Para pak ditësh, në prani të mjaft personaliteteve të ndryshëm, u inagurua muzeu më i ri në kryeqytet, muzeu i Sigurimit të Shtetit. Ndërtesa misterioze e mbuluar dikur me vegjetacion, që më pas do të thirrej nga banorët e Tiranës si “Shtëpia me Gjethe”, ka shërbyer në periudhen e diktaturës si një nga strehat e Shërbimit Sekret, kryesisht në funksion të përgjimit të qytetarëve. Sot, pas një kontributi të gjithanshëm nga autoritetet, ish-oficerë të këtij shërbimi, arkivistë, historianë dhe muzeologë, u mundësua hapja për publikun e këtij muzeu të ri, shtuar rrjetit kombëtar të muzeve, hapësira që së fundmi i janë dedikuar dëshmimit të periudhës së diktaturës. Qoftë prej emrit simbolik, qoftë dhe prej historikut që bart, vizita e saj ishte e pashmangshme për ne, për të përjetuar nga afër atë që ngërthen kjo ngrehinë e pazakontë.
Muzeu dokumenton mjaft mirë atmosferën dhe inventarin material të një ambjenti shërbimi sekret. Është improvizuar e gjithë teknika e kohës me larminë e instrumenteve të sofistikuar që përdoreshin nga agjentët sekretë. Laboratorë të ndryshëm të ngritur rishtaz konkretizojnë proceset e përpunimit të të dhënave të shumta që grumbullonte shërbimi në punën e tij të përditshme. Pasi i hodhëm një vështrim të përgjithshëm ambjenteve të muzeut, na tërhoqi vëmendjen një kthinë në krahun e djathtë të ndërtesës e cila ishte përshtatur si një laborator me monitorë të madhësive të ndryshëm që shërbenin për të shfaqur imazhet e përcjella nga përgjimet filmike. Pas pak, aty na u afrua një burrë i moshuar, me kapele dhe me gjyslykë të errëta, i cili pasi këqyri rreth e përqark, na përshëndeti formalisht dhe shqiptoi diçka që na u duk si një komunikim në kod.
“Keni ardhur për Besnikun”, theu heshtjen zëri i tij i qartë; “Ju rrëfej unë për të” shtoi më pas bashkëshoqëruesi ynë, pa pritur përgjigjje nga ne që sakaq zgurdulluam sytë në heshtje, duke shfaqur dukshëm në fytyra moskuptimin e fjalëve të tij. “Kam punuar këtu që nga viti 1973 e deri sa më nxorrën me reformën”, shtoi burri qetësisht, sikur po saktësonte me veten. “Kam pritur kaq kohë që këto aparatura të vihen në punë” na u drejtua ai me një ton të sigurtë, duke na vështruar në sy, ndërkohë që rreth nesh u krijua një atmosferë e nderë, tensioni i së cilës ndjehej nga të pranishmit. “Dua që t’i bëj të njohur zotërinjve të shtypit disa sekrete që prej kohësh i mbaj me vete. Koha ka ardhur tashmë”, shtoi ai më pas, gati si në një prononcim mediatik.
Pa një pa dy, burri nxorri nga një trastë një objekt të paqartë, veshi një palë dorashka të pambukta dhe menjëherë iu drejtua një paisjeje si mobilje që ndodhej në skaj të dhomës. Pasi rakordoi për pak sekonda instrumentin me disa levizje energjike, të pazakonta per moshën e tij, u drejtua nga ne dhe tha, “Prisni”! Përsëri nga trasta nxorri një pult në formë katrore, dhe e shtypi që të ndizej monitori i madh dhe i vjetër që ndodhej në qendër të dhomës. Pas disa sekondash pauze dhe të një pulitje ritmike të ekranit, ai filloi të shfaqte imazhe disi të turbullta bardhë e zi. Në një moment në monitor u shfaq një burrë i ri, i hajthëm, rreth të tridhjetave, në një mjedis urban perëndimor. Pas një ecje përbri dyqaneve me vitrina llamburitëse, kur mbërriti në një cep të errët, befas ai nxorri një kavanoz të vogël nga xhepi i xhaketës, dhe duke parë sa majtas dhe djathtas, hapi kapakun dhe rrëkëlleu në gojë lëngun e kavanozit. Pas shfaqjes së këtyre imazheve realizuar nga një kënd i pjerrët lart-poshtë, dhe që pamundësonin identitetin e personit të filmuar, bashkëbiseduesi ynë misterioz shtypi sërisht pultin për të fikur monitorin dhe pasi lëshoi një psherëtimë të thellë, përhumbi shikimin tutje, mes hapësirës së dritares.
“Këtë filmim e ka realizuar shoku Maqo”, vazhdoi rrëfimin e tij burri misterioz. “Më thoshte me të madhe që po komplotohej kundër udhëheqjes, por unë nuk e besoja, se na ishin errur sytë”. “Maqo kishte lidhje krushqie me shokun Ferrosh, që na duall armik. Ashtu e pësoi dhe Maqo” tha burri. Pastaj në mënyrë solemne shtoi: “A e njihni personin në film”? Pa pritur përgjigjen tonë, vazhdoi: “Ai është Besniku, dora vetë, doktori i udhëheqjes”. “Besniku” kishte për mision të dërgonte kampionët e urinës së udhëheqësit në laboratorët e Parisit”. “Maqoja e kreu detyrën e tij, por armiku e kish shtrirë veprimtarinë e tij kudo, na kishte verbuar sytë si të thuash” vazhdoi burri. “Në raportin e shokut Maqo ishte e detajuar e gjithë veprimtaria e “Besnikut” ato ditë dimri kur ai vajti në Paris”. “Urinën e udhëheqësit e kishte zëvendësuar me shurrën e tij, dhe më pas, me analiza të manipuluara, udheheqësit iu përcaktuar një diagnozë e gabuar”, vazhdoi burri duke tundur një fashikull të daktilografuar, të zverdhur nga koha. “Kaq thellë e kishte menduar armiku përmbysjen e regjimit popullor”.
“Maqo i gjorë nuk u ndal me kaq, kish siguruar një kampion urine nga astari i xhaketës së “Besnikut”, që pas provës laboratorike nuk përputhej me shurrën që gjendej në shishe”. “Ishte e qartë se “Besniku” kishte shkëmbyer mostrat”, tha burri. “Ja”, vuri gishtin në letër burri, “në faqen njëzet e shtatë të raportit, Maqo shkruan se për këtë kishte pyetur dhe një dëshmitar, mjekun Nasuf Balo” “Nasufi thotë se atë mbrëmje shkurti, kur e priste “Besnikun” në ambjetet e laboratorit “Cabinets”, kishte ndjerë një aromë të çuditshme që vinte prej tij”. “Dyshimit të shfaqur të Nasufit për këtë anomali, “Besniku” i ishte përgjigjur shprehimisht; “çarapët e leshit, kam pa i ndrrue tan kto dit”.
“Pas vdekjes së udhëheqësit, nisa të kem dyshime dhe vajta të konsultohem më shokun Dylli Pepi, kryemjekun e udheheqjes, për të nuhatur se mos kish mundësi për ndonjë komplot”, tha burri. “Shoku Pepi ma preu shkurt; “Edhe sikur të këtë diçka, mbylle se na piu e zeza të tanëve tani”. “Kjo punë kështu vajti, të na rrojë Partia”, më tha”. “Më shqetësoi kjo mënyrë arsyetimi nga shoku Dylli, por megjithatë nuk e mbylla me kaq”, vazhdoi burri. “Shkova të gjurmoj në arkivë për të gjetur materialet e shkokut Maqo”. “Kur më ra në dorë raporti, shënimet e shumta dhe filmimet, ishte tepër vonë, kishte përparuar veprimtaria armiqësore dhe pushteti i Partisë ishte dobësuar. “Edhe në organet e sigurimit kishte leshko që dashur padashur bënin punën e armikut”, pohoi burri me siguri të plotë.
“Nuk ndenja duarkryq, dhe megjithë hezitimin që ndjeja, shkova dhe unë në grumbullimet e reaksionit që mbaheshin në Qytetin Studenti”. “U afrova edhe unë në tribunën ku mbanin fjalimet, medemek si teknik i paisjeve të zërit”. “Po të keni parë me vëmendje dokumentarët, jam ai burri me kostum me kuadrata që i rregulloj mikrofonat çdo folësi”.
Pasi ndenji pak sekonda pa lëvizur në heshte dhe duke parë tavanin, burri misterioz vazhdoi rrëfimin e tij me një ton lehtësues, sikur hoqi një barrë nga gjoksi. “Provën plotësuese të gjithë këtij hetimi nisur nga shoku Maqo, dhe që po e vazhdoja unë individualisht, e mësova pikërisht në atë miting”. “Pardesyja ngjyrë qumështi e “Besnikut”, tek pjesa e kraharorit, ende kutërbonte era urinë”. “Pikërisht ishte mbetja e urinës së udhëheqësit, e cila për shkak të sëmundjes, kish një dendësi të atillë, që po të bjerë në kontakt më ndonjë material të çfarëdoshëm, nuk shqitej kurrë”. “Megjithëse i kisha të tëra të provuara, situata në vend e pamundësonte zbërthimin dhe shpartallimin e këtij rrjeti agjenturor që na kish kalur si miu poshtë hundës për vite e vite me rradhë”. “Do ta merrja me vete në varr, por ja vendosa më në fund t’ua them“.
“Kush i është afruar “Besnikut” tërë këto vite të demokracisë, e ka ndjerë pamëdyshje aromën e shurrës që ai kutërbon”, tha burri. Pasi bëri një gjysëm rrotullimi për të na pasur përballë kur të fliste, burri vazhdoi: “Se i vinte nga rroba, apo i vinte nga goja era e urinës, këtë dilemë e kanë ata që i kanë qëndruar pranë, por këto njëzet e kusur vite ai ka i spërkatur të tërë me stërkalat që ka nxjerrë nga goja”. “E tërë shurra që ka pirë nga kavanozët e mostrës nuk kishte si t’i dilte ndryshe nga barku”.
Pasi tha këto fjalë, burri misterioz u drejtua nga hapësira në mes të murit prej nga futeshe në kthinë, dhe ngadalë humbi në fund të korridorit. Për disa minuta mbetëm të ngrirë dhe pafjalë, të befasuar nga ky rrëfim tronditës, mes monitorëve dhe paisjeve të regjistrimit që kishim pranë, që ashtu si ne dëgjuan gjithçka. Kishim kaluar një çast të gjatë nën efektin e këtij rrëfimi, gati si të ishim vetë dëshmitarë në të gjitha etapat e ndërtimit të këtij mozaiku misterioz, pamëdyshje intrigues. Ashtu të mpirë dhe zhytur në mendime, u endëm si pa e kuptuar dhe për pak mes korridorëve dhe kthinave të muzeut, duke u përpjekur të rindërtonim ngjarjen e rrëfyer. Në dalje, duke hedhur pas krahëve historinë e burrit misterioz, zbritëm shkujdesur shkallët e muzeut, “Shtëpisë me Gjethe”, së cilës vegjetacioni i dendur dhe gjethet e saj i kishin rënë prej shumë e shumë kohësh.