Andrew Byrne
Financial Times
Në vitet e hershme të Nikola Gruevskit nuk kishte fare shenja që ai ishte një politikan i fortë në formim e sipër. Si student ekonomie, kryeministri i ardhshëm i Maqedonisë nuk ishte as popullor dhe as inteligjent, sipas një ish-pedagogu të tij.
“Ai mungonte shumë dhe nuk ishte shumë i zgjuar. Ishte i mbyllur dhe i pasigurt… Tip menaxheri i nivelit të mesëm,” kujton Sam Vaknin, mentor i hershëm i Gruevskit.
Por kjo ka ndryshuar në nëntë vitet si kryeministër, që kulmuan në një operacion policor të egër javën e kaluar, ku mbetën 22 persona të vrarë. Kritikët e zotit Greuvski tani e përshkruajnë atë si megaloman – kreu i “një regjimi me qëllime të këqija”, sipas Erwan Foure, ish-reporteri special i BE për Maqedoninë.
Poshtë sulmeve të javës së kaluar gjendet një krizë politike që përfshin dyshime për vjedhjen e votave, vrasjeve dhe infiltrimeve kriminale në institucionet e shtetit. Përfundimi është se Maqedonia, e cila dikur përqafoi reformat e stilit perëndimor, tani rrezikon të bëhet një tjetër ish-republikë jugosllave me probleme – një shtet i ndarë në kufi me BE që përpëlitet me institucione të dështuara dhe tensione etnike.
“Karriera e Gruevskit nisi si një histori reformatori… por tani po përfundon me kapjen e shtetit nga interesat e partisë së tij,” thotë Malinka Jordanova, ish-zyrtare e qeverisë, tani drejtore e Instiutit të Politikave Europiane në Shkup. “Niveli deri ku ka shkuar abuzimi i partisë me institucionet e shtetit për klientelizëm dhe praktika të korruptuara nuk është parë kurrë në të shkuarën.”
E shkëputur nga Jugosllavia më 1991, Maqedonia e shmangu dhunën e egër të luftërave ballkanike. Por ajo ka pasur sfida unike – më kryesorja, kundërshtimi i Greqisë pikërisht për emrin e vendit. Ngrirja e progresit të integrimit në NATO dhe BE ka ushqyer një frymë cinizmi dhe ndjenjë rrëshqitjeje.
Zoti Gruevski, një bursist që ishte pionier në bursën financiare të vendit, u mbajt si një reformator pro-investimeve, kur u bë kryeministër më 2006. Mirëpo, analistët dhe diplomatët thonë se ai është përpjekur vazhdimisht t’i përkulë institucionet e reja të vendit për të arritur qëllime politike, përdori gjuhë për përçarje etnike dhe financoi projekte ekstravagante vanitoze, si 600 milionë euro për rinovimin e qendrës së Shkupit.
Pasojat e sundimit të tij janë të dukshme në kryeqytetin e dikurshëm të pluhurosur të Ballkanit që është kthyer në një përkujtimore mermeri dhe floriri për të shkuarën e vendit. Anët e lumit Vradar në Shkup janë mbushur me qindra statuja bronzi dhe ndërtesa qeveritare neoklasike në stilin e kazinosë Pallati i Çezarit në Las Vegas (SHBA). Nën hijen e tyre, fëmijët e rrugës kapin kalimtarët nga krahu dhe u lypin lekë.
Vlera përfundimtare e projektit do të arrijë afërsisht një të dhjetën e GDP së këtij vendi 2 milionë banorë, sipas vlerësimeve të ndryshme.
Pagat shtetërore janë gati dyfishuar në qeverisjen e zotit Gruevski. Por vetëm ata që shfaqin besnikëri ndaj partive qeverisëse mund të ecin përpara, thotë Saso Ordanoski, gazetar dhe studiues.
“Kriteret kryesore për punësim janë karta e anëtarësimit në parti dhe besnikëria e votimit – kjo është pjesë e një arkitekture pushteti shumë të ndërlikuar,” thotë zoti Ordanoski.
Opozita kundër administratës së zotit Gruevski filloi të fitojë terren në Janar, kur Zoran Zaev, lideri i socialistëve, filloi të publikojë më shumë se 30 përgjigje sekrete të telefonatave qeveritare. Përgjimet implikojnë ministrat e qeverisë në vjedhje votash, ndërhyrje në gjyqësor dhe kohët e fundit në një përpjekje për të fshehur vrasjen e një të riu aktivist nga policia.
Të ashtuquajturat “bomba politike”të zotit Zaev provokuan protesta në rrugët e Shkupit. Por skandali fitoi vëmendje ndërkombëtare të gjerë pas operacionit policor në Kumanovë, ku mbetën të vdekur 8 policë dhe 14 persona të armatosur.
Qeveria thotë se personat e armatosur ishin një bandë terroriste shqiptarësh që kishin planifikuar sulme të menjëhershme. Por debati shton dyshimet se qeveria përdori masat e dhunshme për të tërhequr vëmendjen nga akuzat e zotit Zaev.
Ndërsa presioni rritet, tre nga aleatët më të ngushtë të kryeministrit dhanë dorëheqjen të martën, përfshi Saso Mijalkov, kushëririn e tij dhe shefin e shërbimeve sekrete.
Zoti Zaev ka kërkuar që kryeministri të ndjekë rrugën e tyre, të japë dorëheqjen dhe t’i hapë rrugën një qeverie teknike që të hetojë abuzimet e dyshuara dhe të përgatitë zgjedhjet e lira dhe të drejta.
Zoti Gruevski i ka akuzuar kundërshtarët e tij se po përdorin përgjimet për të tentuar një grusht shteti, të përkrahur nga shërbime të huaja të pa emërtuara. Mbrojtësit e qeverisë betohen se ata do të rifitojnë besimin me reforma.
“Situata nuk është bardhë e zi,” tha Nikola Poposki, ministri i Jashtëm i Maqedonisë. “Po, sistemi demokratik ka nevojë për përmirësime, por qeveri do të jetë pjesë e zgjidhjes. Duhet të merremi me akuzat dhe të tregojmë që e ardhmja do të jetë më e pranueshme për opozitën.”
Edhe pse mijëra protestues marshuan në rrugët e Shkupit çdo mbrëmje gjatë kësaj jave, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit, shumë pak prej tyre dukeshin optimistë në lidhje me kundërshtarin e tij, i cili përballet vetë me akuza për ryshfet.
“Nuk duam Zaevin si kryeministër,” thotë Mariglen Demiri, një student filozofie dhe aktivist. “Ne duam mbylljen e plotë dhe rifillimin nga e para të gjithë qeverisë.”
“Shumica e njerëzve janë të vetëdijshëm që zoti Gruevski duhet të largohet,” thotë zoti Odanoski. “Por askush nuk e përpunuar ende metodën se si mund të bëhet kjo.”