Zgjedhjet kombëtare zhvillohen brenda një momenti ndërkombëtar specifik. Në vitet 1990, ekzistonte ideja që po jetonim në një periudhë progresi të shpejtë. Demokracia po përhapej. Tirania tkurrej. Azia po zhvillohej. Bashkimi Europian po ndërtohej. Konflikti në Lindjen e Mesme pakësohej. Bota po shkonte drejt një pluralizmi, individualzimi, prosperiteti dhe lirie më të madhe.
Sot është e vështirë të besosh në progresin e shpejtë. Demokracia po humbet terren. Autokratët si Vladimir Putini i Rusisë janë në marsh. Projekti evropian po kalbet. Ekonomitë janë në vështirësi. Forcat reaksionare si IS dhe Irani po fitojnë. Lindja e Mesme përkeqësohet.
Në këtë klimë, toni dhe fokusi i politikës ndryshojnë. Politika është më pak një situatë win-win dhe më shumë një situatë ku fituesi merr gjithçka (zero-sum situation). Nuk ka të bëjë me reforma për të përmirësuar jetën e të gjithëve, por me luftën për pushtet. Kush do të kontrollojë territorin në vende si Ukraina e Siria? A do ta ndërtojë bombën Irani? A do të rrëmbejnë pushtet mbi marrëveshjet dhe politikat e emigracionit Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi?
Në momente të tilla, të fortët ecin mirë. Aftësitë e bashkëpunimit janë më pak të vlerësuara se aftësitë e konfrontimit. Benjamin Netanyahu u rizgjodh në Izrael. Nicolas Sarkozy po përgatit në rikthim në Francë. Putini është në elementin e tij.
Barack Obama e nisi si një idealist me shpresë të ndryshimi, por i është dashur të ashpërsohet për t’u përshtatur me kohën. Angela Merkel është udhëheqësja paradigmatike e kohës: inteligjente, jo emocionale, jo idealiste, kursimtare dhe e interesuar për pushtetin. Siç i tha ish-ambasadori amerikan në Gjermani John Kornblum George Packer-it të New York Times: “Nëse e zhgënjen atëherë ke marrë fund… Është e gjatë lista e meshkujve cilësorë që menduan se do ta mënjanonin nga rruga, e tani të gjithë gjenden në fusha të tjera të jetës.”
Në këto momente, partitë me anim djathtas duket se kanë rezultate të mira dhe kanë një narrativë më të fuqishme për të rrëfyer në lidhje me sigurinë kombëtare. Ata përdorin gjuhën e nacionalizmit dhe kohezionit kulturor. Njerëzit që janë ekonomikisht të pasigurt (dhe më të prirë me anim majtas) dalin nga procesi politik.
Megjithatë, të dyja palët ndryshojnë formë për t’u përshtatur me konturet e momentit. Progresistët flasin më pak për dhembsuri e më shumë për rishpërndarje të pasurisë. Konservatorët e vënë më pak theksin te dinamizmi sipërmarrës dhe më shumë te elitat qeverisëse. Zgjedhjet bëhen më agresive kur ulet besimi te progresi. Votuesit e të gjithë spektrit bëhen më cinikë dhe mosbesues. Ata e perceptojnë më shpejt kërcënimin që vjen nga Tjetri.
Për shembull, antisemitizmi është barometër i mirë për të matur përkeqësimin e frymës publike. Sipas Pew Research Center, veprimet agresive ndaj çifutëve tani janë rritur në 39 për qind të vendeve, nga 26 për qind në vitin 2007. Community Security Trust regjistroi 1168 incidente antisemite në Britani gjatë vitit 2014, më shumë se dyfishi i një viti më herët.
Rrallë ndodh të bëhen organizime madhore në momente të tilla. Në situata të tilla votuesit janë të gatshëm të votojnë fytyra të njohura (më mirë djallin që njohim). Elektorati izraelit, amerikan dhe evropian ka qenë tejet i qëndrueshëm në dekadën e fundit. Në Izrael, për shembull, votat që morën partitë e djathta kanë qenë të qëndrueshme nga këto zgjedhjet tek të fundit, vetëm se Partia Likud mori më shumë vota nga elektorati nacionalist.
Megjithatë, ca ndryshime shfaqen. Partitë ekstremiste rriten, sidomos ato që ato që kundërshtojnë projektet e elitave globale. Kjo duket gjithandej në botë me Tea Party (SHBA), UKIP në Britani, Fronti Nacional në të djathtë në Francë dhe Syriza në të majtë në Greqi.
Partitë ekstremiste rrallë marrin pushtetin, por ato ndikojnë në politikë sepse partitë kryesore janë të detyruara t’i përfshijnë ato. Partitë kryesore duhet të bëjnë luftë në dy fronte: në frontin zyrtar është lufta kundër kundërshtarëve ideologjikë dhe frontin jo zyrtar është lufta për të pushuar, përfshirë e shkatërruar ekstremistët në krahun e tyre.
Kjo është ajo që bëri Netanyahu në Izrael. Ai nuk e artikuloi idenë e zgjidhjes me dy shtete. Ai vetëm tha se do të ishte shumë e rrezikshme në afatshkurtër për sa kohë që radikalizmi i stilit islamik ishte në marshim. Ai u mori vota partive në të djathtë të tij, duke u bërë si ato.
Këto kushte do të ndikojnë dhe në zgjedhjet amerikane të 20016. Hamendësoj se kultura e momentit favorizon Scott Walker dhe Chris Christie, që kanë histori konfrontimi, dhe jo Jeb Bush, i cili nuk ka fituar zgjedhje në këtë territor dhe ka një qasje më të butë. Do thosha gjithashtu se ata forcojnë dhe Hillary Clinton. Ajo ka një ashpërsi si e Merkelit dhe mund të përfitojë nga fenomeni i fytyrës së njohur.
Në përgjithësi, fuqia e momentit kulturor formon kandidatët. Por me raste del ndonjë lider që mund ta kthejë frymën popullore negative në pozitive. F.D.R dhe Reagan e bënë këtë. Por duhet të jetë shumë, shumë i aftë.