Që kur koalicioni qeverisës mori pushtetin në Kroaci, anëtare e BE, në janar, kritikët thonë që autoritet kanë mbyllur njërin sy – e madje kanë kontribuar vetë – karshi shfaqjes së të djathtës ekstreme.
Javën e kaluar, në reagim të kësaj situate, grupe çifute, serbe dhe antifashiste nuk pranuan të merrnin pjesë në një ceremoni përkujtimore për dhjetëra mijëra të vrarët në Jasenovac, kampi i përqendrimit më famëkeq në Kroaci, nën sundimin e ustashëve pro-nazistë, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Bojkoti ishte “një vendim i guximshëm dhe korrekt përballë valës së nostalgjisë së ustashëve neofashistë që po pushton Kroacinë,” tha Efraim Zuroff nga Qendra Simon Wiesenthal, një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e çifutëve.
Megjithëse i ashtuquajturi Shtet i Pavarur i Kroacisë i ustashëve ishte një kukull naziste – që vrau qindra mijëra serbë, çifutë, romë, etj. – simpatizantët e tyre modernë i shikojnë ustashët si etër themelues. Nënvlerësimi i masakrave të tyre “ka ekzistuar prej vitesh, por me një intensitet tjetër,” i tha AFP historiani Tvrtko Jakovina. “Tani është futur në kabinetin e ministrave dhe mediet kryesore.” Një nga emërimet e diskutueshme në qeverinë e re ishte ai i Zlatko Hasanbegoviç, historian dhe i dyshuar si simpatizant i ustashëve, si ministër kulture. Një dokumentar i ri për kampin e vdekjes Jasenovac, i kritikuar nga çifutët si përpjekje për të rishikuar të shkuarën e errët të Kroacisë, u lavdërua nga Hasanbegoviçi si “si rruga më e mirë për hedhur dritë mbi shumë pjesë të diskutueshme të historisë së Kroacisë.”
Fashizmi dhe futbolli
Kryeministri Tihomir Oreskoviç u kritikua që nuk reagoi ndaj ndeshjes së futbollit kundër Izraelit kur në stadium u dëgjuan thirrje të përshëndetjes së ustashëve “Za dom spremni!” (“Gati për atdhe!”). Një ditë më vonë qeveria dënoi “simbolet e regjimeve totalitare”, pa e veçuar regjimin e ustashëve. “Shteti thjesht nuk bën asgjë… dhe nuk ka dëshirë” të parandalojë ringjalljen e të djathtës ekstreme, tha Ognjen Kraus, lider i komunitetit çifut në Kroaci. Më në fund, Oreskoviçi dhe presidentja Kolinda Grabar-Kitaroviç i dënuan specifikisht krimet e ustashëve kur i dërguari special i SHBA për çështjet e Holokaustit bëri një vizitë në fillim të muajit.
Vëzhguesit e lidhin animin djathtas të Kroacisë me zhvillimet në vende të tjera të Europës Lindore, sidomos Hungaria e drejtuar nga Viktor Orban dhe Polonia e drejtuar nga partia Ligj dhe Drejtësi, e cila mori pushtin në tetor. Por ndërsa këta liderë u zgjodhën me shumicë, partia kryesore konservatore kroate, HDZ, nuk ia doli të fitonte e vetme në nëntor dhe iu deshën javë të krijonte një koalicion. Politologu Zarko Puhovski sugjeron që qeveria e re, e cila nuk ka një program ekonomik real për të nxitur rritjen ekonomike, përdori një ideologji nacionaliste “për të krijuar iluzionin e një fitoreje politike”. Respekti për minoritetet ishte një kusht kyç për hyrjen e Kroacisë në BE më 2013, por lideri i serbëve etnikë të Kroacisë, Milorad Pupovaç, ka paralajmëruar vazhdimisht për një “atmosferë jo tolerance”.
Miljan Mrkiç, zyrtar i lart i HDZ, iu përgjigj muajin e kaluar se Pupovaç “duhet të shkojë aty ku nuk është i rrezikuar”, nëse ndihet i rrezikuar. Një gazetar televiziv lokal paralajmëroi qytetarët e Zagrebit në janar, “veçanërisht nënat dhe fëmijët”, të tregojnë kujdes kur kalojnë pranë një kishe serbe për t’u siguruar që të mos vriten nga priftërinjtë. Kur televizioni u dënua përkohësisht për nxitjen e urrejtjes, mijëra njerëz dolën në rrugë për të protestuar – disa prej tyre duke kënduar përshëndetjen e ustashëve, pa ndërhyrjen e policisë.
“Dobësimi i shekullarizimit”
Zyra e shtypit e qeverisë i mohoi ato që i quajti dyshime “false dhe të politizuara”, dhe i tha AFP që ajo “i kishte dënuar me forcë” sloganet totalitare dhe “gjithë format e shprehjes që nxisnin urrejtje dhe mungesë tolerance.” Por dhe gazetarët janë të shqetësuar – veçanërisht pasi deputeti i HDZ Zeljko Glasnovç i përshkroi mediet si “pengesa më e madhe për demokracinë e vërtetë.” Shkrimtari satirik i njohur Ante Tomiç u sulmua në qytetin bregdetar të Splitit muajin e kaluar, në një sulm të dënuar nga Federata Evropiane e Gazetarëve. Por ministri i kulturës tha se rasti i tij “na kujton për rëndësinë dhe përgjegjësinë e fjalëve të thëna ose shkruara në publik”.
Kreu i agjencisë për rregullimin e medieve elektronike dha dorëheqjen muajin e kaluar, duke përmendur presionin politik. Në fushën e arsimit, studentët e Universitetit të Zagrebit protestuan pas planifikimit të një marrëveshje mes fakultetit të filozofisë – i konsideruar bastion i mendimit të majtë – dhe fakultetit teologjik katolik. Marrëveshje, e pezulluar që atëherë, u pa si një përpjekje për rritjen e ndikimit të kishës, e konsideruar simbol i identitetit kombëtar dhe tradicionalisht e afërt me HDZ. “Do të ishte një hap drejt dobësimit të mëtejshëm të shekullarizimit në Kroaci,” tha Iva, 20, studente e sociologjisë.