Marc Champion
bloombergview.com
Tetë vjet pasi Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia, pesë shtete të BE vazhdojnë të mos e njohin atë. Ato duhet të zbuten. Ata po kontribuojnë në krijimin e një grope ekonomike dhe sigurie në zemër të Ballkanit – dhe, nëse historia na shërben si udhërrëfyes, kjo është një ide e keqe.
Gjatë një bisede me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, ndërsa ishte në Britani, mësova thuajse kalimthi se vendi i tij nuk mund të bëhet pjesë e Europolit, rrjet me informacion të përbashkët, dhe po vuan që të bëhet anëtare e Interpolit. Vendet që e bllokojnë atë po i shkaktojnë dëm vetes së tyre.
Nuk them që ndarja e Kosovës nga Serbia ishte një gjë e mirë. Përkundrazi, vendimi i presidentit të SHBA George W. Bush për të mbështetur pavarësinë e Kosovës më 2008 ishte një nga vendimet më të këqija të tij. Ai vendim prishi gjithë argumentin mbi të cilin u bazua ndërhyrja e ushtarake e komunitetit ndërkombëtar në ish-Jugosllavi: Ndalimin e ndryshimit të kufijve me forcë. Rusia përdori precedentin e Kosovës, duke filluar me Gjeorgjinë veç pak muaj më vonë.
Por kjo i përket tashmë historisë. Kosova nuk do kthehet me Serbinë. Më shumë se gjysma e të gjitha shteteve e kanë njohur si shtet ish-provincën. Në Europë e kanë njohur 80 për qind e shteteve, dhe me arsye të fortë: Dështimi në integrimin e Kosovë vendos në rrezik sigurinë e tyre.
Kosova, një vend 1.8 milionë banorë, ka numrin më madh proporcional të qytetarëve në Europë që luftojnë me xhihadistët në Siri dhe Irak; 232 një vit më parë dhe s’ka dyshim që ky numër është rritur. Krimi organizuar ndërkufitar është zgjeruar, i ndihmuar nga korrupsioni dhe në disa raste nga bashkëpunimi në nivele të larta. Kështu që nuk ka asnjë kuptim që të lihet kjo lidhje e rrjetit të informacionit dhe inteligjencës së Europës e shkëputur. Ja si u shpreh Mustafa: “Njerëzit kanë shkuar në Siri dhe Irak dhe duhet të përgatitemi me pasojat kur ata të kthehen. Sepse ne kemi nevojë për bashkëpunim rajonal, ne kemi nevojë për akses për organizata ndërkombëtare si Interpoli. Po për ne procesi është zgjatur.”
“Pengesa për Europolin janë pesë vendet e BE që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet: Qipro, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja. Për Interpolin problemi është më i gjerë: Në nivel ndërkombëtar, Rusia dhe Kina përbëjnë problem për ne në Këshillin e Sigurimit, dhe pastaj vende të tjera mbajnë anën e tyre. E njëjta gjë ndodh dhe për anëtarësimin në Unesco.”
Rusia s’ka ndërmend të ndryshojë mendje për këtë çështje – të paktën jo derisa pjesa tjetër e botës të njohë Krimenë si ruse dhe territoret gjeorgjiane të pushtuara nga Rusia, Abkhazinë dhe Osetinë e Jugut, si të pavarura. Ndoshta kurrë. Megjithatë, ajo që ka më shumë rëndësi, është diçka që Rusia nuk e bllokon dot: integrimin e Kosovës në programe dhe struktura të BE.
Për këtë ndoshta mund të mos ketë kohë pa fund. Nacionalistët po forcohen në Ballkan si në vende të tjera në BE. Në Kosovë, ata janë mbledhur në partinë Vetëvendosje, e cila kërkon që qeveria e Mustafës të japë dorëheqjen për shkak të pranimit të marrëveshjes së bërë nën mbikëqyrjen e BE dhe që u jep autonomi të kufizuar serbëve etnikë të Kosovës në zona kufitare me Serbinë. Ata janë të zemëruar dhe marrëveshjen e qeverisë për të përcaktuar kufirin e Kosovës me Malin e Zi. Deputetët e opozitës kanë hedhur në vazhdimësi gaz lotsjellës në Kuvend.
“Kur kryeministrat rajonalë flasin me njëri-tjetrin, ne flasim për tendencat nacionaliste që shikojmë. Duhet të tregohemi të kujdesshëm që të mos zgjerohet.”
Populistët prekin çështje të ndjeshme. Papunësia në Kosovë është 35 për qind, dhe 61 për qind e popullsisë nën 25 vjeç. Kosova është bërë vendi më i varfër i Ballkanit, pjesërisht për shkak të izolimi në tregti, investime dhe udhëtime. Kjo i ka shtyrë qindra mijëra kosovarë të kërkojnë punë jashtë vendit – në BE.
Mustafa ishte në Londër të takohej me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e cila ndihmon për ndërtimin e një autostrade me Serbinë dhe në rindërtimin e një hekurudhe që lidh Serbinë, Kosovën dhe Maqedoninë. Ai dëshiron gjithashtu të aplikojë për anëtarësim në Organizatën Botërore të Tregtisë, por kjo mund të jetë e vështirë për shkak të votimit nga vendet anëtare.
Kohët e fundit, kërkoi të anëtarësohej në Unesco, organizata e trashëgimisë kulturore e OKB. Rusia ndihmoi Serbinë ta bllokonte kërkesën dhe Kosova mori tre vota më pak nga shumica e nevojshme. Popullsia e Kosovës mund të jetë më shumë se 90 për qind shqiptare, por shumë nga zonat e lashta në nevojë për mirëmbajtje dhe mbrojtje janë kisha ortodokse serbe.
Është e vështirë të imagjinosh Spanjën, e cila ka trajtuar keq dhe lëvizjen e saj separatiste në Katalonjë, të aprovojë shkëputjen e njëanshme të Kosovës. Si minimum, Spanja dhe miqtë e tjerë të Serbisë në BE mund të heqin dorë nga bllokimi i anëtarësimit të Kosovës në organizata me rëndësi. Simbolizmi është humbja më e vogël.