Iain Martin
The Daily Telegraph
Në majat e elitës së euros, aty ku udhëheqësit lëvizin përjetësisht me makina gjermane me shkëlqim për të shkuar në samite, me pamje të ngrysur e duke i dhënë vetes rëndësi përpara kamerave, ku diplomatët e butë e dinë që rruga për të mbaruar punë është të bisedosh në maturi me kolegët diplomatë, nuk ka shenjë më të sigurt që një koleg është çmendur sesa kur ai lajmëron se do të mbajë referendum lidhur me çështjet evropiane.
Që David Cameron ka vendosur të përcaktojë të ardhmen e Britanisë në BE me anë të referendumit, kjo është diçka e keqe, por të paktën, kryeministri i Britanisë ka paralajmëruar para kohe dhe e ka bërë për vete biznesin britanik që ta fitojë referendumin më 2017. Në kontrast, kryeministri grek Aleksis Cipras, shpalli të premten se ai dëshiron të mbajë referendum në Greqi për krizën e eurozonë më 5 korrik.
Në sytë e elitës së euros, ky moment vendimmarrjeje e bëri zotin Cipras fituesin e menjëhershëm të garës së vitit për njeriun e çmendur. Disa vite të shkuara, kur ish-paraardhësi i tij, tashmë i harruar, në Athinë u përpoq për një lëvizje të tillë, duke kërkuar votën e grekëve, gjermanët e urdhëruan Jorgo Papandreun të mos tregohej budalla. Vërtetë ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy, i tha presidentit Obama se udhëheqësi grek ishte “i çmendur”.
Tani, zoti Cipras dëshiron votën e tij. Çfarë mendon ai se po bën? A e kupton ai se eurozona dhe Bashkimi Europian nuk funksionon kështu? Askush nuk e di çfarë do të ndodhë nëse votuesit grekë pyeten në e aprovojnë apo jo ofertën përfundimtare të kushteve të reja nga kreditorët e lodhur të Greqisë. Zot na ruaj, votuesit mund të thonë jo. Kaq të acaruar ishin udhëheqësit e tjerë evropianë të shtunën saqë vendosën se oferta e tyre e fundit është kot dhe Greqia tani është vetëm. Duket që referendumi do të bëhet, pavarësisht kësaj.
Frika e udhëheqësve të BE nga referendumet buron nga një përvojë e hidhur, sigurisht. Përpjekjet e pista për të kaluar kontrabandë marrëveshjen integrecioniste të Mastrihtit duke anashkaluar elektoratin evropian në fillim të viteve nëntëdhjetë u pasua nga grindja e gjatë në lidhje me braktisjen e kushtetutës së BE dhe Marrëveshjen e Lisbonës. Votuesit janë të paparashikueshëm. Shpesh ata nuk bëjnë siç u thuhet nga udhëheqësit e tyre dhe zyrtarët që bëjnë marrëveshjet. Pse të ndërmerret rreziku?
Sigurisht, zoti Cipras nuk është i çmendur, dhe jo në kuptimin që ka dërrasa mangët. Pavarësisht bindjeve të tij marksiste, ka diçka detyruese në mënyrën dinake me të cilën ai ka përballuar këtë krizë dhe nuk pranoi të drejtohet nga pushteti korporatist i BE, megjithëse ai është qëlluar me shuplakë në fytyrë (literalisht, javën e kaluar) nga presidenti i komisionit të BE, mizori Jean Claude Juncker. Kjo është të mos thuash asgjë për sjelljen jo efektive të kancelares gjermane të mbivlerësuar, Angela Merkel, e vlerësuar nga diplomatët dhe komuniteti i politikës së jashtme pavarësisht se askush nuk ka qenë në gjendje të përmendë një arritje të madhe të vetme të saj ose një veprim bindës lidershipi në karrierën e saj, përveç pabesisë ndaj mentorit të saj Helmut Kohl.
Por sigurisht të çmendurit e vërtetë këtu nuk janë hiç marksistët grekë. Të çmendurit e vërtetë janë ata që krijuan euron, që menduan se ëndrrat politike dhe vaniteti do të tejkalonin logjikën ekonomike dhe dallimet kulturore e kombëtare, duke krijuar një bashkim monetar në një kontinent të gjerë pa mbrojtësit e nevojshëm.
Megjithatë, në vend të përballen me këto realitete, dhe të pranojnë që modeli i BE siç është i konstituuar tani ka marrë fund, udhëheqësit eurofilë flasin me pompozitet për vlerat e Bashkimit Europian si të shenjta dhe të përjetshme. Duket sikur këta burra e gra e kujtojnë veten si funksionarë të Perandorisë së Shenjtë Romake, dhe jo përfaqësues të një eksperimenti politik modern që u krijua në formën e tanishme vetëm kur politikanët gjermanë dhe francezë i diagnostikuan keq pasojat e mbarimit të luftës së ftohtë, më 1989 dhe ofruan si ilaç euron.
Ka shumë mundësi që zoti Cipras ka dashur daljen e Greqisë nga euro që në fillim. Kjo është ajo që besojnë vëzhguesit e Syriza-s, partisë së tij.
Por zoti Cipras kishte një problem kur mori pushtetin. Megjithëse shumë votues grekë e pëlqejnë stilin e tij, ata pëlqenin gjithashtu dhe euron sepse kjo nënkuptonte anëtarësi në një klub që mendohej demokratik që ngjall respekt. Kjo është arsyeja pse atij i duhej të duket sikur po përpiqet të arrinte një marrëveshje, të krijojë iluzionin e dëshirës së mirë, që t’i thotë elektoratit grek se, ndërsa ai bëri më të mirën, arkitektët e çuditshëm të masave shtrënguese – bankat qendrore dhe teknokratët e FMN që duan t’i lënë pa shtëpi pensionistë grekë – nuk e pranonin logjikën.