Hugo Dixon
Reuters
Fitorja domethënëse e Syriza-s e ka shtyrë Greqinë më afër heqjes dorë nga eurozona. Por dalja e saj nga euro (Grexit, siç ka nisur të quhet me një fjalë të sajuar) nuk duket ende si rezultati më i mundshëm, ndërsa e majta radikale do të jetë në gjendje të bëjë një marrëveshje me kredituesit evropianë që të shmangë falimentimin, në rast se të dyja palët tregojnë pjekuri.
Aleksis Cipras, lideri i Syriza-s, ka bërë një tufë premtimesh, të cilat ai do ta ketë të vështirë t’i mbajë, dhe ndërkohë i duhet të rrijë brenda kufizimeve të programit të borxhit të madh të vendit. Ai do që të rrisë pensionet dhe pagën minimale në mënyrë të ndjeshme, të rikthejë në punë punonjësit e administratës së pushuar, të anulojë liberalizimin e tregut të punës dhe të ulë borxhin e madh të Athinës ndaj vendeve të eurozonës.
Problemi është se kreditorët e Greqisë, të udhëhequr nga Gjermania, nuk janë të përgatitur të vazhdojnë t’i japin borxhe Athinës, nëse ajo nuk bën progres të mëtejshëm në reformimin e ekonomisë së saj dhe të balancojë buxhetin.
Nëse të gjithë do të tregoheshin të arsyeshëm, ka vend për kompromis. Tek e fundit, pjesa më e madhe e grekëve duan të qëndrojnë në euro. Ata me të drejtë kanë frikë se dalja nga euro mund të çojë në rënie spirale, ku varfëria dhe kriza politike ndezin njëra-tjetrin.
Ndërkohë, asnjë kryetar qeverie nga të vendeve të eurozonës nuk e do largimin e Greqisë. Ky do të ishte një dështim i politik i madh, me rrezikun që Athina mund të heqë dorë dhe nga BE dhe ndoshta mund të kalojë në sferën e ndikimit rus. Një dalje e mundshme e Greqisë do të ishte një ngjarje unike e tillë saqë askush nuk di të thotë ku do të mbarojë zinxhiri i ngjarjeve.
Lajmi i mirë ishte që fjalimi i Cipras pas fitores ishte i pajtueshëm në mënyrë të arsyeshme. Lajm i keq është që ai mund të zgjedhë [dhe e zgjodhi] grekët e pavarur si partnerë të tij, një parti e djathtë kundër shtrëngimeve ekonomike.
Prioriteti i tij i ardhshëm duhet të jetë të kërkojë shtyrjen e programit të borxhit, i cili mbaron në fund të shkurtit. Nëse ai e bën këtë, BQE (Banka Qendrore Europiane) do të vazhdojë të ofrojë likuiditet për bankat greke.
Vendet e tjera të eurozonës, në anën tjetër, duhet të bien dakord ta shtyjnë afatin e programit për disa muaj, nëse Cipras u drejtohet me respekt dhe kështu të dyja palët mund të kenë një bisedë të përshtatshme për marrëveshjen e re. Nuk do të ishte e drejtë që sistemi bankar të shembej mbi kokën e liderit të ri të sapozgjedhur.
Liderët e tjerë duhet të pranojnë gjithashtu kërkesën e Cipras për një takim të nivelit të lartë që të diskutojnë planet e tij, në vend që ta detyrojnë të hyjë në marrëveshje menjëherë me zyrtarët e Trojkës (KE, FMN, BQE). Trojka do të përfshihet në fund, por do të ishte si t’i tregoje demit cohën e kuqe, nëse insistohet që Trojka të përfshihet që në fillim, kur dihet sa e urryer është ajo në Greqi.
Kjo lloj delikatese duhet të jetë kusht për vetë Cipras-in që të mos bëjë ndonjë gjë që mund t’i vërë benzinën para takimit me liderët. Ai nuk duhet, për shembull, të përdorë politikën e faktit të kryer, duke përparuar me pagën minimale. Një gjë e tillë iu duhet lënë negociatave.
Po kaq me rëndësi është dhe fakti që, pasi të hyjë në zyrë, Syriza të heqë dorë nga retorika e egër që përdori gjatë fushatës elektorale. Janis Varaufakis që mendohet të jetë ministër financash duhet të bëjë kujdes me gjuhën e tij. Kohët e fundit ai u citua nga një gazetë franceze të ketë thënë që Jean-Claude Trichet, ish-guverantor i BQE, të përfundojë në ferr. Kjo nuk është rruga për të fituar miq dhe për të ndikuar te njerëzit.
Përveç kësaj, është dhe bërja e një marrëveshje në borxhin afatgjatë. Syriza tani tregon që nuk do të kërkojë qethje të borxhit, por do të propozojë ta lidhë shërbimin e borxhit në raport me rritjen e ekonomisë greke. Ndërkohë vendet evropiane sugjerojnë që ato janë të gatshme ta zgjerojnë sasinë e kohës që i duhet Ahtinë për të paguar kreditë e saj.
Çështja ëshë se borxhi afatgjatë nuk është e vetmja çështje. Greqisë do t’i mbarojnë paratë e thata në fund të marsit, kur është koha për të paguar FMN. Zgjidhja më e mirë është që të lihet qeveria t’u shesë bankave të vendit ca bono thesari, me kusht që t’u nënshtrohet negociatave serioze.
Megjithatë, kjo nuk do të zgjidhë problemin e likuiditetit në afat të mesëm, i cili përfundon në qershor, kur duhet të paguhen një radhë bonosh të BQE. Është e vështirë të shikosh se si mund t’i shmanget Athina dështimit, pa huazuar më shumë para nga vendet e euros – dhe ato nuk do pranojnë, nëse Syriza pranon përkushtim për reformimin e ekonomisë dhe të mbushë një boshllëk në buxhetin e këtij viti.
Syriza ka premtuar se do të godasë oligarkët që kanë përfituar nga ekonomia, si dhe në luftën kundër evazionit fiskal. Nëse Cipra tregon që e ka seriozisht në këtë fushë, ai do të gjejë mbështetje te disa nga liderët evropianë. Problemi është se ai do të ndeshë në kundërshtimin e tyre, nëse ai këmbëngul në anulimin e reformës në tregun e punës – një nga fushat ku vitet e fundit ka pasur progres real.
Po kaq problematik do të jetë buxheti i këtij viti. Qeveria në largim nuk ishte në gjendje të binte dakord me kreditorët. Syriza do të përballet me një barrë edhe më të madhe, ai u zgjodh me premtimin për të rritur shpenzimet, jo t’i shkurtojë ato.
Megjithatë, edhe aty mund të ketë vend për kompromis. Nëse Cipras tregon vullnet të mirë në fusha të tjera, evropianët mund të japin një grant (vetëm këtë vit) për të trajtuar varfërinë ekstreme. Për vitet e ardhshme, ata duhet të bien dakord që Greqia nuk duhet të ketë një suficit kaq të madh, sa ky që është planifikuar në këtë buxhet.
Pra, ka mundësi që të arrihet një marrëveshje. Problemi është se arritja e saj kërkon kthesa të mëdha – ose ajo që grekët e quajnë “kollotumba”. Shumë nga përkrahësit e Cipras do ta akuzojnë atë për tradhti ndaj kauzës së tyre. Nuk është e qartë nëse ai është i përgatitur ta bëjë këtë.
Por nëse lideri i Syriza-s nuk është i përgatitur për kompromis, Greqia do të dështojë dhe do t’i duhet të vendosë kontroll të kapitalit për të frenuar rënien e bankave. Nëse qytetarët i kërkojnë qeverisë të tërhiqet, atëherë nuk do të ketë mundësi të fundit për të qëndruar në euro. Përndryshe, dhrahmia mund të shfaqet në horizont.