pb
Arrestimi i dy deputetëve, Doshi dhe Frroku, është nga ato lloj spektalesh që e shëmtojnë imazhin e këtij shteti më shumë sesa kur nuk vepron fare. Shpejtësia me të cilën po mundohet të veprojë prokuroria, kapërcimet flagrante ligjore, në një kohë kur akuza është qesharake në raport me rekordet kriminale të pretenduara të autorit, tregon se nuk ekziston asnjë vullnet pozitiv për të zbardhur të vërtetën, madje përkundrazi, gjithçka bëhet me qëllimin e kundërt.
Doshi dhe Frroku janë nga emrat kryesorë të lakuara edhe nga institucionet e huaja, si pjesë e procesit të dekriminalizimit. Nga ana tjetër kemi një mpleksje të krerëve të shtetit me ta, për të ardhur në pushtet apo në pazare të dyshimta që shkojnë deri në tentativë vrasjeje apo skema mashtrimi me akuza të tilla, cilado qoftë e vërteta midis këtyre dy varianteve. Përballë gjithë kësaj, angazhimi i shtetit me kaq zhurmë e bujë për të përfunduar në një akuzë për shpifje duket si shaka “për inat të vjehrrës”. Kjo të ngjan si dënimi i Nexhmije Hoxhës për “kafe”. Më mirë ta kishin arrestuar për mospagim energjie!
Për arrestimin e tyre, prokuroria përshpejton procedurat dhe vepron në mënyrë të rrufeshme duke kapërcyer gjitha etapat, si kurrëndonjëherë. Le pastaj që arrestimi bëhet me shkelje ligjore, pasi sipas ligjit i dyshuari mund të arrestohet vetëm nëse përbën rrezik për të tjerët, nëse dyshohet se mund arratiset apo se mund të prishë provat. Që një deputet të arratiset nga frika e një dënimi për shpifje kjo është qesharake; që ai të përbëjë rrezik, ndërkohë që tashmë është i supermonitoruar nga shteti e media, edhe kjo është e pabesueshme; por edhe që të prishë provat duke qenë jashtë, ndërkohë që Doshi e kish bërë Prokurorinë si shtëpinë e vet duke deponuar çdo ditë diçka të re, edhe kjo nuk ta mbush mendjen. Më bindëse se kjo është alternativa tjetër: duket se prokuroria është e interesuar të fshehë provat dhe arrestimi i Doshit ka për qëllim më shumë pengimin e tij për komunikimin me mediat dhe publikimin e fakteve të reja, në një kohë kur ai ka deklaruar se do bëjë publike ende dhe shumë seri të reja të telenovelës.
Si ka mundësi që ky shtet, i cili nuk ka fuqi të arrestojë e të dënojë kriminelët në qarkullim, befas bëhet kaq i fortë dhe kaq i indinjuar për një shpifje? Pikërisht shteti që nuk lëvizi as gishtin kur Doshi kallëzoi atentatin në tentativë ndaj tij, tashmë turret me vendosmëri për të hetuar e zbardhur gjithçka duke vënë paraprakisht “shpifësin” prapa hekurave, pa denjuar ta hetojë në gjendje të lirë. Çdokush e kupton se këtu prokuroria nuk ka asgjë seriozisht përveç shërbimit ndaj sipërmarrjeve të politikës. E njëjta politikë që ka triumfuar në 2013 me sojin e Tomës. Ai dhe kolegu i tij Frroku nuk i duheshin afruar Parlamentit, jo më të vendosnin fatet e shqiptarëve. Vetëm një klasë e tillë poltike nuk e ka problem shkeljen e çdo parimi, nga etika te ligji.