shkruar nga Marin Barleti
«Merruni tani me qetësinë më të madhe plaçkën që ka mbetur për ju dhe kështu, ata, që dheu i shikon tani të shndritin nga gëzimi, le të hyjnë fitimtarë sa më thellë në truallin e armikut»[1].
«Ushtria e krishterë, përveç disa mësymjeve të papandehura e të lehta, kishte shpërthyer dy herë gjer tani me të gjitha forcat, pa pësuar gjë dhe kishte marrë me vete një plaçkë e pasuri fshatare aq të madhe, saqë Kastrioti mund t’i bënte ballë me lehtësi Otomanit në një luftë të gjatë vetëm me anë të kësaj pasurie»[2].
«Plaçka po sillej nga çdo anë […]. As për plagët s’donte t’ia dinte kush. Dhe me të vërtetë lakmia kishte tërhequr në këtë rast edhe shumë nga ata që dolën të plagosur prej betejës. Asnjëri nuk rendohej e nuk e ndjente lodhjen; burrave u ishin zhdukur djersët që sapo i patën. Të paktën plaçka e begatshme, siç ndodh, askujt nuk i jep mërzi. Kështu ushtria iku më tepër e mërzitur për disa gjëra që s’mundi t’i merrte, sesa e gëzuar për ato që mori […]. Kapedanët po shkuleshin së qeshuri nga shakatë që bënin me ushtarët e tyre, duke i quajtur frikamanë, sepse nga luftëtarë kryetrima ishin kthyer në rrëmbyes dhe nga mbrojtës të Arbrit në ruajtës dhensh»[3].
«Hamza, i ri që s’i rrihej rehat e që ia ndiznin zemrën djaloshare gjithë lavdet e shtëpisë dhe trimëria e re në sy të ungjit […] bëri shumë plaçkitje e shkretime që i shkuan mbarë në ato vise dhe […] vendosi të rrethonte qytetin e Drishtit»[4].
Skënderbeu, pasi «shkretoi viset armike» dhe pasi «i vuri zjarrin e shkatërroi të gjitha ato që s’pati mundësi t’i zhdukte me hekur», tashmë i ngarkuar me çdo gjë «që ishte e çmuar» dhe me «një numër të madh bagëtish», ai iu kthye rrethimit të Dejës dhe: «u hodh menjëherë me forca të freskëta përtej Drinit, duke u sjellë njëkohësisht dëme të shumta shkodranëve. […] prishi çdo të mbjellë në fushë dhe zhduku krejt gjithë vreshtat; çdo pemë frutore pothuaj u sheshua. Fshatarët, që erdhën kundër, me të shumtët u vranë […] të tjerët u përpoqën keq e mbetën pa gjë se ua mori pronat. Që këndej ai vazhdoi paprerë drejt vendesh e qytezash të tjera venedikase, duke mbjellë kudo të njëjtin mjerim. […] Skënderbeu e pati quajtur fajtor Hamzën për zemërimin e tij, por për të vetin nuk deshi t’ia dinte»[5].
«Në të njëjtën kohë kishin ardhur te Skënderbeu edhe barbarët me dhurata të shumta dhe me një sasi të madhe të hollash për lirimin e robërve»[6].
«Ai vetë [Skënderbeu], që s’i rrihej duarkryq, mori rrugën për të shkretuar tokat e barbarëve dhe për të bërë plaçkën e zakonshme»[7].
«Kështu, të gëzuar, secili po e ndiqte pas për të marrë shpërblimet e merituara të shërbimit të gjatë në ushtri, sepse asgjë tjetër nuk kërkonte atëherë lakmia ushtarake nga kapedani, veçse atë që secili mund të zinte me dorën e tij. Prandaj princërit fqinjë i quanin shpesh me shaka viset armike: “Thesare të Skënderbeut”. Atëherë ai i ndau forcat në tri pjesë dhe, pasi u fut me çdonjërën në tokat e turqve, u mor me plaçkitje për dy ditë resht. U vranë një numër i madh kolonësh, me përjashtim të atyre që ishin të krishterë, por edhe këtyre, përveç jetës e lirisë, s’u la gjë tjetër. Pastaj i vuri zjarrin shtëpive dhe i bëri shkrumb e hi»[8].
«Kastrioti urdhëroi që pjesa më e madhe e të hollave t’i jepej nipit, kurse pjesa tjetër u shpërnda mes ushtarëve […]. Armiqtë, me të paguar çmimin, u lanë të lirë të largoheshin»[9].
«Më në fund dëshira për plaçkë i ndizte aq fort ushtarët, saqë asnjë urdhër, asnjë bori dhe asnjë rrogë s’dukej më e aftë për të mbledhur vegjelinë. Që këndej mund ta kuptojë mirë kushdo edhe pyetjen që kam dëgjuar ta bënin shpesh shumë vetë, se me ç’mënyrë mundi Kastrioti të përballonte gjithë ato luftëra […] kur s’kishte një sasi aq të madhe taksash dhe tributesh […]. Por e vërteta është se edhe pa atë zakon të krahinës, pa atë dëshirë për shkak të presë, prapësëprapë frika ndaj rrezikut të përbashkët […] do t’i kishte bërë të gjithë që të rrëmbenin me lehtësi armët në dorë»[10].
«Muzakës iu dorëzua një djalosh barbar, prej një dere bujare […]. Djaloshi filloi të hidhte fjalë dhe të kërkonte ta blinte lirinë me para […]; më në fund ranë në godi për 200 florinj»[11].
«Përveç plaçkës, kuajve dhe sendeve të tjera të çdo lloji, u ndanë ndërmjet ushtarëve veçmas, siç patën kërkuar, edhe shumë robër»[12].
«Bashkë me sanxhakun u lëshuan, përveç atyre dyzetë vetave, edhe shumë të tjerë […] pa asnjë shpërblim. Nga të tjerët, një palë u kthyen në fe të krishterë […] duke u ngulur në Epir; pala tjetër u caktuan të gjithë pothuaj për mbretërit e ndryshëm të krishterë»[13].
«Skënderbeut i erdhi lajmi se barbarët, të cilët kishin ngritur kampin në Tiranë, […] ishin larguar së andejmi fshehurazi […] dhe se kishin mundur megjithëkëtë t’u shpëtonin rojave. […] Kur e morën vesh këtë, ushtarët skënderbegas u zemëruan keq duke shfryrë kudo dhe u qanë me të madhe kundër Skënderbeut e ia hodhën atij fajin që barbarët ishin larguar pa u dënuar. Më në fund ata u qetësuan me përkëdhelje e dhurata të shumta nga Skënderbeu. […] Skënderbeu, pasi i përuroi shokët fort dhe u dha sa më shumë dhurata, u nda prej tyre me fytyrë të qetë e të gëzuar, ndërsa ata, të ngarkuar me plaçkë të barbarëve, u kthyen në shtëpi të kënaqur e tërë gaz»[14].
_______________________________________________________________________________________________________
[1] M. Barleti, Historia e jetës dhe e veprave të Skënderbeut, bot. IV, Tiranë 2005, f. 69.
[2] Po aty, f. 83.
[3] Po aty, f. 69-70.
[4] Po aty, f. 130.
[5] Po aty, f. 130-131.
[6] Po aty, f. 132.
[7] Po aty, f. 133.
[8] Po aty, f. 134.
[9] Po aty, f. 275.
[10] Po aty, f. 277.
[11] Po aty, f. 283.
[12] Po aty, f. 363.
[13] Po aty, f. 366.
[14] Po aty, f. 480.