Në tetor të vitit 2000, shqiptarët votuan për pushtetin vendor. Ende pa u mbyllur kutitë e votimit, propaganduesit e qeverisë së asaj kohe filluan të pushtojnë hapësirën publike me termin “zgjedhjet më të mira në histori”. Ky model propagande i huazuar nga koha e komunizmit, hyn te ajo që ekonomistët e quajnë, bazë e ulët krahasimi, d.m.th, një krahasim i pavlefshëm.
Në zgjedhjet e vitit 2000, shqiptarët votuan në dy raunde për kryetarë bashkish e komunash dhe në një raund për këshilltarë bashkish apo komunash.
Këto qenë zgjedhjet e para pas vitit 1997. Dhe duke marrë parasysh zgjedhjet e vjedhura të vitit 1996, raporti përfundimtar i OSBE-ODIHR tha: “Zgjedhjet përbënë progres domethënës drejt arritjes së standardeve për zgjedhje demokratike të formuluara në Dokumentin e Kopenhagenit 1990”. D.m.th, zgjedhjet vështirë se mund të konsideroheshin si “me standarde”, por në krahasim me zgjedhjet e 1996 apo ato të vitit 1997, natyrshëm qenë “progres”.
Tetë muaj më vonë, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2001, situata duket se u përkeqësua. OSBE-ODIHR dhanë një vlerësim paraprak pozitiv, por në fund, e ndryshuan vlerësimin e tyre duke argumentuar se parregullsitë në zgjedhje qenë serioze. Ato sugjeruan ngritjen e një komisioni hetimor. Natyrisht, shqiptarët u bombarduan gjatë kësaj kohe me propagandën se zgjedhjet qenë “krahasimisht më të mira”.
Ndërkombëtarët nënvijëzuan se fitorja e Partisë Socialiste në zgjedhje nuk vihej në diskutim, por parregullsitë i dhanë asaj partie një prani parlamentare më të madhe se sa mbështetja reale. Kjo do të thoshte se PS nuk e kishte autoritetin moral të miratonte ligje me tre të pestat e votave të parlamentit pavarësisht se i kishte tre të pestat e parlamentit. Për rrjedhojë, Shqipëria hyri në një periudhë krize në procesin e integrimit në BE dhe në NATO. Kjo periudhë përfundoi kur Ilir Meta, kryeministri i zgjedhjeve të vitit 2001, u shkarkua si kryeministër, kur Partia Socialiste pushoi së pretenduari se zotëronte dy të tretat e parlamentit në mënyrë të ligjshme dhe hoqi dorë nga e drejta për miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar pa marrëveshje me opozitën. Në vitin 2003, një marrëveshje e gjerë politike krijoi pak a shumë atë sistem që kemi sot. Marrëveshja solli zgjedhjen e presidentit të parë dhe të fundit të kompromisit në Shqipëri dhe, sipas disa vlerësimeve, presidentin më dinjitoz të vendit. Ajo marrëveshje, më shumë se sa mbështetja popullore, solli fitoren e Partisë Demokratike në zgjedhjet e vitit 2005, të cilat, ndërkombëtarët i vlerësuan si zgjedhje që “përputheshin vetëm pjesërisht me standardet ndërkombëtare për zgjedhje demokratike”.
Këtu merr një kthesë të fortë edhe gjuha e vëzhguesve ndërkombëtarë. Të folurit për “zgjedhje paqësore” u ulën si peshë në raporte dhe u zëvendësuan me theksin te standardet e vërteta demokratike si ndalimi i blerjes së votës me thasë mielli, ndëshkimi i atyre që blejnë vota, atyre që i bëjnë presion punonjësve të shtetit, apo kërkesave për transparencë të financave të fushatave elektorale.
Misioni vëzhgues i OSBE-së dhe Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) i krahason zgjedhjet e një vendi anëtar me këto standarde. Ky dokument është bërë i detyrueshëm për Shqipërinë që nga anëtarësimi në OSBE në vitin 1991, për fat të keq, nuk është respektuar asnjëherë deri tani, përfshirë edhe zgjedhjet e vitit 2015.
Lexo më shumë: Dokumenti i Kopenhagës
Në vitin 2009, propaganduesit i përkisnin kësaj here Partisë Demokratike. Edhe ata pretenduan se zgjedhjet qenë “më të mirat në histori”. Për fat të keq, ato zgjedhje, siç u zbulua më vonë, shënuan lindjen e disa problemeve thellësisht negative për demokracinë, përfshirë, kontrollin për herë të parë pas kohës së komunizmit, të medias në mënyrë të centralizuar nga partitë politike. Vëzhguesit ndërkombëtarë vërejtën se si Partia Demokratike përdori burimet qeveritare dhe u bëri presion në nivele të neveritshme punonjësve të administratës publike të dilnin nëpër mitingjet e qeverisë. Raporti nënvijëzonte se Edi Rama, në atë kohë kryetar i Bashkisë Tiranë, bëri të njëjtën gjë, por në shkallë më të vogël, natyrisht, për shkak se pushteti i tij kishte përmasa më të vogla.
Një gazetar “demokrat” në konferencën për shtyp u ankua në një pyetje më shumë koment duke thënë se ai priste që vlerësimi për zgjedhjet të qe “një hap përpara në krahasim me zgjedhjet e vitit 2005” dhe se ai qe i habitur nga shtimi i kërkesave të ndërkombëtarëve. Një deputet anglez nga vëzhguesit u përgjigj duke thënë: “Ne do të kërkojmë më shumë”.
Një gazetar pyeti të hënën e kaluar vëzhguesit se si u dukeshin atyre zgjedhjet e vitit 2015 në krahasim me zgjedhjet e shkuara, dukshëm me shpresën se do të merrte një përgjigje në përputhje me vijën propagandistike të qeverisë për “zgjedhje më të mirë”, “krahasimisht më të mira” e të tilla si këto. Por u zhgënjye. Ambasadorja Glover tha: Ne nuk i krahasojmë zgjedhjet me të shkuarën por me standardet”.
Standardet pra, ato të përcaktuara nga dokumenti i Kopenhagës, janë njësia matëse për cilësinë e zgjedhjeve. Çdo togfjalësh tjetër, qoftë ky edhe i vërtetë në mënyrën mekanike të të shprehurit, nuk përbën asgjë tjetër veçse propagandë.
Shqiptarët votuan të dielën e kaluar!
Raporti paraprak i OSCE-ODIHR i publikuar të hënën më 22 qershor vërejti mungesën e disa standardeve të përcaktuara në dokumentin e Kopenhagës:
- Pati raste të vëzhguara të frikësimit të votuesve dhe shkelje të paragrafit 7.7 të Dokumentit të Kopenhagës, i cili thotë se votuesi duhet ta hedhë votën pa patur frikë për pasoja. Dmth, kriteri nuk është që domosdoshmërisht të ketë raste në numër të madh kur votuesit kanë pësuar hakmarrje për shkak të votës që kanë hedhur. Vetëm ekzistenca e frikës mjafton që zgjedhjet të quhen jo në përputhje me standardet. Asnjë politikan, në të majtë e në të djathtë, vështirë se mund të mohojë ekzistencën e modelit aktual politik të Shqipërisë për vende pune në këmbim të votave, apo të shpërndarjes së ndihmës ekonomike apo ndihmës për aftësi të kufizuar në shkëmbim të votës.
- Pika e dytë e shkelur është paragrafi 5.4 i Dokumentit të Kopenhagës. Raporti paraprak i vëzhguesve, vëren se figura të larta nga partitë më të mëdha në qeverisje shpërndanë dokumente legalizimi në takime elektorale, një numër kandidatësh të Aleancës për Shqipërinë Europiane përdorën ngjarje dhe burime shtetërore për fushatat e tyre elektorale dhe se këto gjëra zhdukën dallimin mes shtetit dhe partisë në qeverisje. Është shumë ironike që, në vitin 2009, vëzhguesit e OSBE patën hartuar të njëjtën vërejtje për qeverinë Berisha, e cila, gjithashtu shpërndau certifikata pronësie para zgjedhjeve apo përuroi rrugë në fushatë duke argumentuar se këto përurime qenë “punë të zakonshme të qeverisë” dhe jo “fushatë elektorale”.
Ndonëse duket si një kërkesë e tepërt që t’i kërkosh politikanëve shqiptarë të bëjnë dallimin mes shtetit dhe partisë, në fakt nuk është aspak e tillë. Kur Berisha, apo Rama, shpërndajnë certifikata legalizimi para zgjedhjeve, ata në fakt i japin qytetarëve atë që me ligj u takon, por me kërcënimin se ligji nuk do të zbatohet dhe e drejta nuk do të përfitohet nga ata që mendojnë të votojnë ndryshe. E drejta, qoftë ajo një certifikatë legalizimi apo kompensimi financiar i të përmbyturve të vitit 2011 në Shkodër, apo kompensimi i ish të përndjekurve të komunizmit për vitet e burgut, nuk mundet dhe nuk duhet të jepen në shkëmbim të votës, në periudha parazgjedhore apo në ndonjë mënyrë që sugjeron se zbatimi i ligjit varet nga vota që merr njëra parti apo një tjetër. Ligji është ligj dhe duhet të zbatohet përgjatë të gjithë kohës, jo të zbatohet më shumë para zgjedhjeve. Në këtë pikë, Berisha i vitit 2009 dhe Rama e Meta në vitin 2015 janë shkelës të standardeve. Mund të hajë debat se cili qe shkelës më i madh, por fakti është që shkelja është gjithmonë shkelje. Standardet e zgjedhjeve nuk janë zbatuar. Zgjedhjet nuk mund të jenë “më të mira” apo “më të këqija”. Ato duhet të jenë zgjedhje në përputhje me standardet e Dokumentit të Kopenhagës.
- Pika tjetër e shkelur, paragrafi 5.10 i Dokumentit të Kopenhagës, lidhet me vendimmarrjet e komisioneve zgjedhore dhe gjykatave, të cilat nuk dhanë zgjidhje efektive për ankesat dhe padrejtësitë. Udhëheqësit politikë mund të justifikohen duke argumentuar që fajin për këto shkelje e kanë KQZ apo Kolegji Zgjedhor. Kjo vështirë se mund të na mbyllë sytë. KQZ dhe gjykatat janë ajo çfarë politika e krijuar nga marrëveshja politike e vitit 2003 kanë krijuar. Për “vendimet inkonsistente” të KQZ-së, siç i quajti me delikatesë raporti i OSBE-ODIHR, përgjegjës janë njerëzit që i kanë emëruar dhe që i mbajnë ato anëtarë KQZ-je.
***
Standardet zgjedhore janë aty, të përcaktuara nga Dokumenti i Kopenhagës. Zgjedhjet ose i përmbushin këto standarde, ose nuk i përmbushin. Zgjedhjet shqiptare nuk janë vlerësuar ndonjëherë si “në përputhje me standardet”. Zgjedhjet e vitit 2015 nuk përbëjnë përjashtim.