Postbllok.com është iniciativë e një grupi publicistësh dhe studiuesish të angazhuar në ligjërimin publik në Shqipëri, me synim zhvillimin e një hapësire të mendimit kritik ndaj realitetit shqiptar, duke u nisur nga refuzimi i atyre elitave militante dhe aspak profesionale, që, të kultivuara në mendësinë totalitare dhe mercenarizmin intelektual, i shërbejnë monopoleve politike, ekonomike, institucionale dhe ideologjike të instaluar në Shqipëri gjatë dekadave të fundit.
Kjo iniciativë përpiqet të grumbullojë zërat profesionistë dhe të angazhuar me përgjegjësi qytetare në përballjen me degradimin e mendimit intelektual; të ofrojë qasje të reja, të vlefshme për zhvillimin e shoqërisë, të cilat do të mund të ndikojnë në nxitjen e debatit konstruktiv; të ngacmojë vëmendjen e publikut lidhur me probleme reale; të promovojë lirinë e nëpërkëmbur të shprehjes publike të mendimit, diversitetin dhe pluralitetin, si vlera jetike që ushqejnë mendimin kritiko-analitik produktiv. Etika, profesionalizmi dhe objektivizmi janë lajtmotive të rëndësishme të themeluesve të kësaj faqeje dhe bashkëpunëtoreve më të ngushtë të saj.