Këtë vit ndryshoi dallga në ekonomi. Më në fund rritja po kthehet. Gjithashtu ndyshoi dallga e ideve ekonomike. Rishfaqja e shkurtër e ideve tradicionale keynesian-e po zhduket nga politikat e botës ekonomike.
Duket se asnjë qeveri nuk është e gatshme të shpenzojë miliona dollarë ose euro në emër të shpenzimit qeveritar (stimulues), të financuar me borxhe marramendëse. Euro është e qëndrueshme: edhe e grekët e italianët, pas gjashtë vitesh këshillimi që problemet e tyre të zgjidhen me një tjetër zhvlerësim dhe inflacion, po qëndrojnë në zonën euro dhe merren – sado ngadalë – me problemet strukturale “të shpërndarjes”.
Ministri i financave britanike George Osborne shkroi në këtë gazetë më 14 dhejtor se keynesian-ët, të cilët duan më shumë shpenzime dhe huamarrje “e kishin gabim gjatë periudhës së ringritjes dhe kanë gabim tani.” Atdheu i Maynard Keynes dhe Adam Smith-it (dy ekonomistë të shquar britanikë) ka zgjedhur Smith-in.
Pse? Pjesërisht, sepse edhe në ekonomiks, nuk mund të jesh gabim shumë herë njëra pas tjetrës. Keynesian-ët na thanë se kur norma e interesit ngec në zero ose afër saj, ekonomitë futen në një spirale deflacioni. Deflacioni ul kërkesën, shkakton deflacion të mëtejshëm, e kështu me radhë.
Kjo nuk ndodhi. Normat e interesit zero dhe inflacioni i ulët rezultuan në gjendje të qëndrueshme, edhe në Japoni madje. Po, Japonia po rritet më ngadalë seç mund të dëshironim, por me shkallën e papunësisë në 3.5 për qind dhe pa spirale deflacioni, është e vështirë të fajësohet mungesa “e kërkesës” për rritjen e ngadaltë ekonomike.
Ndërhyrja e parë e madhe e qeverisë në ekonominë amerikane nuk solli gjë, duke i lënë keynesian-ët të argumentonin se recesioni do të kishte qenë më i hidhur. Doktorët e George Washington-it ndoshta kanë arsyetuar se, po ta kishin lënë të derdhte gjak, ai do të kishte vdekur më shpejt.
Me bllokimin e buxhetit federal më 2013, keynesian-ët paralajmëruan se pakësimi i shpenzimeve dhe bllokimi i ndihmës ekonomike për të papunët do ta kthente ekonominë në recesion. Por papunësia u ul më shpejt se parashikimi, rritja u kthye, pavarësisht se në mënyrë modeste. Kjo narrativë është e njëjtë në Mbretërinë e Bashkuar.
Këto janë dyshimet më të fundit. Keynesian-ët parashikojnë depresion me shpenzim në nivelin e Luftës së Dytë Botërore.
Faktet dhe përvoja rrallë janë vendimtare në ekonomiks. Ndoshta doktorët e Washington-it kanë të drejtë. Ata janë përherë përvoja ngatërruese. Logjika ka rëndësi gjithashtu. Mungesa e saj lëndon. Idetë keynesian-e po largohen edhe nga politika, sepse njerëzit e zgjuar e kuptojnë për sa shumë mendim magjik të mjegullt kanë nevojë ato.
Uraganet janë të mirë, rritja e çmimit të naftës është e mirë, ATM janë të këqija, na këshilluan: shkatërrimi i kapitalit, prodhimi i ulët dhe çmimi i lartë i naftës do të rrisë inflacionin dhe shpenzimet e herëpashershme qeveritare, të cilat do të stimulojnë prodhimin. Meqenëse cunami dhe tronditja e naftës nuk nxiti në Japoni as inflacion e as rritje ekonomike, të shqetësuarit paralajmërojnë se rënia e tanishme në çmimin e naftës do të nxitë fillimin e spirales së deflacionit të tmerrshëm. Besoj se politikanët i dëgjuan këto shqetësime, dhe thanë me vete “Kështu mendoni ju, vërtetë?” Dhe nuk ua vunë më veshin këshillave të tilla.
Keynesian-ët na thonë të mos shqetësohemi për borxhet e mëdha. Edhe administrata e Obama-s e ka injoruar këtë këshillë, duke premtuar zgjidhje afatgjata për buxhetin që nga dita e parë. Evropianët kanë kujtime shekullore se çfarë u ndodh qeverive që nuk paguajnë borxhet, ose që kanë nevojë të marrin borxh për raste të reja urgjence, por i kanë larguar kreditorët më shumë se një herë. Më shumë borxh? Nein danke!
Në modelin keynesian, shpenzimi qeveritar stimulon rritje ekonomike edhe nëse shpërdorohet krejtësisht. Paguaj njerëzit të hapin kanale dhe t’i mbushin sërish. Sipas logjikës keynesian-e, mashtrimi financiar është i mirë; hajdutët janë të famshëm për prirjen e tyre për konsum. Kjo është e vështirë të na i mbushë mendjen, kështu që shpenzimi qeveritar vishet me rroba “infrastrukture”. Si mundet dikush që pikas shpenzim të kotë mund të ankohet për shpenzimet në infrastrukturë?
Por njerëzit e ndjejnë që janë mashtruar kur e zbulojnë se ekonomiksi ka të bëjë me shpenzimin e kotë, dhe termi infrastrukturë përdoret si justifikim për lehtësimin e procedurës së miratimit të fondeve. Ata e nuhasin mashtrimin kur dëgjojnë argumente ekonomike me partishmëri.
Avokatë të shpenzimit qeveritar: A jeni në gjendje të thoni se naftësjellësi Keystone XL, terminalet e eksportit LNG, centralet bërthamore dhe digat janë infrastrukturë? A jeni në gjendje të përmendi që Agjencia e Mbrojtjes së Mjedisit e bën të pamundur që në SHBA të ndërtohet ndonjë gjë? Si mund të na garantoni se infrastrukturë nuk do të thotë “projekte korruptive,” ose trena të shpejtësisë së lartë për askund?
Ju i pëlqeni rrugët dhe urat. Po ku ishit në kohën e kundërshtimit për dekada me pretendimin se ato vetëm inkurajonin ndërtimet në periferi? Nëse në tekstet shkollore tuajat e përsërisni se si shpenzimet ushtarake shpëtuan ekonominë gjatë Luftës së Dytë Botërore, përse i mbështetni shkurtimet ushtarake sot? Pse janë abstrakte ose anekdotike shpenzimet “në infrastrukturë”, dhe jo plane reale, të vlefshme, projekte konkrete që dikush mund t’i kundërshtojë?
Keynesian-ët na thonë se rrogat e ulëta janë problemi i madh ekonomik. Por pse ata e përsërisin këtë narrativë për të justifikuar inflacionin dhe shpenzimet qeveritare? Përse nuk mbrojnë politika që ti zhbëjnë ligjet e punës, për licencat, pagat e të tjera ligje që i mbajnë rrogat të ulëta.
Pabarazia ishte në modë këtë vit. Por asnjë qeveri në të ardhmen e afërt nuk do të vendosë taksa ndëshkuese ndaj pasurisë. Europianët e provuan fillimisht me taksa të larta ndaj të pasurve, që do të thotë ndaj atyre më të mundshmëve për të investuar, për të filluar biznese dhe punësuar njerëz. E djegur nga hera e parë, tani Europa po lëviz në drejtimin e kundërt. Mendimi magjik – që, në kundërshtim me përvojën shekullore, taksimin masiv dhe kontrollin qeveritar të të ardhurave do të çojë në rritje ekonomike, prosperitet dhe paqe sociale – po kthehet pas në sallone.
Po, ka shumë për t’u rregulluar dhe shumë për t’u shqetësuar. Rritja është shumë e ngadaltë, dhe numri i atyre që punojnë nuk është i mjaftueshëm. Edhe mbështetësit e pranojnë se Dodd-Frank dhe Obamacare janë rrëmujë. Shumë njerëz në nivelin e poshtëm kanë ngecur në arsimim të keq, varfëri, pa punë, dhe në një sistem drejtësie penale jo funksional. Por politika e ka braktisur idenë se mund t’i zgjidhim problemet me huamarrje gjigante, shpenzime të kota, inflacion dhe taksa të larta. Bota e politikës po përballet me kompromiset e egra që na kanë mësuar disa shekuj përvojë, dhe dëshira për t’i larguar ato.