Ilir Meta nuk mund të jetë më moralisht kryeparlamentari i përfaqësuesve të shqiptarëve në Kuvend. Duke pohuar se ka patur dijeni për një kërcënim ndaj një deputeti, shefi i të cilit është ai në Kuvend, atëherë Meta ka pohuar, në rastin më të mirë, neglizhencën e tij për të zbardhur ngjarje kaq të rënda, dhe në rastin më të keq, duke e lënë të hapur që kërcënimi të “mbërrijë në destinacion”. Idetë e tij për mbledhje me Spartak Brahon, edhe pse ky drejton Komisionin e Sigurisë Kombëtare, janë thjesht përçartje për të gjetur një dëshmitar në dijeninë e tij, por që nuk i japin asnjë justifikim moral heshtjes së tij. Madje, duke folur vetëm pasi është akuzuar vetë, dhe duke tentuar t’ia pasojë fajin një kundërshtari politik, Meta lë të kuptohet se asgjë rreth tij nuk ka të bëjë me vendosjen e shtetit ligjor, por është thjesht çështje pazaresh.
Ndërkaq, edhe lidhur me të famshen “çantë e zezë” të Brahos, Ilir Meta mban përgjegjësi që nuk e drejton vartësin e tij të shkojë drejt prokurorisë, por të pretendojë se do të mbajë dokumente, që ai pretendon se i disponon, duke lënë të hapur se, gjithçka është për shantazh dhe jo për vendosjen e shtetit ligjor, për më tepër që Braho është edhe shefi i Komisonit të Sigurisë Kombëtare. Domethënë, ai është njeriu që, në vend që të kontribuojë në rritjen e sigurisë, përmes “çantës së zezë” kontribon në pasigurinë e atyre që njeh dhe si pasojë edhe të gjithë vendit, meqenëse Braho nuk pretendon se mban dokumente për mospagim dritash apo gjobash, por dokumente që lidhin persona të ndryshëm me krimin apo dijeninë për krime të ndryshme.
Këto dy figura e kthejnë LSI-në në një parti që nuk ka asnjë lidhje me shtetin ligjor, duke lënë të kuptohet se është thjesht një grup biznesi, që përdor gjithçka për të qenë në pushtet dhe për të mbajtur pushtetin.
Në këtë konteskt, Meta dhe Braho duhej të ishin dy të hetuarit e parë, pasi heshtja e tyre për faktet që pretendojnë se dinë dhe që tashmë i kanë pohuar, janë pjesë e pasigurisë kombëtare.
Çdo tentativë e Ramës për të mbajtur me çdo kusht qeverisjen me Metën është thjesht një imitim i mënyrës se si funksionoi Berisha në mandatin e dytë qeverisës, ku shiti gjithçka parimore në emër të mbajtjes së karriges së pushtetit, këmbëngulje që arriti kulmin me presionin e hapur ndaj gjykatave, një ditë përpara se të merrej vendimi për Ilir Metën lidhur me skandalin korruptiv të denoncuar në “Fiks-Fare”, pas përgjigmeve të Dritan Priftit.
Padyshim që nuk është e lehtë për Ramën të bëjë një distancim të tillë, duke parë se gjithçka që krijoi këtë mazhorancë ishte pazari i hapur me Metën. Deri më tani ai nuk ka treguar me vepra se do të ishte ndëshkues në mënyrë të barabartë. Të paktën, njerëzit e Metës kanë qenë më të paprekshëm se vetë njerëzit e tij në administratë, ku i është lënë dorë e lirë për të vepruar, që do të thotë për të vjedhur.
Në këtë lëmsh politik, duhet të shpresojmë se prokuroria do t’i gjejë këllqet që t’i shkojë deri në fund hetimit. Përndryshe, ne mund të përfundojmë në një greminë nga ku shpresa për të dalë do të jetë e largët.