Elis Buba
Pikpamja dhe synimet e atij që synon pushetin, pikpamja dhe synimet e atij që kryen aktin…
Ka një numër periudhash tranzicioni ose periudha krize në hapësirën jetësore të ç’do individi. Adoleshenca është një ndër periudhat më të vështira tranzicionale të njeriut; kalimi nga fëmijëria në botën e të rriturve. Kemi tentuar edhe ne të japim sinjale të pjekurisë. Shqipëtrarët e kam fjalën. Jemi nxehur e kemi marrë vrull për të kapërcyer të gjitha efektet e kundërta që na pengojnë të quhemi europianë. Kemi marrë fraza që më pas na janë bërë slogane e më pas ideale; Liri-Demokraci. Para dy dekadash këto fjalë nuk kishin asnjë ngjyrë. Nuk dallonin e ndanin askënd nga askush. Ndanin veç të shkuarën nga e ardhmja. Çuditshëm një pjesë e mirë e ligjëratave, me kalimin e viteve, u shndërruan nga një nocion kontekst, në një nocion tekst e në fund në një nocion formal, spekulativ.
Jo rrallë, teorikisht lutem nën zë, bashkë me plot shqipëtarë të tjerë ndoshta, për fare pak drejtësi hyjnore. Aq më tepër në këtë atmosferë të jonizuar elektorale. Do të doja të shihja ç’fushatë të “ethshme” do të zhvillonin partitë, ose për më saktë individët, nëse pozita dhe pushteti i aspiruar nuk do tu garantonin asnjë grimcë të mire vetiake. Nuk e di se sa i lakmueshëm do të ishte pushteti në fjalë, nëse e vetmja gjë që ai do garantonte, do të qe një stërmundim e strapacim i përditshëm, një thyerje brinjësh, duke punuar ekskluzivisht në shërbim të popullit. Për më tepër me ndonjë shpërblim mediokër mujor, siç është për shembull rroga e mësuesve ose e mjekëve.
Asnjë fjalë e mëtejshme në këtë linjë mendimi duket sikur nuk e ka seriozitetin e dëshiruar, pasi spontanisht të vjen të qeshësh. Por imagjino ç’të qeshur bën paria e kësaj shqipërie, që edhe pse nuk prek me dorë asnjë punë, nuk djersit përveçse nga vapa, gjatë gjithë ditës, në fund të saj, i takon të bëjë llogari paratë tona, të përgatisë bilance mbi të ardhurat e secilit nga ne, të përcaktojë se kush është i paradestinuar të pasurohet dhe kush janë ata që duhet ta gdhijnë e ta ngrysin në varfëri edhe për disa kohë.
Ngandonjëherë instrumentet ngatërrojnë funksionet e tyre. Të zgjedhurit bëhen të vetzgjedhur edhe pse me petkat e të zgjedhurve. Kërkojnë, përcaktojnë, procesojnë, përfshijnë në shfrytëzim e më pas shfrytëzojnë. Ndërsa ne me një padije të konsiderueshme, trokasim në një epokë monarkësh, ku asnjë institucion e dikaster përkatës nuk të zgjidh punë, siç mund të zgjidhi “monarku” në krye të këtij dikasteri a institucioni. Asnjë gjyqtar nuk mund të zgjidhë një çështje që mund ta bitisë një kryetar partie. Asnjë zyrë pune nuk mund të të garantojë ndonjë paçavure punë, më shpejt se një teserë e vockël në xhep të xhaketës. Duhet pranuar se monarkët janë mirpërgatitur për të ngulur themele të forta. Duhet pranuar se realiteti që përjeton populli, është një superpozim vullnetesh arbitrare të tipit monarkik. Superpozim misionesh dhe procesesh të pamundura, që vetëm padiskutueshmëria e një monarku mund t’u japë zgjidhje.
Për askënd nuk është e leverdisshme që ne të kthehemi në orgjinën e të menduarit tonë. Ka disa konvencione, për të cilat ne nuk duhet të jemi kurrë ne dijeni. Kali i mirë shton tagjine e vet. Shprehje më të bukur se kjo, për kafshët e punës nuk ka thënë populli ynë, që i ka lënë kockat për qindra vjet mes punës angari e punës “vullnetare”. Cilat janë shkaqet e paaftësisë për të nxënë? Mungesa e vetvlerësimit e mbivlerësimi i të tjerëve, janë rezultat i një zhvillimi të vonuar. Si rrjedhojë, ne gjendemi në mes të vitit 2015, një popull me hendikap në të folur e në të kuptuar. Rrjedhimisht defiçitarë në kompletimin e qëllimeve të përbashkëta. Shumë lehtë të përçashëm e rrjedhimisht fare kollaj të “kalërueshëm”.
Udhëtoja në rrugën e famshme Lushnje-Berat, e ndërkohë ndiqja në radio një edicion informativ. Dikush fliste për rrugët e ndërtuara ndërsa unë përkundesha e lozja sa majtas djathtas me frikën se makina nga momenti në moment do thërrmohej aty në mes të gropave e gungave të kahershme. Mendoni pak për këtë. Pse pikërisht tani, punëtorët i kanë hipur zetorëve dhe eskavatorëve duke bërë zhurmë e rrëmujë sa lartë e sa poshtë në këtë aks? Pse për disa njerëz ligjet janë detyrime, ndërsa për të tjerë janë thjesht udhëzime?!
T’i lëmë mënjanë strukturat e domosdoshme, sepse “fëmijët” lozin, por nuk i marrin parasysh rregullat e lojës. Të gjjithë jemi kalamaj përball përgjegjësisë sociale. Jo më larg se para dy dekadash morëm në dorë për të përmirësuar një lloj tjetër Shqipërie. E përmirësuam? Po e përmirësojmë? Do ta përmirësojmë? Kur?
Në një rruzull ku “Cash is King” siç thonë amerikanët, “Paraja është mbret”, që blen për së gjalli të gjithë monarkët e tjerë, është shumë i rëndësishëm një nocion sociologjik; moraliteti autonom. Me formimin e të cilit kalohet nga bindja e verbër ndaj rregullave dhe autoritetit të individëve që kanë bërë këto rregulla, në një vetëdije më të gjerë e të gjallë. Kalohet nga kolektiv në individ. Një individ me pikpamje personale, me të drejtë fjale, mendimi dhe veprimi. Nëse rregullat i shërbejnë autoritetit për të nënshtuar vullnete, atëherë këto rregulla nuk shërbejnë më e mund të ndryshohen.
Dikush dikur përuronte tunele që lidhin Tiranën me Elbasanin, tunele që përftuan një goxha impakt elektoral, e më pas u rimbyllën për remonte të mëtejshme, si rasti i tunelit të Kalimashit. Dikush tjetër gjatë ditëve të fundit shpërndan triumfalisht legalizime ndërtimesh të shoqëruara me leksione pluralizmi dhe prezantime kandidatësh, i përballur vetëm nga poli i tij i përkrahësve. Gjithçkaja e referatit të tij gjigand (në dialektin e krahinës) bëhet një hiçkël teksa ai u bërtet me të madhe simpatizantëve që i ndërpresin fjalimin e “shkujdesur”.
Veprimet tashmë gjykohen që tek synimi i tyre dhe jo më tek pasojat që shkaktojnë. Mjafton të hapim sytë gjykues, e të kuptojmë se sa i dëmshëm është konformizmi i tepruar ndaj grupit.