Është qesharake se si e shprehin njerëz të thjeshtë, lartë e poshtë dëshirën për zgjedhje sa më të shpeshta. Kanë, mesa duket leverdi të doroviten e të dorovisin, në një qarkullim vicioz, para taksapaguesish, duke mos bërë asgjë tjetër gjithë ditën. Jo më zgjedhje një herë në dy vjetë, as nga një herë në vit, por një herë në 6 muaj! Kjo sepse mesa duket qenka shqyer thesi lart e poshtë.
Për plot 5 dekada vota e lirë ka qenë vetëm një shprehje e demagogjisë që nuk na la rehat ne “popullin më të lumtur në botë”, pasi pluralizmi veç të tjerash ishte i dënueshëm me ligj. Sot sërisht, disa zogj të papërgjegjshëm shqipesh të përdala, po e tërheqin qorrazi këtë popull prej hunde, në një terr antidemokratik. Këta blerës ose jane tiranikë të ethshëm, ose fshatarë të pandreqshëm. Askush nuk ka pse të thotë tashmë mjerë populli. Është situatë e përsëritur ndër vite.
Jo më larg se mbrëmë mora vesh se votuesve të pavendosur ose ‘fleksibël’ në pazarin e gjësë së gjallë, u ofrohet një sasi më e madhe se 10 mije lekë të rinj, për votën e tyre dhe shumëfishin e kësaj shifre, për vota të siguruara subjektit që “kollitet fort” nga portofoli. Nga ana tjetër absurdi piktoresk autokton… Militantëve të hershëm çuditërisht nuk i paguhet asnjë kacidhe, edhe pas kërkesave të 15-fishuara. Këtyre të gjorëve ua kanë pirë lëngun. Kjo politikë është fine dhe e rafinuar, po aq sa një bajgë e freskët. E vetmja përshtypje e fortë që të lë bajga, është neveria e erës së rëndë të fermentimit dhe kaljbjes në zorrët e shtazës së ngratë.
Në fushatat e shkuara një post deputeti i ka kushtuar forcave politike shifra marramendëse. Para këto me një prejardhje jo fortë të saktësuar. Për një post të tillë, një forcë politike, ose kandidat përllogaritet të shpenzojë nga 100 mijë deri në 2 milion euro. Para dy vjetësh në qytetin e Lezhës për shembull, thuhet se një votë është kuotuar minimalisht 50 euro dhe maksimalisht 150 ose 170 euro.
Të luash bixhozin e politikës, ose të skllavopronarisë a feudalizmit në të cilin po rikthehemi, do goxha këllqe. Do muskuj të fortë, për të hedhur zarat larg, nerva të qeta të mbruajtura me “qetësi dhe dashuri” dhe xhepa të thellë ose dorë që ngjit shumë e kudo. Ne e kemi popullin pehlivan e shakadashës, ndaj shumëkush mund të thotë: Pse jo! Ka para, le t’i hedhi në lumë! Por a ka ende derdimenë sot në 2015? Nga ata lloj derdimenësh që i hedhin paratë kot më kot?
Me gjithë dëshirën tonë të mirë, nuk ka. Ajo shumë, le të themi 100 mijë euro, që është shpenzuar gjatë tureve, mitingjeve (sepse mileti nuk te ndjek nga mbrapa qyl) e së fundmi votimeve, përllogaritet se do të rikalojë në duart e triumfuesit, në formën e buxhetit e investimeve të tjera të llojeve të ndryshme etj. Ky zotëri, ose zonjë, nuk është çudi që me anë të makinacioneve tashmë të kalibruara e të stërtestuara, të ndajë mënjanë atë 100-shen “e tij”, në mos diçka më tepër, që do të ishte edhe fitimi i tij në këtë tavolinë kumari.
Pra përgjigjia për pehlivanët pa mend është e thjeshtë: Zotërinj, posterat, panfletet, flamujt, banderolat, skenat, këngëtarët, fishekzjarrët, xhinset, celularët, mediat dhe koha në to e së fundmi vota, nuk blihen me lekët e “atyre”, por me paratë tona të munguara. Skema është tejet elementare. Këta të hatashmit gazmorë, me inteligjencë bohemiane, imagjinues trashamanë dhe tralalisës përtej këngëve popullore me frymëzim të djathtë a të majtë, e kanë kositur mirqënien e këtij populli. Madje e kanë mohuar atë, si një probabilitet i pa leverdisshëm. Madje ndër ta do të ketë ndoshta edhe nga ata që ankohen se blerja e fushatës së sivjetshme, u ka kushtuar shumë më shtrenjtë nga sa e kishin planifikuar.
Afërmendsh, ky popull e paska ende në terezi, për ta shitur një copë votë! Por tek e fundit çfarë është vota në krahasim me paranë?! Është më pak se një njollë në një letër, ku miqësisht është vendosur paqe midis doktrinave. Ose për më saktë, paqe mes popullit dhe doktrinave. Këto të fundit në fakt nuk janë fort të koklavitura. Nuk mund të thuhen as në numrin shumës madje. Mund të thuhet thjesht doktrina. Përmbajta e saj është shumë e thjeshtë. “Ne pakica e paskrupullt fitojmë, ju shumica humbisni. Kështu ka për të qenë në kohë të kohëve dhe ju nuk mund të gjeni asnjë derman, sepse ne ju kemi përcjellë me kohë si kufoma në gropë, pa ju bërë as nderimet e fundit.”
Më gumëzhin fshehurazi e përhumbëtazi në mendje ajo ç’ka shkrova më lart: paqe mes popullit dhe doktrinave. Psalme serioze e zyrtare që sanksionojnë e dekretojnë jetën e individit të thjeshtë. “Doktrina” që i orientojnë për shembull femrat e bukura që të mos rrefuzojnë dot kërshërinë e detyrimit për të pasur në krahë një mashkull të pasur. Kjo për të vetmen arsye se duhet shmangur trysnia e të tradhëtuarit me të pasurin e rradhës. Mos u çudisni! Edhe kjo politikë është. E ngjashme me politikën e çaplyer të një zyrtari të lartë, i cili përfaqëson një forcë politike, për shembull të djathtë, e befas vendos të ndërrojnë orientim, duke anuar majtas.
E vetmja gjë që anon majtas ose anasjelltas, tek këta fekale me kollare, është ai xhepi i tejngopur. I kam të qartë disa syresh. Me ato llogaritë bankare personale qesharakisht gati krej të përthara. Me atë skamjen në dukje të thellë edhe për bukën e gojës! Por çuditërisht në emër të bashkshortes dhe fëmijëve figuron një sasi jo edhe aq qesharake të hollash. Qesharak do të qe statusi i këtyre të fundit. Një shtëpiake dëshpërimisht e pa ngushëllueshme dhe dy studentë, të cilët gjatë periudhës së gjimnazit, si me magji janë bërë me shtëpi personale në kryeqytet. Ky zyrtar i lartë nuk i ka shitur dhe nuk i shet kurrë parimet e tij. Por cilat janë ato?! Mos vallë të njëjtat parime me ato të një sipërmarrësi?! Ndoshta indinjata e tij, karshi politikave të përdala të partisë në të djathtë, e kanë shtyrë atë majtas, duke kapërcyer në politikat puritane të yshtura me qetësi dhe dashuri!
Ja shembulli i përkryer i prostituimit të ambicieve, po aq sa edhe shembulli i përsosur i absolutizimit të pushtetit. Asnjë shkelje e filozofisë dhe doktrinave humaniste të djathta e të majta, nuk shkakton aq shumë ethe nervore në një fazë të rëndë, si ethet që shkakton ajo shkelja hipotetike me këmbë e rryshfetit të çmuar. Tek e fundit filozofia sot mbetet të jetë asgjë më shumë se bojë që formon fjalë, ide të gjata e të stërholluara nëpër libra. Ndërsa jetën e çojnë njerëzia përpara. Në optikën intrigante të një udhëheqësi politik, këta njerëz janë si saiborgët. Mendja e tyre ka programe të manipulueshme, të përbëra nga njësha e nga zero. Praktikisht njëshat do të mbeten ata, të paktët, ndërsa ju e mua personalisht, na mbetet të jemi vetëm një, në shumë zero.
Falë zotit askush nga ne nuk e përjeton seriozisht fushën e shkencës dhe arsyes! Shqipëria do të qe shumë më ndryshe… Përjetojmë pakëz atë që do ta quaja diplomaci mes dijes, mosdijes dhe leverdisë për të shfaqur secilën nga këto të dyja. Veç tonit ironik të mendjemadhësisë, që mburr e larton skëterrat e qënies njerëzore, asgjë tjetër nuk mund të gjenerojë kjo diplomaci liberalo-alabake.