Shumica e mediave raportuan sot deklaratën e mëposhtme, atribuuar ministrit Lefter Koka:
“Shteti shqiptar ka reaguar në kohën e duhur si për Vjosën, Prespën dhe Radikën më herët. Që në projekt-ide shtetet fqinje, kufitare, duhet të jenë pjesë e vlerësimit të ndikimit në mjedis. Një gjë është e qartë dhe për këtë garantojmë gjithë deputetët e gjithë shqiptarët, se kjo qeveri është e vendosur për të mos falur një litër ujë e jo më detra, liqene e lumenj. Janë të gjitha konventat që na e garantojnë këtë dhe po ashtu edhe gjykatat ndërkombëtare. Ne jemi gardianë për të respektuar këto konventa, aq më shumë kur bëhet fjalë në raporte ndërkufitare”.
Pas këtyre fjalëve të shkëputura sa nga filmi ‘Nëntori i Dytë’ e sa nga folklori i regjimit të kaluar, me kërcënime ndaj imperiallizëm-revizionizmit, tani të gjithë shqiptarët mund të flenë të qetë, sidomos ata që Vjosa rrezikonte t’u përmbyste shtëpitë dhe ekonomitë familjare. Sesa janë profilaktike konventat ndërkombëtare mjafton të lexohen, qoftë edhe tangjent, ngjarjet në Ukrainë apo manuali i konsoliduar i Izraelit.
Eksperienca shërben si dëshmi për të treguar se Shqipëria pluraliste ka humbur çdo “betejë” me Greqinë dhe se në mungesë të këllqeve duhen aleatë, që në këto kohëra të vështira ka shumë pak mundësi të sakrifikojnë investime në kryerjen e atyre detyrimeve që u takojnë pushtetarëve shqiptarë. Për këta të fundit dihet, Vjosa është e mirë për rafting dhe biznese. Në momentin që ajo mund të shndërrohet në memorie gjeografike, Koka me kokat e tjerë bëjnë rafting në Greqi dhe ngrenë biznese për të shitur ujë. Të njëjtët deputetë që desh sollën armët kimike siriane në Shqipëri, që nuk kanë lënë pëllëmbë të vendit pa e degraduar, ku për përfitime personale e ku për lëshime elektorale, sigurisht nuk janë garancia e Vjosës.
Shteti shqiptar është nga ata që nuk janë në gjendje të mbrojnë as qytetarët e vet, megjithëse rolin e xhandarit po e bën mirë kohët e fundit. Para tre ditësh, dëshmitari i krimit të katërfishtë të Kostandin Xhuvanit praktikisht u masakrua nga persona që, sipas rrëfimit të tij, logjikisht mund të kishin lidhje me të akuzuarin e ngjarjes. Duke qenë se identitetin e dëshmitarit e njihte vetëm policia, deduktohet se informacioni ka rrjedhur prej saj, siç ka ndodhur edhe me hetimet e vrasjes së krye-komisarit Dritan Lamaj, për të cilën akuzohet Arben Frroku, vëllai i një deputeti të maxhorancës, gjë që solli vendosjen e tritolit në makinën e dëshmitarit kryesor. Gjithashtu, para pak ditësh u deklarua i humbur personi që dyshohet të ketë siguruar makinën me të cilën është larguar Frroku. Të paktën rreth këtyre ngjarjeve Saimir Tahiri nuk përdor dot retorikën anakronike të fajësimit të militantëve të djathtë, me të cilën prej 18 muajsh i bën makijazh dështimeve, pasi Xhuvanin dhe Frrokun i ka në pellgun e vet.
Kur shteti nuk i garanton qytetarit bashkëpunimin (për etikë ose për shpërblim), imagjinojmë sa serioze është garancia për Vjosën.