh në llogari, por duke qenë kaq të ekspozuar publikisht, këta shembuj janë domethënëse për të treguar indiferencën e tyre gjenetike ndaj ligjit. Kjo ndodh ndërsa Kryeministri ndalon skortën e tij në semafor, në kundërshtim me kërkesat e sigurisë, për t’iu ofruar qytetarëve shfaqje të rrespektit për ligjin. Vartësit e tij, që nuk janë pjesë e iniciativës për këtë shfaqje, nuk ngurrojnë ta shkelin atë me të dyja këmbët apo me të katra rrotat.