James Dean thoshte dikur “ëndërro sikur do jetosh pafundësisht, por jeto sikur do vdesësh sot”. Duket si shprehje e parealizueshme, si një idealizëm absurd. Më bën shumë përshtypje vogëlsia e njerëzve në këtë Tiranë. Vogëlsia e vendeve, vogëlsia e dëshirave dhe e ëndrrave. Më mërzisin vogëlsia e shpirtit dhe vogëlsia e dinjitetit. Sot ditën më të shëmtuar në Europë mund ta jetosh vetëm në trafikun e Tiranës.
“Ujë dajti”, “ujë dajti”, “ujë i pijshëm dajti”, kjo më zgjon mua në mëngjes. Tubat e apartamentit tonë, nuk sjellin ujë të pijshëm. Pranë një dogane që tashmë ka një shqiponjë të gardhuar nga dhjetëra makina, e nis ditën duke hedhur shpejt hapat mes lypësve, shitësve, fytyrave dhe zarzavateve që janë bërë një. Gjithçka në respekt të rrëmujës. Zona perëndimore e unazës së re është ende duke ambalazhuar në civilizim anti-civilizimin. Njëmijë reagime ndaj ekstravagancës, njëmijë gjuhë të pakuptimta e të pakuptueshme, njëmijë ashpërsi në vështrime, njëmijë sekonda turfullimi pa trajektore, të shpien aty ku predispozitat na kanë detyruar ta quajmë qendra e kryeqytetit.
Atje nuk ia ke haberin nga do përplasesh. Duket sikur është hapur një pusetë e madhe mu në mes të ish-shatërvanit. Makinat ecin ngjitur me lulet dhe anatemojnë njëra-tjetrën, kallaballëk njerëzish që ia presin rrugën e njëri-tjetrit, taksi përballë me muzeun… Shkallët e pallatit të kulturës, që gjithmonë kanë qenë podiumet ideale të pronarëve të Shqipërisë, tani janë shembur. Aty në mes të “pilafit të gjelbër” gjendet Skënderbeu i zhulosur, i prangosur në kangjellat e vlerave të (pa)diskutueshme autentike. Edhe ai vetë me dëshirë do t’ia mbathte që aty… Disa lloj çunakësh të moshuar vazhdojnë po avazin e celularëve, avazin e floririt, argjendit, euros, dollarit. Tymnajë surretërish, zërash, ulërimash, aritmishë… Kalamajtë dhe nënat kanë gallatë… Vajza që mezi prisnin të bëheshin nëna, e tani mezi presin t’i shkarkojnë gjëkundi pjellat e tyre, që të dalin për kafe…
Çfarë është dita dhe nata e Tiranës? Është vegjetim në një kafene të madhe, nga Sharra në Tufinë, ku njerëzia nuk bëjnë asnjë gjë, vetëm sa flasim, vrerosen me njëri-tjetrin, largohen, afrohen, shahen para e mbrapa krahëve, dashurohen, ndahen, përbuzen, harrohen, kujtohen. Ngrehina gërmadhë, nga kati i dytë e sipër, në katin e parë kanë lokale super luksoze. Ndërkohë fasadën mund ta merrni vetë me mend. Njerëzia janë trashur aq shumë me njëri-tjetrin sa u duhen njerëz të rinj, për të ndenjur edhe në prani të miqve të vjetër.
Kjo për sa i takon ditës. Nata është “magjike”! Me qindra vetura i sulen Tiranës sa perëndon dielli dhe Rruga e Kavajës bëhet parking për ata që bëjnë qejf tek Blloku. Dyert e klubeve dhe lokaleve gëlltisin me babëzi dhe kamerierët, banakierët, pronarët, fërkojnë duart me secilin nga ne. Rrëmuja e kahershme thjesht vijon dhe Tirana shkrihet ngadalë, si një plagë e hapur, e lagur me rënkime cepash. Diku sheh dikë të ngarkojë në një veturë të shkëlqyer, një minifund ndjellës krejt të dehur… Individë të papërfytyrueshëm, të parrëfyeshëm, bëhen pjesë promotore, e kësaj vorbulle fudullëku.
Ndërkaq mëngjes sërish, dhe turmat gërthasin, pallatet gumëzhijnë ngathët në ndërtim e sipër dhe fytyra e secilit nga ne shkretohet në moralizma të rafinuara. I gërthasim veshëve të shurdhuar të kësaj Tirane, të gjithë kësaj Shqipërie, që rrogën e merr në lek e borxhet i paguan në euro, që i dhemb shpirti aq shumë sa nuk di ku të përplasë kokën. E prap ka një fushë levitacionale, ku absurdi empirik, i ngreh cucat e kapardisura me rroba shpie, por të ngjyera me fërkime pudrash, në majë të takave, për të shkuar e për të bërë pazar tek tezgat e përbaltura të tregjeve të dorës së dytë. Atje ku ca ripetitorë me dy këmbë nuk pushojnë asnjëherë së lehuri shprehjen retorike “Ujë dajti”, “ujë dajti, “ujë i pijshëm dajti”.
Sa të vegjël jemi ne? Që kemi një kryevend rrëzë Adriatikut dhe e shkatërrojmë për të mos ia trashëguar më brezave. Sa të ngutur e parazitarë jemi ne, kur kemi një kryevend në breg të Jonit, ku rrënjët e portokalltëve i kanë shkulur rrënjët e hoteleve.
Të gjithë pronarët e mëdhenj shqiptarë e kanë nga një shtëpi në Tiranë, të gjithë mafiozët e kanë një shtëpi në Tiranë, të gjithë shqiptarët do ta donin një shtëpi në Tiranë. Në mënyrë që të mblidhen që të gjithë aty gjatë mbrëmjeve të mëdha të kryeqytetit dhe të kuvendojnë mes njëri-tjetrit, se sa bukur ua fusin të tjerëve, e ndërkohë nuk ia nxjerrin dot sho-shoqit. Ndërkohë naivë vetpërjashtues si ne, habiten se nga mbijnë gjithë ato makina të bukura rrugëve. Të gjithë policët ndërkohë, kënaqen me nga një akt-përdorimi për makinat e sekuestruara, që i bëjnë të tyret.
Është një autostradë e tërë, ajo Tiranë-Durrës, që është bërë tunel biznesesh, për të ushqyer me para të gjitha gojët e etura për alkool, drogë dhe seks. Për të mbajtur me apartamente luksoze dhe me albume muzikore, të gjitha kurtizanet mediokre dhe mantenutat e bosave, për të mbushur deng të gjithë serbatorët e X5-ave, Tuaregëve, Kajenëve, Hamerave, ML-ve, e kështu me radhë. Kushdo tjetër është spektator i këtij teatri bajatizmi të natyrës së qenies. I gjithë qyteti është spektator i një milion këngëtarëve që ka Shqipëria. Sikur ka me të vërtet sebep për të kënduar.
Deri në orët e vona dëgjohet një zë idiot, i çjerrë, mes zërave të kalamajve, “Ujë dajti”, “ujë dajti”, “ujë i pijshëm dajti”, “erdhi uji!”… Tani jam në shtëpi, me dhimbjen therëse të kokës, që të krijon një ditë kaq idiote. Të gjithë abuzojnë nga pak, pas shpinës së këtij qyteti të ngratë, e unë dhe të tjerë si unë, ndihen disi xhelozë, që nuk po i jepet mundësia për ta bërë një gjë të tillë.
Ëndërro sikur do jetosh pafundësisht, jeto sikur do vdesësh sot! Si mund t’i lejosh vetes të ëndërrosh se do jetosh në pafundësi kështu?