…vazhdim
Nga fillimi i 2012-ës, Arabia Saudite, Katari, Turqia dhe SHBA ishin përfshirë gjerësisht në mbështetje të rebelimit të armatosur kundër Assad-it. Në teori, përkrahja amerikane për Ushtrinë e Liri Siriane ishte e kufizuar në “furnizime jo vdekjeprurëse” nga qeveria dhe CIA. Katari, i cili e kishte mbushur me opozitën, Këshilli Kombëtar Sirian, me anëtarë të Vëllazërisë Myslimane, vepronte pa kufizime të tilla. Një radhë avionësh transporti të ngarkuar të Katarit u ngrit nga Al Udeid dhe u nis drejt Turqisë, prej nga ngarkesa vrasëse kalonte në Siri.
“Katari nuk bënte dallime në njerëzit që u jepte armë”, më tha ish-zyrtari i Shtëpisë së Bardhë. “Ata thjesht derdhnin furnizime te marrësit fatlumë”. Kryesorë mes fatlumëve ishin al-Nusra dhe al-Sham, të cilat kishin përfituar nga përdorimi i një strategjie të themeluar nga Osama bin Ladeni. Një vit para se të vritej, bin Ladeni ishte ankuar për dëmin që i kishin shkaktuar degë të Al Kaedas, si në Irak, me oreksin e saj për të prerë koka dhe krime të ngjashme, imazhit të organizatës së tij. Ai e orientoi stafin e tij të mediave të përgatisnin një strategji të re që do të shmangte “gjithçka që do të kishte ndikim negativë në perceptimin” e Al Kaedas. Mes propozimeve të reja që u biseduan në qendrën e tij ishte një element i thjesht për ndryshimin e emrit të organizatës. Kjo strategji u zbatua në mënyrë graduale për degët e reja të organizatës, duke e lejuar Nusrën dhe Ahrar al-Sham të shfaqeshin përpara naivëve si islamistë më të butë.
Programi i riemërimit u ndihmua për koincidencë nga ngritja e Shteti Islamik, një grup që ishte shkëputur nga Al Kaeda pjesërisht për mos qeni dakord me zbutjen e imazhit të udhëzuar nga Zawahiri. Megjithëse Shteti Islamik tërhoqi shumë dezertorë dhe siguroi territor në kurriz të ish-partnerëve të Nusras, reputacioni i tij për barbari ekstreme i bëri grupet e tjera të dukeshin më njerëzorë (Sipas Daveed Gartenstein-Ross, bashkëpunëtor i Fondacionit për Mbrojtje dhe Demokraci, shumë anëtarë të Nusras dyshojnë që Shteti Islamik u krijua nga SHBA për të diskredituar xhihadin).
Ndërkohë, Arabia Saudite, e nxitur mës së pari nga armiqësia e saj me Iranin, mbështetësi kryesor i Assad-it, ishte e gatshme të mbështeste kryqëzatën kundër Assad-it. Deri në dhjetor 2012, CIA merrej me rregullimin e transportit të masave të mëdha armësh, paguar nga sauditët, të kalonin nga Kroacia në Jordani e pastaj në Siri.
“Sauditët preferonin të punonin me ne”, shpjegoi ish-zyrtari i Shtëpisë së Bardhë. “Ata nuk kishin aftësi të gjenin armë. Ne ishim ndërmjetësit, me një farë kontrolli mbi shpërndarjen. Pala amerikane kishte një farë iluzioni të dukshëm se armët saudite do të shkonin për grupe me qëndrim të mundshëm pro perëndimor”. Ky ishte një iluzion i çuditshëm, nëse kemi parasysh kulturën e errët vehabiste të Arabisë Saudite dhe deklaratën e qartë të Sekretares së Shtetit Hillary Clinton, në një mesazh të klasifikuar më 2009, që “donatorët në Arabinë Saudite përbëjnë burimin kryesor për financimin e terroristëve sunitë në gjithë botën”.
Disa në rrethet inteligjente mendojnë se ky lloja financimi vazhdon ende. “Sa para nga Arabia Saudite dhe Katari – nuk them fonde qeveritare, por që qeveria ka mbyllur njërin sy – dërgohet drejt ISIS?” Më pyeti Dearlove në korrik 2014. “Që ISIS të jetë në gjendje të zgjerohet në territoret suni në Irak në mënyrë që e ka bërë kohët e fundit kjo kërkon financime të mëdha dhe të vazhdueshme. Gjëra të tilla nuk ndodhin në mënyrë spontane”. Ata që sulmohen nga ISIS priren të jenë dakord. I pyetur se ç’mund të bëhej për të ndihmuar Irakun pas sulmit të ISIS më 2014, një diplomat irakian u përgjigj: “Bombardimi i Arabisë Saudite”.
Pavarësisht rrjedhës së parave, sauditët përfunduan duke krijuar koalicionin e tyre. “Sauditët nuk e armatosën kurrë al-Nusrën”, kujtoi këshilltari i shteteve të Gjirit. “Ata e llogaritën që do të kishte oreks për milici me anim islamist. Prandaj formuan një ombrellë rivale të quajtur Jaish al-Islam. kjo ishte alternativa saudite – islamiste, por jo Vëllazëria Mylsimane”.
Duke pasur parasysh që Jaish al-Islam në fund u përgjigj para princit Bandar, i cili mori kreun e shërbimit inteligjent saudit më 2012, në këtë grup nuk kishte shumë hapësirë për vlera perëndimore. Lideri i tij, Zahran Alloush, ishte djali i një studiuesi fetar sirian. Ai u foli me respekt për vlerat e tolerancës gazetarëve perëndimorë, por kalonte te temat politikisht jo korrekte, si përzënia e alevitëve nga Damasku, kur u fliste bashkëpunëtorëve të tij xhihadistë. Në të njëjtën kohë, të rinjtë sauditë shkojnë lumë në Siri, të gatshëm të luftojnë për çdo grup ekstremist që pranon, edhe kur këto grupe filluan të luftonin mes tyre. duke parë numrin e madh të të rinjve sauditë në vijat e frontit në Siri, një drejtues televiziv saudit deklaroi se “djemtë tanë po luftojnë në të dyja anët” – duke nënkuptuar Nusrën dhe Shtetin Islamik. “Sauditët”, klithi ai, “po vrasin njëri-tjetrin”.
Vendosmëria e Turqisë (një aleat i NATO-s) dhe Katarit (strehuesi i bazës amerikane më të madhe në Lindjen e Mesme) për të mbështetur grupet xhihadiste u bë e dukshme haptazi në fund të 2013-ës. Më 6 dhjetor, luftëtarë të armatosur nga Ahrar al-Sham dhe milici të tjera bastisën magazinat në Bab al-Hawa, në kufi me Turqinë, dhe morën furnizime që i përkisnin Ushtrisë së Lirë Siriane. Një takim i një grupi ndërkombëtar koordinimi për Sirinë, të ashtuquajturit Njëmbëdhjetëshi i Londrës, u organizua për një javë më pas. Delegatë nga SHBA, Europa dhe Lindja e Mesme u detyruan të pranonin të dënonin grupin xhihadist grabitës.
Megjithatë, turqit dhe katarasit nuk pranuan të firmosnin. Siç më tha një nga pjesëmarrësit më vonë, “Të gjitha vendet në dhomë [e kuptuan] që kundërshtimi i Turqisë për të dënuar Ahrar al-Sham-in vinte prej faktit që ajo e i mbështeste ata”. Përfaqësuesi i Katarit këmbënguli që ishte kundër produktive t’i dënoje grupe të tilla si terroriste. Nëse vendet e tjera e bënin këtë, ua bëri të qartë ai, Katari do të hiqte dorë nga bashkëpunimi në Siri. “Ata thoshin qartë dhe thjeshtë se, nëse ju i emërtoni si terroristë, ne do të marrim topin tonë dhe do kthehemi në shtëpi”, më tha një burim. Delegati amerikan tha se Fronti Islamik, një organizatë ombrellë, ishte i mirëpritur në tavolinën e bisedimeve – por Ahrar al-Sham, që ishte anëtari kryesor i tij, nuk mund të merrte pjesë. Diplomatët punuan për komunikatën, bënë lëshime, përshtatën gjuhën. Versioni përfundimtar nuk përmbante asnjë dënim, apo për mendje të Ahrar al-Sham.
Dy vjet më vonë, aftësia e Uashingtonit për mohim përballë fakteve që nuk i shkonin shtat mbeti e pandryshuar. Duke folur për dominimin e ekstremistëve në opozitën siriane, Leon Panetta, një ish-drejtor i CIA-s, ka fajësuar dështimin tonë për të armatosur të moderuarit. Pasojat katastrofike të kësaj qasjeje në Libi përmenden rrallë. “Nëse do të kishim ndërhyrë më butë në Siri”, thotë Gartenstein-Ross, “skenari më i mirë ndoshta do të kishte qenë një Libi tjetër. Që do të thotë se do të ishim ende duke u marrë me një shtet të shembur dhe të përhapur në shtetet e tjera të Lindjes së Mesme dhe Europë”.
Edhe ndërsa ne kemi vazhduar fushatën tonë zhgënjyese të bombardimeve kundër Shtetit Islamik, Ahrar al-Sham dhe Nusra po i afrohen gjithnjë e më shumë respektit ndërkombëtar. Një muaj pas takimit të Njëmbëdhjetëshit të Londrës, një grup studiuesish nga Instituti Brookings publikoi një op-ed në mbrojtje të Ahrar al-Sham: “Projektimi i grupit si organizatë terroriste mund të ketë pasoja të kundërta duke e shtyrë krejtësisht në kampin e Al Kaedas” (Granti i kohëve të fundit prej 15 milionë dollarësh i Katarit për këtë institut ishte padyshim koincidencë).
Gjatë vitit të kaluar, figura të tjera të shquara kanë bërë thirrje për marrëdhënie më të ngushtë me zgjerimin e riemërtuar të Al Kaedas. David Petraeus, një tjetër ish-drejtues i CIA-s, ka mbrojtur idenë për armatimin të paktën pjesët më “të moderuara” të Nusras. Robert Ford, një ish-ambasador në Siri dhe një mbështetës i zjarrtë i kauzës rebele, i bëri thirrje Amerikës të “hapë kanalet e dialogut” me Ahrar al-Sham, edhe nëse anëtarët e saj kishin masakruar me raste alavitët dhe kishin shkatërruar vendbanimet e krishtera. Edhe Foreign Affairs, një bord i njohur për iluminizëm, u ka bërë jehonë këtyre ideve, duke sugjeruar që ishte koha që SHBA të “të rishikonte politikën e saj karshi Al Kaedës, sidomos vendosjen në shënjestër të Zawahiri”.
“Le të jemi të drejtë me CIA-n”, tha Benazir Bhutto, ish-kryeministria e Pakistanit, më 1993, kur pasojat e forcimit të xhihadit po bëheshin të dhimbshme dhe të qarta për sponsorët e tij. “Ata nuk e dinin se njerëzit që stërvitnin të luftonin kundër sovjetikëve në Afganistan një ditë do të kafshonin dorën që i ushqente”.
Në terren gjërat janë më të qarta. Jo shumë kohë parë, shumë larg nga institutet dhe dhomat informative ku formulohen e përpunohen politike, një djalë i vogël në zemër të territorit të Nusrës po i rrëfente, në lidhje me Osama bin Ladenin, një regjisori të Vice News. “Ai u kalli datën amerikanëve”, tha ai. Përkrah tij, vëllai i tij, një fëmijë edhe më i vogël, përshkroi të ardhmen e tij: “Të bëhej luftëtar vetëvrasës në shërbim të Zotit”. Një autobus i mbushur me fëmijë, u pyet se cilin grup i përkisnin: “Al Kaeda, Al Kaeda,” u përgjigjën ata me gëzim.