2.Xh
Studiuesja Viola Isufi, e ftuar në emisionin “Jamais Vu” të M. Nanos, është shprehur atje se “në Shqipëri kanë ndodhur dy shkëputje brutale që e kanë ndërprerë letërsinë: Ndërprerja e parë erdhi nga dyndja e flamujve islamikë kur ajo filloi të bulëzonte, e dyta ishte ardhja e realizmit socialist” (diku rreth minutës 28).
Më tingëlloi keq kjo pranëvënie e letërsisë me “flamujt islamikë”, sepse më e ngarkuar me retorikë se ç’pritet prej një studiueseje të letërsisë; por edhe më keq më tingëlloi kjo narrativë e ndërprerjes, e cila prej kohësh i shoqërohet versionit kombëtarist të historisë së shqiptarëve: a thua se paska pasur një predestinim të këtij populli për të shkëlqyer europianisht, të cilin predestinim e ka zeruar ardhja e osmanëve.
Po të kishin pasur shqiptarët paraosmanë qytetet e tyre me jetë publike, kulturë, universitete dhe një shtresë të lëçitur e cila të mund edhe të krijonte, edhe të konsumonte letërsinë e shkruar në shqipe, atëherë kundërfaktuali i implikuar nga mysafirja e Nanos edhe mund të vlente, për të kuptuar më mirë se çfarë ndodhi me pushtimin osman.
Mirëpo faktet tregojnë të kundërtën: në periudhën paraturke shqipja nuk shkruhej fare, jo më të kishte letërsi të vetën. Edhe sikur të gjendet nesër ndonjë dorëshkrim i varrosur në ndonjë arkiv a bibliotekë, kjo nuk do t’i ndryshojë gjë historisë – sepse një a dy dorëshkrime nuk mjaftojnë për të pasur letërsi.
Në Mesharin që botoi një shekull pas luftrave të Skënderbeut (1555), Buzuku e dëshmon këtë mungesë shkrimesh shqipe para librit të tij fare qartë; sikurse e dëshmojnë, sado tërthorazi, dhe fillimet që njohim të letërsisë shqipe, si vjershat e Budit ose përtej detit, ndër arbëreshët e Italisë.
Atëherë ç’qenka kjo letërsi që ndërprenë “flamujt e Islamit”? Është letërsia imagjinare, e mitit romantik të Shqipërisë paraturke, me kontër, dukë, princër, langonj dhe fazanë, zonja e zonjushe të mëndafshta, shkronjës dhe sekretarë dhe murgj të urtë poliglotë – e cila ndonjëherë të lë përshtypjen se kërkon t’ia zërë vendin reales, sepse realja është ajo që është, ndërsa imagjinarja është ajo që duhej të kish qenë.
Mos-letërsia shqipe në Arbërinë paraturke, në të vërtetë, sikurse edhe mos-shkrimi i shqipes, lidhen me atë që arbërorët e asaj kohe nuk kishin qytete mirëfilli të tyret –Durrësi dhe Shkodra ishin vërtet në trojet e Arbërisë, por në duar të së tjerëve.
Nuk kishin arbërorët qytete që të bënin për kulturën e tyre atë që bënë Firenze, Genova, Pisa, Bologna dhe Venezia për kulturën italiane të Rilindjes.
Nuk kishin dhe nuk patën kohë që t’i ngrinin; sepse ndërkohë ia behën osmanët; të cilët ndërprenë një rrjedhë potenciale, por jo reale, për ta zëvendësuar me një tjetër rrjedhë potenciale – në kuptimin që as kultura osmane nuk është se lulëzoi ndonjëherë në trojet shqiptare.
Edhe pas pushtimit osman, pra, Arbri u katandis ashtu siç e dimë jo aq për faj drejtpërdrejt të osmanëve, sesa ngaqë mbeti një truall kufitar i Perandorisë, një djerrinë e qytetërimit; versioni i atëhershëm i Murit të Berlinit.
Kur e morën disi veten qytetet shqiptare, nga shekulli XVII e më tej, nisi të lëvrohej edhe letërsia përkatëse – e bejtexhinjve: një letërsi modeste, e kufizuar në tema dhe në mjete, e shkruar në shqipe por e përftuar poetikisht në osmanishte.
Flamujt e Islamit nuk kanë shumë lidhje me këto zhvillime: gjetiu, në Perandorinë Osmane, lëvrohej letërsi shumë e hollë. Që bejtexhinjtë e përdorën shqipen për veprat e tyre, tregon se kjo mundësi ekzistonte – pavarësisht se çfarë u shkrua dhe pse.
Përkundrazi, veprat që njihen sot si të “autorëve të vjetër të Veriut” nuk i përmbushin, në fakt, kriteret për të qenë letërsi, ashtu siç i përmbushin, bie fjala, ato të Eskilit, Dantes, Shekspirit, Servantesit ose Balzakut. Janë vepra me karakter më shumë religjioz, utilitar, pa pretendime përnjëmend estetike; shkruar nga klerikë katolikë, për t’u lexuar e përdorur nga klerikë të tjerë katolikë.
Kjo pavarësisht se brenda tyre gjen pasazhe letrare të mirëfillta; sepse tekstet me natyrë religjioze, qofshin ato edhe liturgjike edhe teologjike, gjithnjë e ruajnë një marrëdhënie me të bukurën dhe emocionin.
Por le të mos gënjejmë veten: edhe Buzuku, edhe Budi edhe Bogdani i përkasin kohës së tyre dhe një Arbri tashmë të bërë pjesë periferike e Perandorisë Osmane, ku katolicizmi ishte emargjinuar tashmë dhe rrezikohej jo aq me vdekje, sesa me irrelevancë.
Nga ana tjetër, mund ta marrim me mend që, me ardhjen e osmanëve në Arbëri, u shkatërruan e u zhbënë edhe ato pak institucione kulturore ku, në rrethana të tjera të favorshme, mund të ishte shkruar dikur shqipja edhe si letërsi: kuvendet, shkollat fetare si dhe ato qytete ku jetonin shumë arbër, si Shkodra dhe Durrësi.
Kjo edhe mund të interpretohet si ndërprerje – por ishte ndërprerje e një rrjedhe potenciale, jo reale.