Sarah Chayes
Reuters
Pse thuajse gjysma e Irakut e pranoi Shtetin Islamik (IS), një grup militant që shihet si më psikopati në kujtesën njerëzore? Pse militantët e Boko Haram-it kanë fituar terren solid në Nigeri? Pse radhët e al-Qaeda-s në Gadishullin Arabik nuk pakësohen, pavarërisht sulmeve (të SHBA) me dronë ndaj tyre në Jemen? A kanë diçka të përbashkët këto vende dëshpëruara?
Po: korrupsioni masiv i elitave sunduese.
Në diskutim nuk është ryshfeti ad hoc, si ai që ekziston gjithandej. Popullsitë e këtyre vendeve – dhe e Ukrainës dhe e një gjysmë duzinë e vendeve arabe që u ngritën revoltë katër vjet më parë, me rrjedhoja spirale – i nënshtrohen një varianti më të egër të sëmundjes, krahasuar me shumicën e vendeve perëndimore.
Ky korrupsion nuk është një vjedhje në heshtje e fondeve publike. Ai u ndodh direkt njerëzve, çdo ditë. Nëse policët futen në autobus, udhëtarët duhet të japin para ndryshe mund të nxirren jashtë e ndoshta mund të rrihen. Nëse ata çojnë fëmijët në spital, duhet të paguajnë për vizitë. Unë bisedova me një gazetar uzbek i cili ishte në hall të madh e nuk vendoste dot, të shiste makinën që të paguante (ryshfet) kolegjin e shkollën e djalit – megjithëse ai kishte nota të larta. Një të njohurit tim afgan iu desh të paguante ryshfet të merrte certifikatën e vdekjes së babait, i cili ishte hedhur në erë nga bombë me telekomandë.
Marrësit e ryshfetit në rangjet e ulëta dërgojnë një pjesë në linjën sipër tyre. Këto qeveri mund të përshkruhen jo si qeveri, por si organizata kriminale efektive.
Kur njerëzit shkunden kështu, ditë për ditë, dhe kur gjatë këtij procesi fyhen e dhunohen, kur dhunuesit janë anëtarë të qeverisë së tyre – pikërisht institucioni prej të cilit ata presin të zbatojë ligjet, jo t’i shkelë ato – ata çmenden. Dhe një popull i zemëruar, veçanërisht të rinjtë të cilëve u dëmtohet krenaria dhe mundësitë, mund të bëhen herë-herë të dhunshëm.
Lëvizjet ekstremiste u ofrojnë djemve të tillë – dhe një numri grash në rritje – dy gjëra. Ato u ofrojnë një shpjegim. Siç më tha studiuesi për Azinë qendrore Marlene Laruelle: “Argumenti i islamistëve është se regjimi është i korruptuar dhe i padrejtë për shkak se është shekullar. Një arsyetim i tillë nuk kishte ndonjë rezonancë në të shkuarën, ndërsa tani po.”
Me fjalë të tjera, xhihadistët luajnë me kuptimin e mjegullt të fjalës “korrupsion”, duke argumentuar se arsyeja përse zyrtarët e qeverisë janë kaq abuzivë ka të bëjë me faktin që ata kanë devijuar nga leximi rigoroz i detyrimeve fetare. Ata thonë se e vetmja rrugë për të reformuar jetën publike është respektimi një kodi privat moral – i përhapur, nëse është nevojshme, me dhunë.
Gjëja e dytë që xhihadistët u ofrojnë viktimave të korrupsionit të egër qeveritar është një strehë për zemërimin e tyre. Ata u japin një pushkë dhe një mundësi të rifitojnë një pjesë të krenarisë së tyre të lënduar – dhe si kosto, nëse është e nevojshme, jetën e tyre. Për një pjesë të mirë prej tyre, zemërimi është aq i madhe saqë ky pazar u duket i pranueshëm.
Presidenti Barack Obama e thekson vazhdimisht që pa “një strategji që pakëson burimet e ekstremizmit, një luftë e vazhdueshme… do të dështojë.” Megjithatë, shumica e përpjekjeve dhe shpenzimeve të SHBA mbetet e kanalizuar drejt zgjidhjeve ushtarake, me anë të sulmeve me dronë dhe sulmeve ajrore, ose drejt përpjekjeve për të trajnuar apo pajisur me armë ushtritë ose luftëtarët e të ashtuquajturave vende në vijën e parë. Buxheti i mbrojtjes për vitin financiar 2016 që i është dërguar Kongresit të SHBA përfshin 5.8 miliardë dollarë për këto aktivitete vetëm në Irak dhe Siri.
Një shpenzim i tillë nuk jepet për njësinë e kleptokracisë në Departamentin e Drejtësisë së SHBA, një grup i vogël prokurorësh të tij dhe një numër hetuesish të FBI luftojnë kundër kriminelëve më të rrezikshëm mbi Tokë.
Në programet e shërbimit të jashtëm të SHBA nuk është përfshirë një zë për trajnimin e njerëzve kundër korrupsionit. Agjencitë inteligjente nuk mbledhin sistematikisht ose nuk analizojnë mënyrën e funksionimit të rrjeteve sunduese të korruptuara: çfarë nivele pushteti kanë kapur, sa të ardhura mbledhin, cilat janë dobësitë e tyre, lidhjet me krimin e organizuar ose bizneset e ligjshme në dukje.
Lidhja e aleancave me qeveri të tilla për të luftuar terroristët – gjë që SHBA dhe partnerët e saj perëndimorë e bëjnë vazhdimisht – i bën gjërat më keq. Kjo vetëm konfirmon propagandën e xhihadistëve që perëndimi përfiton nga korrupsioni, se e mbron dhe inkurajon atë. Duke hequr nga qarkullimi ca terroristë, politika shtojn shumë të tjerë.
Nëse zyrtarët perëndimorë dëshirojnë seriozisht të zvogëlojnë shkaqet e ekstremizmit, korrupsioni është një fushë e mirë – dhe e anashkaluar – për t’ia filluar.