Efekti emocional i prodhuar në turma nga ndeshja Serbi-Shqipëri ka shqetësuar zëra të ndryshëm në opinionin publik, të njohur në shtyp për qendrime antinacionaliste. Së fundmi, në një shkrim tek lapsi.al, Andi Bushati adreson tek nacionalizmi shqetësimin për një klimë totalitare të prodhuar nga ethet e kësaj ndeshjeje.
Bushati shqetësohet për reagimet agresive të shfaqura kundër zërave kritikë si p.sh. Fatos Lubonja, Artan Fuga apo edhe mbesës së ish-kryeministrit Berisha – për shkak të një statusi në facebook – të cilët u bënë subjekt i një histerie sulmesh e akuzash nga më agresivet. Ai i quan «monstruoze» këto reagime dhe të gjithë këtë sjellje e konsideron diçka «të fëlliqur e të ligë». Gjithsesi, Bushati gjykon se kjo valë nacionalizmi është afatshkurtër, dhe shumë shpejt njerëzve do t’u dalë pija, për t’iu rikthyer trendeve të rradhës, në vulgaritetin e përditshëm të tangave, tatuazheve apo ekspozimit të të ndenjurave.
Bie dakort me Bushatin në konstatimin se ka shumë falsitet e artificialitet në të gjithë këtë dalldi, sidomos tek ata që vijnë nga bota e showbiz-it, të cilët jetojnë duke inflatuar e vulgarizuar çdo vlerë. Megjithatë ka një pasaktësi të madhe në prirjen për t’ia faturuar nacionalizmit këtë problematikë, gjë që e bën debatin të prodhojë më shumë keqkuptime e deformime sesa orientime të vlefshme. Nuk është nacionalizmi ai që prodhon prirjen e publikut shqiptar për të reaguar në mënyrë agresive, konfliktuale e totalitare. Shqiptarët kanë kohë që kultivojnë një gjuhë të tillë dhune e vulgariteti dhe këtë e shfaqin në çdo temë që debatohet në shtyp. Kjo ka të bëjë me mënyrën sesi publiku shqiptar është edukuar, dhe jo me kauzën për të cilën flitet. Shoqëria jonë ka mungesë të theksuar emancipimi e racionaliteti, dhe nuk janë kauzat ato që i prodhojnë këto.
Nese ne i hedhim një sy, në përditshmërinë e tyre, faqeve on line si Gazeta Tema, Dita, Mapo, apo edhe çdo hapësire digjitale që ofron komente popullore të pafiltruara, do të ndeshim të njëjtën gjuhë, pavarësisht nga tema e diskutimit. Hapësira e debatit në Shqipëri shfaq një histeri masive permanente që nuk ka të bëjë me ndonjë temë të veçantë. Mënyra sesi njerëzit reagojnë tregon frustracione të shtresëzuara, të cilat shkarkohen në këto hapësira pa asnjë lloj vetëpërmbajtjeje. Nacionalizmi, ashtu si edhe debati politik, kulturor, fetar, futbollistik etj, është thjesht një sebep që njerëzit të shfryjnë ngarkesat, ndrydhjet, komplekset, fobitë, klishetë, paragjykimet e tyre.
Por nuk janë vetëm komentet e njerëzve të thjeshtë që e ushtrojnë këtë sport. Në këtë nivel janë edhe shumica e shkrimeve të gazetave, pa përjashtuar këtu edhe njerëz me rëndësi në fushën e mendimit dhe kulturës. Gjuhën e linçimit, akuzave, denigrimit, shantazhit e konspiracionit e gjejmë në zemër të shtypit mainstream, përpara se ta shohim të vulgarizuar në komentet e blogjeve apo rrjeteve sociale. Madje mund të thuash se janë pikërisht baballarët e mendimit ata që e kanë prodhuar këtë klimë dhe e kanë vaditur këtë truall konfliktual. Hidhini një sy debateve për historinë, kulturën dhe do të shihni sesi «gjenitë e kombit» lëshojnë rrufe e baltë ndaj Tjetrit nëpër shtyp. Në shtypin e ditës shohim të artikulohen haptas pikëpamje fashiste, që prodhojnë urrejtje e antagonizëm histerik, të cilat atakojnë edhe pjesë të konsiderueshme të shoqërisë, dhe askush nuk shqetësohet. Kultura e dialogut është ende shumë larg në Shqipëri dhe kjo fillimisht tek elitat që, fatkeqësisht, reflektojnë të njëjtën retorikë e mentalitet me atë të regjimit të kaluar nga ata vijnë.
Po kështu prirja totalitare shoqëron çdo fushë të mendimit e debatit publik. Tema të tilla si rishkrimi i historisë, çmitizimi i së shkuarës apo debatet politike, kulturore e fetare, kushtëzohen fort nga klishetë më të ngurta të cilat nuk lenë shteg për racionalitet apo pluralitet. Medimi ynë nuk është çliruar ende nga armaturat e vjetra konceptuale e ideologjike dhe kjo e bën të pamundur të zhvillojmë një debat publik të shëndetshëm. Pra nuk është nacionalizmi që sjell totalitarizëm në Shqipëri, por është mendësia jonë totalitare që dogmatizon dhe militarizon nacionalizmin si dhe çdo kauzë tjetër, duke e degjeneruar atë në një mjet për të urryer.
Për këto arsye, fajësimi i nacionalizmit e zhvendos problemin duke e lënë të pazgjidhur. Duke luftuar nacionalizmin nuk kemi eleminuar aspak totalitarizmin brenda nesh, i cili do të mbetet aty për t’u kapur pas objekteve të tjera. Keqkuptimet mbi nacionalizmin janë ndoshta ndër më të mëdhatë në shoqërinë tonë dhe kjo temë, në pjesën më të madhe të rasteve, ka mbetur peng midis një pale që e kultivon në mënyrën më të shëmtuar, dhe një pale tjetër që e sulmon në mënyrën e gabuar. Për rrjedhojë debati ngec në cektinë pa u zhvilluar dot në hapësira të shëndetshme.