Të martën në mbrëmje në Beograd nisi një ndeshje, por nuk mbaroi. Ndeshja eliminatore për Euro 2014 mes Serbisë dhe Shqipërisë u ndërpre në pjesën e parë pasi një mini-helikopter që mbante hartën e të ashtuquajturës Shqipëri e Madhe fluturoi mbi fushë, duke shpërthyer një sherr masiv që përfshiu lojtarët e të dyja palëve, rojet e fushës dhe tifozët.
Skenat ishin të paharruara. Lojtarët luftonin njëri-tjetrin, njëri prej tyre u godit me karrige nga njëri prej shumë tifozëve që pushtuan fushën, nga shkallët u hodhën shumë fishekzjarrë e sende të tjera. E brenda gjithë kësaj gjendej një fytyrë e njohur që ta shikoje aty ishte po aq tronditëse sa pjesa tjetër e rrëmujës. Faktikisht ai nuk bëri shumë, por sigurisht që rroku vëmendjen e medies në gjithë botën.
Ai quhet Ivan Bogdanov dhe për herë të fundit bëri lajm një natë tetori më 2010, i ulur mbi një gardh, me fytyrën mbuluar me maskë, trupin të mbuluar tatuazhe, me pinca teli në dorë. Atë natë ai priste rrjetën e telit që ndante tifozët serbë nga ata italianë në stadiumin e Genoas, gjatë një eliminatoreje tjetër të lënë në mes.
Gjëja më goditëse nga pamja e tij ishte qetësia me të cilën vepronte. Nuk dukej se kishte frikë nga policia apo që trembej për pasojat, ai vazhdoi t’i inkurajonte tifozët të merrnin pjesë aksion, sigurisht me qëllim që të provokonte ndërprerjen e saj. Më vonë mësuam se gjithçka ishte parapërgatitur shumë kohë përpara, që Bogdanovi dhe shokët e tij arritën në Genoa tre ditë para ndeshjes dhe që – paka orë para ndeshjes – ata shkuan te autobusi i ekipit serb dhe sulmuan portierin Vladimir Stojkoviç, i cili kishte ikur nga Ylli i Kuq (klubi që ai mbështet) dhe kishte shkuar te Partizani, ekipi rival, nja dy muaj më herët.
Shumë teza u hodhën se kush fshihej realisht pas këtyre incidenteve dhe cilat ishin motivet e vërteta. Ultrasit serbë, sidomos ata që ndjekin Yllin e Kuq, që janë të shumtë dhe të organizuar mirë, shumë rrallë e shoqërojnë ekipin kombëtar. Edhe nëse disa prej tyre shfaqen në ndeshje, ata janë të detyruar të veprojnë si individë dhe mohojnë përfshirjen e ndonjë firme të veçantë. Megjithatë, te gardhi në Genoa, Bogdanovi u shfaq me bluzë me logon e firmës së tij, diçka e panatyrshme.
Rivaliteti tradicional mes ekipeve më të mëdha serbe u braktis menjëherë, në favor të një konteksti politik ose kriminal më të gjerë. Mediet spekuluan se Bogdanovi dhe shokët e tij ishin paguar që të ndalonin ndeshjen në Genoa, por nuk kishin të njëjtin shpjegim për arsyet pse ose kush fshihej pas tij[..]
Pas incidentit në Genoa, Bogdanovi u mbajt në një burg italian për disa muaj, pastaj u transferua në Serbi, ku e priste një tjetër masë dënimi për një incident tjetër. Rreth dy muaj e gjysmë pas ndeshjes në Itali ai u lirua nga burgu. Në shumicën e vendeve evropiane po të përfshihesh në një incident futbolli të një profili kaq të lartë do të ishte dënuar me mospjesëmarrje në stadium për një kohë të gjatë – ndoshta për jetë – por gjëra të tilla nuk ndodhin në Serbi. Bogdanovi u kthye në stadium në ndeshjen e radhës, e një muaj më vonë ai u fotografua në krye të tifozëve të Yllit të Kuq gjatë “derbit të përjetshëm” të Beogradit.
Veprimtaria e tij në Itali e kishte bërë të njohur në stadium dhe tre muaj më vonë pas lirimit, ai u shfaq në TV përsëri. Ylli i Kuq luajti kundër Chornomorets Odessa për Europa League, dhe, pas një vendimi të diskutueshëm penalltie, nisi një rrëmujë e vogël.
Policia ukrainase ia doli ta vendoste situatën nën kontroll menjëherë, por shumica e njerëzve që panë ndeshjen në Serbi nuk mund të mos e vinin re praninë e Bogdanovit aty. “Si dreqin shkoi ai në Ukrainë?” ishte komenti më popullor në një nga websitet serbe kryesore serbe. Pastaj erdhi ndeshja me Shqipërinë dhe Bogdanovi ishte aty.
Megjithatë, kjo tingëlloi pak më ndryshe – dhe nëse pati ndonjë gjë të mirë që doli nga ato skena të tmerrshme të martën, ishte fakti që publiku serb dukej se ishte kthyer kundër tij. Pati më pak justifikime të tipit “po, por ata e nisën” dhe më shumë një dënim për praninë e tij, jo vetëm në shkallë, por dhe në fushë […]
Pati një kor publik në Twitter dhe Facebook me shumicën e njerëzve të tronditur që Bogdanovi ishte lejuar të hynte në ndeshje, dhe të mendoje që katër vjet pas Genoas ai do të merrte pjesë në një shkatërrimin e një ndeshje ndërkombëtare, u prit thuajse unanimisht me neveri.
Ky është një hap përpara për një shoqëri që ka vështirësi të pranojë problemet e saj. Shpresohet që mediet të ecin në këtë drejtim. Duke i dhënë atij nofka si “Ivani i tmerrshëm” ose “Bisha e Genoas”, mediet punuan në favor të tij se vetëm i rritën reputacionin mes shokëve të tij. Njeriu që deri atë natë në Genoa nuk ishte i njohur as mes shokëve të tij tifozë të Yllit të Kuq, u kthye në një celebrity ndërkombëtar, duke fituar përkrahje dhe admirim nga shumë drejtime, duke u bërë edhe fytyra e një lëvizjeje ndërkombëtare ultrasish.
Megjithatëë, shpresohet që dallga është kthyer dhe federata serbe dhe qeveria do të veprojnë. Do të jetë një udhëtim i gjatë, por një udhëtim që më mirë të nis me trajtimin problemeve si Ivan Bogdanov. Është radha juaj, qeveri dhe federatë serbe.
Autori është redaktor sportiv i B92.net.