Ben Blushi dhe Ergys Mërtiri shkëbyen disa replika rrufe javën e kaluar në Opinion, dhe ato pak sekonda u bënë lajm të nesërmen, fillimisht nga një portal, pastaj nga medie të tjera, sikur Ben Blushi ishte kërcënuar. Sipas lajmit, zoti i Mërtiri i kishte thënë zotit Blushi të ruhej nga ndonjë plumd qorr. Raportimit të shfaqur fillimisht në protalin Lapsi.al, pa nënshkrues, i mungonin vetëm dy gjëra: objekti i lajmit dhe etika profesionale.
Lajmi pa ngjarje
Në gazetari, e kudo, mund të thuhet që dikush është kërcënuar, kur një person i caktuar e deklaron se është i kërcënuar, ose kur ka të dhëna të mjaftueshme që ai është i kërcënuar por, nga presioni, ka frikë ta deklarojë një gjë tillë. Një lajm për kërcënimin e Ben Blushit mund të publikohej, në rast se ai do të kishte bërë padi në prokurori, kur të ankohej se Ergys Mërtiri e kishte kërcënuar në emisionin Opinion. Një padi e tillë nuk u bë dhe, për ata që e kanë ndjekur emision (unë e ndoqa direkt), shpejgimi gjendet po në atë emision.
Zoti Blushi nuk beson, siç u shpreh në Opinion, që fjala është e plumb, dhe, për rrjedhojë, kjo bindje i shërben atij si antikorp ndaj çdo kërcënimi verbal. Antikorpi ia zhbën atij mundësinë që të perceptojë kërcënime të këtij lloji. Nëse Blushi do të pretendonte se ishte kërcënuar, pra, nëse do të kishte perceptuar kërëcnimin, atëherë ai do të kishte dalë kundër fjalëve të tij, që fjala nuk është plumb. Dhe, në vend të gardianit të fjalës së lirë, Ben Blushi do t’i prezantohej publikut si një hipokrit. Por, kjo nuk ndodhi.
Një padi nga zoti Blushi, ose thjesht deklaratë publike me shqetësimin e kërcënimit, do të tingëllonte e pabesueshme dhe për një arsye tjetër. Nëse ai do të ndihej i kërcënuar nga zoti Mërtiri dhe do të reagonte kundër tij, atëherë i takonte – në botëkuptimin e Blushit – që zotit Mërtiri t’i kufizohej e drejta e fjalës, ose ndaj tij të merreshin masa vetëm për faktin se kishte ushtruar një të drejtë themelore të njeriut, të drejtën e shprehjes. Kujtojmë që zoti Blushi në atë emision mbrojti idenë që fjala e lirë nuk mund të kufizohet, në asnjë mënyrë. Çdo reagim ndaj zotit Mërtiri, përfshi dhe lajmin kundër tij, bëhet në kundërshtim me të drejtën e tij për të gëzuar lirinë e shprehjes.
Ben Blushi, pra, nuk ankua sepse nuk u ndie i kërcënuar, dhe i vetmi problem që rrjedh prej qëndrimit të tij është se, duke mos pasur ankesë prej tij, nuk mund të ketë as lajm për kërcënim të tij. Për rrjedhojë, një lajm për kërcënim, pa pasur si bazë një ankesë të zotit Blushi, publike ose në prokurori, nuk është lajm, por shpifje.
Figuracioni i deformuar
Gazetari i Lapsi.al (dhe të gjithë ata që e ribotuan lajimin e tij) mund të ketë pasur në mendje lloj-lloj qëllimesh, me përjashtim të atij për mbrojtjen e Ben Blushit. Fjalët e Ergys Mërtirit ishin nxjerrë nga konteksti. Ai i tha zotit Blushi që të bënte kujdes “edhe nga ndonjë plumb qorr”, por fjala “edhe” është kyçi në atë fjali, dhe jo fjala “plumb”.
Në çastin e këtij artikulimi, debatuesit ishin acaruar me njëri-tjetrin (më shumë zoti Mërtiri prej arrogancës dhe ndërhyrjeve pa vend të zotit Blushi) dhe në shkëmbim e sipër, zoti Mërtiri e këshilloi zotin Blushi të bënte kujdes. Meqenëse debati ishte me sfond vrasjet në revistën satirike në Francë, nuk ishte rrufe në qiell të pastër që zoti Mërtiri, këshillës së tij që bashkëbiseduesi të bënte kujdes, t’i fuste dhe shtesën “edhe nga ndonjë plumb qorr”.
Dhe është normale që një debatues të bëjë kujdes kur flet. Kush është i vetëdijshëm që nuk jeton i vetëm në botë, duhet të marrë parasysh se nuk mund të thotë gjëra që fyejnë të tjerët. Liria e fjalës, si e drejtë themelore e njeriut, është formuluar si koncept pas mijëra vitesh jete mbi Tokë, dhe i merr parasysh dhe normat morale, të lashta sa jeta njerëzore. Në radhë të parë, folësi publik duhet të mos abuzojë me fjalën, pra, të bëjë kujdes, sepse dëmton personin e tij, por dhe të tjerët. E pikëprisht ky dukej që ishte qëllimi i këshillës së zotit Mërtiri për zotin Blushi, kur i thoshte “të bëjë kujdes”.
Gazetari i Lapsi.al duket se nuk e kan idenë e moralit dhe fjalës së lirë, e nuk kanë haber, me sa duket, nga metaforat. Ergys Mërtiri ishte i ftuar në emision, si shumë herë të tjera, si sociolog, e jo si përfaqësues i ndonjë grupimi të armatasur, që Lapsi.al ta interpretonte literalisht gjuhën figurative të tij në një shkëmbim replikash.
Përfundim
Në botën e Ben Blushit nuk ekziton mundësia e kërcënimit verbal, sepse ai është partizan i fjalës pa kufij (të shthurur). Gazetarët e Lapsi.al dhe kushdo tjetër, e shumta që mund të bënin për të mbrojtur zotin Blushi ishte të shkruanin një koment, ku të thonin se, nisur nga deklarata e Ergys Mërtirit (edhe pse e nxjerrë nga kontekti), ata mendonin që zoti Blushi ishte kërcënuar. Por një koment i tillë do të buronte nga një qasje për lirinë e shprehjes e ngjashme me atë zotit Mërtiri, që “fjala nxit dhunë”. E, nëse Lapsi.al do të mbronte këtë tezë, atëherë ai do të legjitimonte këshillën e zotit Mërtiri, dhe do të hidhte në erë tezën që zoti Blushi mbrojti gjatë gjithë debatit. E, për rrjedhojë, shkrimi i Lapsi.al do të ishte një sulm i drejtuar ndaj personit që mbronte tezën më të drejtë në atë debat.