Kohët e fundit duket sikur në çdo pak muaj shpërthen një protestë urbane dhe kombi e kthen vëmendjen te varfëria. Dhe në mes të çdo stuhie, ka njerëz që bërtasin se më në fund duhet ta trajtojmë seriozisht këtë çështje. Kësaj radhe ishte John Stewart ai që foli në emër të shumë vetëve kur tha: “E mund ta mendoni shpesh, mos vallë i harxhojmë një trilionë dollarë për të ndërtuar shkolla në Afganistan, ngaqë nuk ndërtojmë dot një shkollë në rrugët e Baltimore-s?”
Audienca e duartrokiti fuqishëm, dhe është një ndjenjë e mirë, por nuk ka lidhje me çështjen.
Problemi nuk është mungesa e vëmendjes, e kryesisht nuk është as mungesa e parave. Që nga 1980, shpenzimet federale kundër varfërisë kanë shpërthyer. Në 2013 qeveria federale harxhoi afërsisht 14 000 dollarë për çdo person të varfër. Nëse këto para do t’u jepeshin në dorë të varfërve, një familje me katër persona do t’i kishte të ardhurat sa dyfishi i nivelit të varfërisë.
Megjithatë, gjatë 30 vjetëve të fundit niveli i varfërisë thuajse nuk ka ndryshuar.
Për me tepër, shpenzimet publike amerikane për shkollat janë më të larta se standardet globale. Në 2011, Baltimore [ku ndodhën protestat ditët e fundit pas vrasjes së një personi me ngjyrë nga policia] renditej i dyti në 100 shkolla qarku për shumën e lartë që shpenzoi për një nxënës, 15483 dollarë në vit.
Në zonën Sandtown-Winchester të Baltimorit, ku jetonte Freddie Gray [personi i vrarë], nuk ka munguar vëmendja. Në vitet 1980, kryetari i baskisë i atëhershëm vendosi t’i bënte lagjet e qytetit model restaurimi. Ai mblodhi aktorë publikë e privatë dhe ata mblodhën më shumë se 130 milionë dollarë, të cilat i shpenzuan në gjithçka, shtëpi të reja, kurrikulume të reja shkollore, programe trajnimi për punë të reja dhe qendra shëndetësore të reja. U ndërtuan shtëpi me vlerë 87000 dollarë dhe iu shitën banorëve për 37000.
Paratë nuk u shpërdoruan tërësisht. Deri më 2000, niveli i varfërisë në zonë zbriti me 4.4 për qind. Numri i banorëve që kishin pronësinë e shtëpisë u rrit me 8.3 për qind. Por ajo zonë nuk u transformua. Sot nuk ka dyqane ushqimore dhe restorante në ato lagje. Krimi është i lartë. Papunësia, gjithashtu.
Pavarësisht këtyre përpjekjeve, ka shumë të rinj që jetojnë si Grey. Ai ishte zemërmirë, i respektueshëm, i njohur, por nuk ishte në rrugën drejt përmirësimit të komoditetit. Nëna e tij ishte në varësi të drogës, e cila tha se nuk dinte shkrim e lexim. Sipas raporteve, Grey ishte katër nivele mbrapa në lexim. Ai ishte arrestuar më shumë se dhjetë herë.
Është e gabuar të thuhet se përpjekjet federale për të luftuar varfërinë kanë qenë një dështim. 15 trilionë dollarët e harxhuar gjatë 50 viteve të fundit kanë përmirësuar standardin e jetës dhe kanë lehtësuar barrën e miliona njerëzve të varfër. Por gjithë këto para dhe gjithë këto eksperimente nuk i kanë integruar në ekonominë e përgjithshme njerëzit që jetojnë në zonat me varfëri të përqendruar. Shpesh paratë kanë shërbyer si jastëk, jo si shkallare.
Të thuash se do të shpenzojmë më shumë nuk është përgjigja e duhur. Ajo që nevojitet është të ndryshojmë mënyrën si ne e mendojmë varfërinë. Përpjekjet në Sandtown-Winchester bënë prioritet tullat dhe llaçin. Por pengesat reale drejt jetës më të mirë janë çështje të psikologjisë sociale, cilësia e marrëdhënieve në shtëpi dhe një komunitet që, ose inkurajon ose shkurajon përgjegjësinë, mendimin e orientuar nga ardhmja, dhe ambiciet praktike.
Jane Jacobs shkroi dikur se një lagje e shëndetshme është si një balet, një seri ndërkomunikimesh intriguese me të cilat njerëzit rregullojnë njëri-tjetrin dhe inkurajojnë sjellje të caktuara.
Në një intervistë fantastike David Simon i dha Bill Keller për Projektin Marshall, se edhe për më të varfrit në Baltimore dikur kishte rregulla informale për mënyrën si policët komunikonin me qytetarët – kur mund t’i hiqnin zvarrë e kur jo, çfarë sharjesh mund të përdornin kundër policëve se cilat jo. Pastaj kodi u prish. Shinat ifnromale të jetës u zhdukën, mbeti vetëm egërsia arbitrare.
Kjo ndodhi në shumë sfera sociale – në shkolla, familje dhe lagje. Individët kanë mbetur pa normat që klasa e mesme i merr të mirëqena. Në rrethana të tilla është e vështirë për të rinjtë që të orientohen.
Po, vendet e punës janë të nevojshme, por nëse jetoni në një lagje, siç jetonte Gray, ku gjysma e nxënësve të shkollës tetëvjeçare nuk denjojnë as të shkojnë në shkollë, atëherë problemet shkojnë më thellë.
Bota është në pritje të një mendimtari që mund të përshkruajnë varfërinë përmes lenteve të psikologjisë sociale. Për sa kohë që nuk do të riparohen fijet e marrëdhënieve (familjare, shoqërore), për shumë vetë jeta do të jetë e pistë, e vrazhdë, e vetmuar dhe e shkurtër.